Panairi i librit 2017: Çelet kolona letrare e Mapo Editions, ja autorët

Kolana Mapo Editions do të pasurohet me emra të rëndësishëm të letrave shqipe. Emra të njohur të letrave shqipe janë tashmë pjesë e kësaj kolane si Preç Zogaj, Ben Blushi, Mimoza Ahmeti, Blendi Fevziu, Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Maks Velo, Artan Mullai, Alfred Peza, etj. Në kuadër të edicionit të 20-të të panairit të librit që organizohet çdo vit në Tiranë, kjo kolanë do të jetë prezente në të gjitha gjinitë si romani, tregimi apo poezia

Vetëm pak pas hapjes së klubit të letërsisë kontemporane, një klub që do bëjë bashkë në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës emra të njohur të letrave shqipe, për të analizuar dhe thelluar më shumë në problemet e letërsisë sot, Mapo Edition i jep një hov të ri kolanës kushtuar letërsisë shqipe. Emra të njohur të letrave shqipe janë tashmë pjesë e kësaj kolane si Preç Zogaj, Ben Blushi, Mimoza Ahmeti, Blendi Fevziu, Rudolf Marku, Shkëlqim Cela, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Maks Velo, Artan Mullai, Alfred Peza, etj. Në kuadër të edicionit të 20-të të panairit të librit që organizohet çdo vit në Tiranë, kjo kolanë do të jetë prezente në të gjitha gjinitë si romani, tregimi apo poezia, në këtë të fundit pjesë e kësaj kolane janë poetët më të mirë shqiptarë ndër vite si Ahmeti, Zogaj, apo Marku. Po ashtu edicion botimi, dhe inkurajimi do të jenë sidomos edhe autorët e rinj, që do të kenë më shumë hapësirë për të qenë prezent në tregun e librit, krah emrave më të mirë të letërsisë shqipe.

“Kolana Mapo Edition do të pasurohet me emra të rëndësishëm të letrave shqipe. Qëllimi i kësaj kolane është të kontriubojë për një shije të re estetike letrare, për t’u kthyer në një strehë të vërtetë të mendimit të ri letrar shqiptar. Duke i dhënë hapësirë jo vetëm autorëve të mirë të traditës, por duke mbështetur dhe autorët bashkëkohorë sot, kjo kolanë do të jetë si një pasqyrë ku mund të shohim atë çfarë ndodh me letrat shqipe sot.Një pjesë e rëndësishme e strukturës së re të kësaj kolane është dhe nxitja e mendimit të ri kritik. Ngritja e niveleve por dhe e modeleve të reja të kritikës letrare do të krijonte jo vetëm një këndvështrim të ri estetik, por dhe do të krijonte skaletat e një strukure të munguar të kritikës shqipe sot, pas një tradite të mirë që ka pasur në atë të soc-realizmit. Nëse këto vite vëmendja e botimeve shqipe ka qenë më shumë në fushën e përkthimit, ne duam të krijojmë një qasje të re dhe shumë të domosdoshme të kthimit të vëmendjes ndaj autorëve shqiptarë”, tregon këtë projekt të botimeve, Alda Bardhyli drejtore e Mapo Editions. Suplementi letrar i “Mapo”-s, kushtuar tërësisht autorëve shqiptarë, dhe zhvillimeve letrare në vend, sjell këtë numër autorët me veprat e tyre që, ngritën pragun letrar të kolanës “Mapo Editions”, si një rast për të shuar zërat se letërsia shqipe nuk zë vend tek lexuesit e saj.

***

Shkëlqim Çela: Embriologji (fitues i çmimit, Kadare 2016)

Fitues i edicionit të dytë të çmimit Kadare, për librin “Embriologji”, Shkëlqim Çela është pjesë e kolanës letrare të Mapo Editions, si një autor i zbuluar duke sjellë për lexuesin shqiptar të parin libër të tij në formatin letër, që sipas tij vazhdon ende të shijohet nga lexuesit klasikë, krahasuar me shkarkimet digjitale. Çela një autor shqiptar pak i njohur në qarqet e këtushme letrare, është vlerësuar si proza më e mirë me librin e tij “Embriologji” mes 33 konkurrentëve në garën e 2016. Jashtë pritshmërive të këtij mjedisi motivimi nga juria e çmimit “Kadare” ka qenë: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që iu garanton këtyre tri novelave dhe autorit, një hyrje në letrat shqipe”. Shpesh raportet e prezencës së autorit në vlerësimin kritik kanë një debat të gjerë, duke e lënë lexuesin të vetëm përballë tekstit. Ky autor është rasti. Lexuesi ka përballë një libër, me tre novela që vijnë organikisht me njëra tjetrën. Një raport i përmbysur i ekzistencës së individit që nis me fundin e jetës, e përfundon në fillimin e tij. “Përgjuesit”, “Zbori” dhe “Yjet e (pa) shuar” – krijojnë në mbyllje të tyre një skemë të plotë, të pandara nga njëra tjetra, sa sociologjike po aq dhe antropologjike. “Mua më interesojnë ngjarjet dhe mekanizmat që luajnë prapa tyre. Karakteri apo personazhi si element i veprës nuk është shumë në fushën time të interesit. Po ashtu, kam bindjen se letërsia nuk është ndonjë organ drejtësie dhe as shkrimtari nuk është hetues apo gjykatës. Përshkrimi besnik i pleqve shqiptarë më duket si një detyrim ndaj tyre”

