Pakti me Greqinë: Detajet e vizitës së Kotzias në Tiranë

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati pati dje takim me homologun e tij grek, Kotzias, që vizitoi Tiranën, duke i hapur rrugën nisjes së negociatave teknike për detin dhe marrëveshjeve të tjera mes dy vendeve. Detaje të plota rreth takimit me Kotzias, vizitën e shtyrë të kryeministrit grek në Tiranë, por edhe çështje të tjera të politikës së jashtme Bushati i ka dhënë po dje gjatë një interviste për Ilva Tare në  “Ora News”. Bushati tha dy vendet do të kenë një kalendar për dokumentin e ri strategjik dhe se viti 2018 hap një fazë të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. I pyetur për dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Shqipëria, Bushati tha se ata e kishin tejkaluar statusin e tyre diplomatik dhe se dëbimi është bërë në bashkëpunim me NATO-n dhe BE-në. Po ashtu Bushati ka paralajmëruar një takim Rama-Merkel gjatë kësaj pranvere.

Marrëveshjet me Greqinë

Ministri Bushati ka radhitur çështjet për të cilat bisedoi dhe pati dakordësi me homologun grek Kotzias.Kemi rënë dakord për kalendarin e takimeve që do zhvillojnë ekspertët për sa i përket ambicies të të dyja palëve për të arritur një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare. E dyta, për të vijuar me mbylljen e të dy marrëveshjeve tjera që kanë të bëjnë me regjimin kufitar tokësor. E treta, për të konkluduar në një periudhë shumë të shpejtë, çështje javësh, edhe marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit. Më pas për shfuqizimin e ligjit të luftës dhe të gjitha pasojave ligjore që burojnë nga ky hetim dhe për të punuar drejt dokumentit të ri të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona”. Ndërkohë për vizitën e kryeministrit grek Bushati tha: “Kemi diskutuar dhe për vizitën e pritshme të kryeministrit grek në Shqipëri. Për shkak të një lloj vonese nga pikëpamja e bisedimeve me Greqinë, kjo vizitë do të riplanifikohet për një periudhë të mëvonshme. Besojmë që janë mundësitë që kjo vizitë të kryhet brenda verës”. Ndërsa për negociatat teknike për kufirin detar ai tha se nisja e tyre është çështje ditësh.

Dëbimi i dy diplomatëve rusë 

Për dëbimin e diplomatëve rusë Bushati është shprehur se “Ka qenë një vendim apo veprim i koordinuar me një mazhorancë të vendeve anëtare në NATO dhe BE. Sinkronizimi me aleatët e Aleancës së Veriut dhe me partnerët tanë në BE por dhe fakti që dy diplomatët në fjalë, kishin aktivitet që shkonte përtej cakut të diplomatit”. Ndërsa duke folur për një reagim të mundshëm rus dhe për marrëdhëniet me atë vend Bushati ndër të tjera ka thënë “Marrëdhëniet tona kanë vite të cilat nuk po ngrihen dot në një lloj pike shumë të ulët, qoftë për sa i përket këndshikimeve diametralisht të ndryshme për zhvillimet në Ballkan dhe sidomos qëndrimit refraktar të Moskës dhe në disa raste paragjykues ndaj rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan. Moska zyrtare nuk lë rast pa shigjetuar Shqipërinë dhe shqiptarët për zhvillimet në Ballkan”, -tha Bushati.

Negociatat me BE

Po ashtu, ministri Bushati ka folur edhe për marrëdhëniet me BE.Ne besojmë që Komisioni Europian do të propozojë nisjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Ky besim bazohet në radhë të parë tek kursi i reformave të ndërmarra dy vitet e fundit”, -tha ai. Ndërkohë i pyetur për një takim të mundshëm mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel, Bushati ka konfirmuar se “Takimi i kryeministrit Rama me kancelaren Merkel do të ndodhë brenda pranverës”. Po ashtu, ai lajmëroi se Do të kemi një vizitë të ministrit të Jashtëm të Francës në Shqipëri”.

 

 

Vizita e Kotzias, PDIU: Ministri grek kërkoi të mos përmendej Çamëria

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka reaguar për vizitën e ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias në Tiranë si dhe takimin që ka zhvilluar me ministrin Ditmir Bushati. Përmes një deklarate, Idrizi thotë se Kotzias ka kërkuar që të mos përmendet çështja çame, pasi në të kundërt do të çohej nga tavolina. Sipas tij, çështja çame është dhe mbështetet me dokumente detyruese dhe nuk është çështje dëshirash. “PDIU është për është për dialog dhe për zgjidhje në tavolinë të çështje të pazgjidhura, duke përfshirë edhe çështjen çame”, thotë ndër të tjera Idrizi. “Në takimin që është zhvilluar mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në tavolinën e diskutimeve, sipas mediave, Kotzias ka kërkuar që të mos përmendet Çamëria në të kundërt ai do të çohet nga tavolina. Nëse ky lajm është i vërtete po ju kujtoj, që çështja Çamë është dhe mbështet me dokumenta detyruese dhe jo çështje dëshirash për shtetin Shqiptar. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është për dialog dhe për zgjidhje në tavolinë, por po të ishte për të çuar nga tavolina, duhej të çohej Bushati, që për sa kohë Greqia nuk ka hequr ligjin e luftës me Shqipërinë”, thuhej në reagimin e PDIU. Ndërkohë ministri Bushati e ka kundërshtuar lajmin megjithëse tha se palët kanë qëndrime të ndryshme për Çamërinë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund ta nxjerrim Kodrën nga kuadri i një tabloje?

Një kujtim në Paris me Ibrahim Kodrën në ekspozitën e tij në...
Read More