Paditet në Kushtetuese, por “Dekriminalizimi” nuk rrezikon

treshja-e-dekriminalizimitPasojat e ligjit të dekriminalizimit nuk janë pritur mirë nga subjektet e prekura, të cilët nëpërmjet avokatëve të tyre paralajmërojnë se do dërgojnë “Dekriminalizimin” në Kushtetuese, por juristë të njohur kundërshtojnë nismën, duke thënë se ligji është miratuar nga 140 deputetë, përfshirë dhe vetë të prekurit

Nga Leonard Bakillari

Avokati i kryebashkiakut të Kavajës, i shkarkuar tashmë nga Kryeministri Edi Rama, pas vendimit të KQZ-së ka paralajmëruar ankimimin e ligjit si antikushtetues.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe avokati i deputetit Dashamir Tahiri, i cili tha dje se ligji i Dekriminalizimit ka probleme kushtetuese.

Por a është i mundur ankimimi në Gjykatën Kushtetuese kur ligji është votuar në unanimitet të plotë nga 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë?

Kësaj pyetjeje i japin përgjigje disa juristë të njohur, të cilët thonë se si dy deputetët tashmë pa mandate ashtu dhe kryebashkiaku i Kavajës nuk mund të ankimojnë ligjin e Dekriminalizimit, për sa kohë ai është votuar nga 140 deputetë të Kuvendit.

Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Visha thotë se nuk ka asnjë mundësi ligjore që ligji i Dekriminalizimit të ankimohet në Kushtetuese, për sa kohë ai është votuar në unanimitet të plotë nga deputetët, përfshi edhe dy deputetët tashmë pa mandat.

Sipas tij, ky ligj është miratuar bashkë me ndryshimet kushtetuese e për pasojë nuk ka nevojë për interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Askush nga personat që e kanë votuar këtë ligj, rasti konkret dy deputetët që KQZ ju hoqi mandatin, apo çdo subjekt tjetër politik nuk mund ta ankimojë këtë ligj”, tha Visha, i kontaktuar nga MAPO.

Edhe sipas konstitucionalistit Çlirim Gjata, dy deputetët tashmë pa mandate nuk mund të ankimojnë ligjin në Kushtetuese.

Sipas tij, deputetët mund të ankimojnë në Kushtetuese procedurën që do të ndiqet nga Gjykata Administrative pas ankimit të bërë nga dy deputetët, por kurrsesi të gjithë ligjin e Dekriminalizimit.

“Pas daljes së vendimit të Gjykatës Administrative, dy deputetët dhe avokatët e tyre mund të ankimojnë në Kushtetuese procedurën e ndjekur nga Administrativja për Ligjin e Dekriminalizimit për këto dy raste, por për gjithë Ligjin nuk mund të bëhet ankimim”, tha ai.

Gjata shkon edhe më tej kur thotë se ky ligj është miratuar në një situatë të jashtëzakonshme, çka nënkupton edhe privimin nga disa të drejta për subjektet që përfshin ky ligj.

“Dekriminalizimi është një ligj i bërë në një situatë të jashtëzakonshme, për çështje të jashtëzakonshme, siç është dekriminalizimi i politikës, dhe është normale që të shkelë liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Gjata.

Oerd Bylykbashi, një nga hartuesit e ligjit thotë se askush nuk mund ta ankimojë në Kushtetuese, pasi pikërisht për të shmangur këtë gjë fillimisht janë bërë ndryshimet kushtetuese dhe më pas është miratuar ligji.

Në një postim në Facebook deputeti i PD-së shkruan se si Rama ashtu dhe Rroshi bërtitën e po bërtasin se ligji është antikushtetues dhe tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse Rama t’u japë ndihmë juridike falas që të krijojnë Shoqatën e të Dekriminalizuarve.

“Edi Rama pasi votoi me zor e siklet amendamentet kushtetuese dhe ligjin e dekriminalizimit, bërtiti me të madhe në parlament se ligji është antikushtetues. Tani kryebashkiaku që ai mbron po bërtet se ligji është antikushtetues. Nuk ka faj Rroshi sa kohë rrugën ia shtron Rama”, shkruan Bylykbashi.

Ndryshimi i ligjit

Por një mendim tjetër ka avokati Sokol Hazizaj, i cili thotë se ligji për Dekriminalizimin duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të gjitha arsyet e përmendura, të cilat janë pranuar edhe nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë dhe pas miratimit të tij.

Por sipas tij, një arsye themelore përse ky ligj duhet të riparohet nga Kushtetuesja është mospërfshirja në ligj e kriminalizuesve.

“Ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njërit dhe si i tillë duhet të riparohet nga Kushtetuesja. Por një arsye e rëndësishme përse ky ligj duhet të ndryshohet është edhe mospërfshirja e atyre që kriminalizuan politikën si subjekte të këtij ligji”, thotë konstitucionalisti Sokol Hazizaj.

Kjo gjë sipas tij do të ndodhë vetëm nëse Gjykata Kushtetuese sillet vërtet si e tillë, pasi është nonsense që ligji të prekë vetëm subjektet me të shkuar kriminale dhe jo ata që i kanë kriminalizuar këto subjekte.

Për të gjitha këto arsye Hazizaj thotë se ky ligj ka nevojë për ndryshime dhe riparime që mund të bëhen vetëm me ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Avokatët e njërit prej deputetëve tashmë me mandate të hequra dhe kryebashkiakut të Kavajës thonë se ligji ka probleme kushtetuese.

Avokati Theodhori Sollaku thotë se do të ankimojë vendimin e KQZ-së, referuar nenit 115 të Kushtetutës.

Sipas tij, kërkesa që ai pritet të depozitojë në Gjykatë, do të përmbajë papajtueshmërinë e ligjit, të ashtuquajtur të dekriminalizimit, me Kushtetutën.

Një kërkesë e tillë mund të sillte si pasojë ngërç juridik në funksionimin e mëtejshëm të ligjit vetëm në rast se ai do të merrej në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo situatë do të bëhej edhe më e komplikuar kur vendi përgatitet të hyjë në zgjedhjet parlamentare në qershor të këtij viti. Parandalimi i kandidimit të personave me të shkuar kriminale ishte një nga arsyet që nxiti opozitën të kërkonte me forcë miratimin e ligjit për dekriminalizimin, i cili konsiderohet si mjaft i ashpër.

Por për kreun e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, ligji jo vetëm që nuk mund të ankimohet, por edhe nëse diçka e tillë ndodh, Gjykata Kushtetuese do të vendosi mospranimin e ankimit duke e mbyllur përfundimisht këtë debat.

Megjithatë edhe avokati i njërit prej deputetëve të prekur nga ky ligj thotë se dekriminalizimi ka probleme kushtetuese.

“Ka absurditete që nuk qëndrojnë, sidomos për sa i përket rehabilitimit të personit, për efektet e veprimit të ligjit në kohë. Unë plotësoj formularin në një kohë të caktuar, ndërsa ligji jep efekte prapavepruese. Këto janë gjëra që i shikon gjykata”, tha avokati Fatmir Braka.

Njëlloj si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që në mbledhjen e parë shfaqi paqartësi në zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit, edhe avokatët e subjekteve të prekura janë të paqartë për mënyrën e ankimit të vendimit të KQZ-së.

Avokatët e ish-deputetit Dashamir Tahiri dorëzuan në Gjykatën Administrative dhe në Kolegjin Zgjedhor dy kërkesë-padi nëpërmjet të cilave kërkojnë pezullimin e vendimit të KQZ-së deri në gjykimin e kësaj çështjeje në themel.

Ndërsa avokati i deputetit tjetër të prekur nga ligji, Shkëlqim Selami ka depozituar vetëm një padi në Gjykatën Administrative, kjo edhe për faktin se në vendimin e KQZ-së nuk ka asnjë referencë ligjore nga Kodi Zgjedhor, çka shmang automatikisht Kolegjin Zgjedhor nga shqyrtimi i këtyre çështjeve.

Paditë e avokatëve të dy deputetëve dhe paralajmërimi i avokatit të kryebashkiakut Rroshi për dërgimin e Dekriminalizimit në Kushtetuese shihen si veprime ekstraprocedurale nga kreu i Avokatëve Penalistë.

“Edhe ankimi i vendimit të KQZ-së për dy deputetët në Gjykatën Administrative është ekstraprocedural, pasi edhe avokatët e subjekteve të prekur nga ligji janë të paqartë për mënyrën se si duhet të veprojnë. Avokatët e ish-deputetëve i janë drejtuar Gjykatës Administrative, ndërsa avokati i ish-kryebashkiakut të Kavajës thotë se do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thotë Visha.

Sipas tij, çdo përpjekje për oksigjen ndaj këtyre subjekteve në fakt është dioksid karboni për ta.

“Shoqata e Avokatëve Penalist përkrah vendimin e KQZ-së dhe e inkurajon atë për zëvendësimin e deputetëve që iu është hequr mandati në bazë të ligjit për dekriminalizimin”, tha për MAPO avokati Saimir Visha.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dalin ditarët/Çfarë ka lënë të shkruar Mbreti Zog

****  Agjencia Pro Democratia prezanton projektin me 9 akte që do të...
Read More