Pamundësia e një narrative të re në politikën shqiptare



Gilman BakalliNga Gilman Bakalli

Kur aktorët politikë lënë fjalën dhe iu drejtohen rivalëve duke i gjuajtur me histori seksi (Shukriu) dhe dhune (Roshi), të cilat janë “sa për 1000 fjalë”, kjo na bën të mendojmë se lufta politika ka dalë nga teatri i përditshëm dhe ka zbritur në terrenin e betejës së pushtetit për jetë a vdekje. Ky është momenti për t’i hedhur një sy të shpejtë narrativave të secilit kamp, mënyrës pra se si stoliset diskursi politik me histori dhe anekdota. Demokratët janë ithtarë të historive të mëdha, të cilat për shkak të ngurtësimit të tyre, i strehojnë pak a shumë te paradigma e restaurimit. Historia që ato tregojnë, në variacione të ndryshme, ka këtë strukturë bazë: “dikur në botë ekzistonte tregu i lirë, shteti e la ekonominë të lirë të prodhonte dhe të krijonte vende pune e mirëqenie. Vlerat kishin vlerë. Pastaj erdhën komunistët dhe ia morën frymën ekonomisë me ndërhyrje shtetërore, pastaj erdhën socialistët dhe shkatërruan vlerat e dikurshme duke nxitur imoralitetin. Shihni Ramën lakuriq bregdeteve të Europës, shihni ç’po i bën Kushtetutës, po legalizon tinëzisht martesat gay etj. etj…” Ky narracion ka në thelb logjikën e restaurimit. Kërkohet një rikthim te gjendja ideale, një rikthim te një parajsë, të cilën në një farë mënyre, e njeh gjithkush. E bukura e logjikës restaurative është se për ta praktikuar atë nuk të duhet as edhe një shkëndijë inteligjence. Nuk ke pse merresh as me problemet e së tashmes e as me zgjidhjet e së ardhmes. Nuk ke pse ua sforcon fantazinë qytetarëve duke iu kërkuar të imagjinojnë një të nesërme më të mirë, e as t’iu tregosh rrugën drejt saj, sepse gjithçka që duhet për përshkrimin e gjendjes ideale ka ekzistuar dikur dhe është e njohur tashmë.

Kurse narracioni i majtë, i socialistëve pra, nuk merret me “historitë e mëdha”, por përdor rrëfimin e vogël anekdotik, përjetimet e njeriut të thjeshtë, të tipit “nënë Ferideja”, si provë, si dëshmi ilustrative për argumente politike komplekse. Refuzimi i historisë së madhe për të majtët nënkupton të rrëfesh si do të jetë për secilin prej nesh kur të jetë ndryshe nga ç’është tani. Ndryshe nga narracioni konservator, i cili i flet zgjedhësit si kolektiv, historitë individuale anekdotike të retorikës së majtë që i serviren publikut, i japin këtij të kuptojë se politika e trajton atë si individ me dëshira dhe fantazi autentike.

Nëse narrativa e majtë kërkon të ndryshmin dhe autentiken, modeli konservator i restaurimit ka nevojë për “të keqin” dhe për “Të Keqen”. Si ndryshe mund t’iu shpjegosh ndjekësve të tu se ky realitet ka degjeneruar dhe po shkon drejt fundit. Logjika ta do se një retorikë e së keqes mbahet ndezur nga opozita që kërkon të mbajë gjallë elektoratin. Mirëpo Berisha për shembull ka treguar se retorika e restaurimit mund dhe duhet të vazhdojë edhe pasi i ke fituar zgjedhjet. Rivali i brendshëm zëvendësohet nga armiku i jashtëm (shpeshherë si ambasador). Retorika e djathtë na mban vazhdimisht pezull: “Si do ta mposhtë dhe shkatërrojë heroi rivalin e lig? Çfarë pisllëqesh fsheh akoma ky maskara, të cilat do i marrim vesh me kohë?” Histori pra që thuren me ligjësitë e filmave “action” alla Chuck Norris, ku tamam si në këto filma, fabula i nënshtrohet logjikës së rritjes së intensitetit të shkatërrimit, dhunës dhe hakmarrjes. E bukura e kësaj historie është se, për ta mbajtur publikun në formë, për histori të tilla nuk nevojitet ndonjë inteligjencë e veçantë. Mjafton pak fantazi e ndyrë, kreativitet pervers e sadist. Aktualisht kampi i djathtë ka paralajmëruar histori të tjera me “Të Keqen”.

Si mund të dilet nga kjo retorikë? Gjasat për një narrativë të re janë thuajse zero. Për demokratët e Berishës kjo është në natyrën e gjësë. Narrativa konservatore per definitionem nuk mund të na tregojë një histori të re, por thjesht histori, të cilat në thelb, flasin për pandryshueshmërinë e saj. Vizioni i saj është në thelb një re-vizion, një rikthim ciklik tek e njohura dhe e njëjta. Retorika e së majtës mund të jepte më tepër shpresë për një narrativë të re, por edhe kjo është e pamundur, sepse është e pamundur të prodhosh pafundësisht histori, sidomos prej atyre historive që bëjnë çdo individ të ëndërrojë. Shkurt pra, për arsye të ndryshme, e majta dhe e djathta nuk janë në gjendje t’iu japin zgjedhësve përmes një narrative të qartë një përfytyrim të saktë të asaj që konsiderohet jetë e mirë. As të djathtët e as të majtët nuk mund të mbajnë më një fjalim që fillon me formulën proverbiale “I have a dream…”

Aktualisht, e vetmja histori e re që dëgjojmë është apeli retorik i një qytetari ideal, i cili e pyet politikanin “lëri historitë, po më trego si do përfundojë historia jote?!”

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama: Koalicion me Metën në 2017? Nuk është ky momenti

“Unë jam krenar, por jo i kënaqur sepse ka shumë për të...
Read More