Pajisja ‘ilegale” e përgjimit: Prokuroria heton Policinë e Shtetit



Tahiri dhe CakoTaskë Forca në Prokurorinë e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me objekt “shpërdorim detyre”, pas informacionit se në Zyrat e Policisë së Shtetit është instaluar një pajisje përgjuese e paautorizuar. Pritet sekuestrimi i pajisjes dhe dokumenteve shoqëruese të saj.

Tre ditë pas publikimit të shkrimit mbi një pajisje përgjuese të paligjshme që është instaluar në Policinë e Shtetit, ka reaguar prokuroria, e cila ka vendosur të hetojë këtë rast.

Njësia “Task Forcë” në prokurorinë e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me objekt “shpërdorim detyre”, por momentalisht pa autor deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Pas regjistrimit të procedimit penal, prokuroria pritet të sekuestrojë pajisjen përgjuese, e cila mësohet se është e paautorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm.

Po ashtu, grupi hetimor i ka kërkuar policisë të vërë në dispozicion të akuzës praktikën shoqëruese të pajisjes, e cila nuk rezulton e regjistruar askund.

Po ashtu, organi i akuzës ka bërë dhe një listë me zyrtarët e policisë që kanë dijeni për këtë pajisje, të cilët do të thirren për të dhënë shpjegimet e tyre.

Hetimi i prokurorisë nisi pas një informacioni të Shërbimit Informativ Shtetëror, që ka marrë dijeni për një aparaturë përgjuese të paligjshme të instaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Pajisja tepër e sofistikuar ka vënë në alarm institucionet e inteligjencës, të cilat kanë informuar krerët më të lartë të shtetit.

Pajisja nuk rezulton e regjistruar në asnjë regjistër zyrtar apo dokument tjetër të institucioneve të sigurisë.

Jo zyrtarisht, policia thotë se kjo pajisje përdoret për qëllime trajnimi nga policia e shtetit.

Prania e saj është konfirmuar nga zyrtarë të Policisë, të cilët pohojnë se pajisja përdoret për qëllime trajnimi edhe pse me të mund të kryhen përgjime të paligjshme, pasi vetë policia nuk ka tagrin për të përgjuar pa marrë më parë miratimin e prokurorit.

Sipas burimeve, mësohet se pajisja që shërben për zbulimin e personave në kërkim i është dhënë Policisë Shqiptare nga ana e homologëve italiane.

Në kuadër të ndihmës dhe bashkëpunimit mes dy policive, homologët italianë i kanë dhuruar policisë shqiptare edhe një pajisje interceptimi tepër të sofistikuar.

Ajo është futur pa u regjistruar në doganë dhe është instaluar në zyrat qendrore të policisë, ku thuhet se përdoret për qëllimi trajnimi të agjentëve dhe oficerëve të policisë.

Por pavarësisht këtij qëndrimi të drejtuesve të policisë, është fakt se për këtë pajisje nuk ka dijeni asnjë prej institucioneve dhe krerëve të Sigurisë Kombëtare, pasi ajo nuk rezulton e regjistruar askund.

Po ashtu, për ekzistencën e saj nuk është vënë në dijeni as Prokurori i Përgjithshëm, i cili është autoriteti i vetëm që mund të autorizojë kryerjen e përgjimeve.

Por burimet konfirmojnë jo vetëm praninë dhe instalimin e saj në zyrat e policisë qendrore, por edhe faktin se kjo pajisje është ndër më të sofistikuarat dhe ajo mund të përdoret për çdo lloj interceptimi telefonik.

Ndërkohë, mësohet se kjo pajisje e paautorizuar përgjimi është instaluar në ambientet e Policisë, thuajse në të njëjtën kohë me dorëzimin e ndryshimeve të ligjit të përgjimeve që Ministria e Brendshme dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë.

Në bazë të këtij projektligji, Ministria e Brendshme synon të detyrojë kompanitë celulare për t’iu vënë në dispozicion të dhënat e tyre, oficereve të policisë.

Në bazë të ligjit aktual, kjo e drejtë i takon vetëm prokurorisë. Sipas ligjit për përgjimet apo dhe Kodit të Procedurës Penale, parashikohet kryerja e dy lloj përgjimesh.

Përgjimet parandaluese, që kryhen nga Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi të merret miratimi nga Prokurori i Përgjithshëm, duke motivuar arsyen e përgjimit.

Dhe kategoria e dytë janë përgjimet procedurale, që autorizohen nga prokurori, për procedime penale të regjistruara në prokurori. Në asnjë prej këtyre rasteve, policia nuk mund të kryejë përgjime pa marrë më parë miratimin e prokurorit.

 

Nishani: Duhet hetuar pajisja ilegale e përgjimit

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka komentuar ekzistencën e një pajisjeje përgjuese ilegale, të instaluar në zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme.

Gjatë një konference për shtyp, të zhvilluar pasditen e djeshme në selinë e Presidencës, Nishani tha se kjo pajisje duhet hetuar.

I pyetur nga gazetarët për skandalin e denoncuar nga vetë ai se segmente të caktuar shtetërore kanë përgjuar jetën private të Presidentit dhe familjarëve të tij, Nishani tha se media ka denoncuar një pajisje ilegale që kryen përgjime.

“Nuk kam ndryshuar mendim dhe qasje ndaj sistemit të drejtësisë për as edhe një arsye dhe për as edhe një çështje. Çështja që ju i referoheni është dhe mbetet një çështje serioze. Kam parë ditët e fundit në media që është denoncuar ekzistenca e një pajisjeje ilegale që kryen përgjime. Kjo mbetet për t’u verifikuar se sa qëndron si lajm, se sa i vërtetë është”, tha Nishani.

Duke folur për sistemin e drejtësisë, Presidenti tha se i qëndron deklaratës për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Mbetem në atë deklaratë, në atë mendim që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë, e cila të krijojë kushtet për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar; për të larguar një orë e më parë të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë të kapur e të përdorur politikisht, të shantazhueshëm, për t’u dhënë mundësinë e karrierës njerëzve dinjitozë, profesionistë dhe me dinjitet. Për të pasur një mekanizëm të drejtësisë larg çdo influence dhe të mbajmë fort shpirtin e shpresës, të integritetit dhe të kurajës”, tha Presidenti i Republikës.

 

 

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Parulla e Mehmet Shehut në shtypin botëror: Pështymë surratit, grusht hundëve e plumb ballit

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”,...
Read More