Blendi Fevziu: Pushteti

“Pushteti” i Blendi Fevziut, pjesë e kolanës së Mapo Editions, ka qenë një nga librat më të shitur, duke tërhequr vëmendjen e qindra lexuesve, por edhe të debatuar për misterin, llogjikën dhe psikologjinë se çfarë detyrohet njeriu të lërë në jetën e tij për pushtetin. Libri “mbahet” mbi një personazh që mund ta gjesh gjithkund, “mund ta gjesh te kryeministrat shqiptarë, që kanë qenë këto vite apo më herët. Kushdo mund të gjejë një person të ngjashëm, mund të mendojë që ai është një nga politikanët shqiptarë apo botërorë. Por mund ta lidhi edhe me shefin e tij, sepse pushteti nuk do të thotë vetëm, pushtet politik. Ti mendon gjithë kohën që ky është pushteti që ke ti dhe dominon, por në fakt është ky pushtet që të deformon ty në raport me të tjerët.”- ka thënë gazetari dhe autori i librit, Blendi Fevziu. Libri fillon me një ëndërr të një njeriu që përjeton makthin e tij më të madh; rënien nga pushteti. Libri përfundon me dilemën e këtij njeriu të pushtetshëm që pasi ka humbur pushtetin kupton se s’ka asgjë tjetër, është bosh, dhe planifikon të vrasë veten, varrimin e tij. Kjo ese ka nisur të shkruhet që para se të binte muri i komunizmit në Shqipëri, në vitin ’89, e ka ripunuar në 2010-ën për të ardhur në formën që ka sot pasi autori vendosi ta përfundonte në 2016-ën. “Kam 25 vite eksperiencë për të parë se si funksionon pushteti, cila është tërheqja e pushtetit, si deformohen njerëzit nga pushteti, si fillojnë të kenë një përqasje tjetër në momentin që e ndiejnë çfarë është pushteti. Pushteti është një botë, së cilës jo gjithmonë i përket. Është një botë që të duket sikur është larg teje, në momentin e parë që ti troket ose afrohesh në muret e kësaj bote, fillon të deformosh diçka nga vetja dhe deformimi i pushtetit është padyshim më i tmerrshmi…”

Musa Ramadani: Profeti nga Praga (fitues i çmimit Kadare 2017)

Kur fitoi edicioni e sivjetëm të çmimit Kadare 2017, shkrimtari 73 vjeçar nga Kosova, Musa Ramadani, erdhi në Tiranë për të dëshmuar fuqinë e tij krijuese, sidomos atë poetike që gjendet rrallë ndër shkrimtarë shqiptarë, duke u ndjekur nga një debat pothuaj historik në tre edicionet e çmimit. Ndërsa romani i tij “Profeti nga Praga” dedikuar si akt dashurie për letërsinë ka pasur një pritje të jashtëzakonshme tek lexuesi për stilin e tij, filozofinë, idetë qoftë në Shqipëri por sidomos në Kosovë. Ky shkrimtar hapi edhe debatin e madh, atë të integrimit të letërsisë së dy vendeve, duke treguar se sa “dobësi” kemi ende për të qenë në një akt të vetëm, unit letrar. Ramadani këtë vlerësim nga Shqipëria e ka quajtur “një kënaqësi, befasi e këndshme dhe përmbushje e një shprese nga atdheu amë”.

Profeti nga Praga, i dedikohet Kafkës; sa përmbatje biografike ka libri? Autori është përgjigjur: “Personazhet, ambientet, vendbanimet e tij dhe klubi “Arco” janë të dhëna dokumentare në 20%. Pjesa dërrmuese e romanit ka të bëjë me idenë, invencën, imagjinatën dhe intuitën në kuptimin kreativ”, duke shtuar se vepra e tij frymëzuar nga Kafka lindi nga dashuria e madhe për të. “Është roman (post)modern. Kafka përfaqëson frikën e luftërave botërore, shtypjen e individit, eksodin e popujve të vegjël, dhe vizionaritetin e shekullit 21”

Alfred Peza: Sarah

Alfred Peza, gazetar dhe publicist, vjen në kolanën letrare të Mapo Editions me një libër artistik “Sarah”, nga “Mapo Editions”, që i ka kushtuar pesë vite punë kërkimore nëpër Arkiva, hulumtime, hapje dosjesh pothuaj 100 vjeçare, derisa u bë gati me romanin e tij të parë. Një histori e rrallë e gruas më të mistershme e të përfolur, Sara Blloshmit. Peza në gjurmim të jetës së saj, identifikon Shqipërinë mes dy luftërave botërore, atë të Lindjes dhe Perëndimit; duke e konsideruar një roman emancipues dy personazhet e tij realë: Sara Blloshmi dhe Ahmet Zogu, “flasin” për gra të lira dhe burra të vërtetë…Një roman, që sapo doli në treg, pati një jehonë të jashtëzakonshme për vetë historinë, duke u vlerësuar dhe për stilin e rrëfimit, dhe përcjelljen e personazheve si karaktere, por dhe historinë e tyre. “Bëhet fjalë për Shqipërinë mes dy luftërave botërore. Personazhet kryesorë janë Ahmet Zogu, kryeministri-President dhe më pas Mbret i Shqipërisë. Sarah, bashkëshortja e Selahudin Blloshmit, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë dhe mbesa e Ismail Qemalit. Rreth tyre ka edhe shumë personazhe të tjerë realë ose të trilluar, të një Shqipërie që sapo kishte dalë nga nata Osmane, në kërkim të një identiteti të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Ka brenda tij intrigën e pashembullt të pushtetit, pasionin e fshehtë përvëlues dhe enigmën e madhe të një vrasjeje. Eshtë një libër emancipimi, për gra të lira dhe burra të vërtetë”, është shprehur Peza, në intervistë për suplementin letrar “Mapo”-s.

Rudolf Marku: Tre divorcet e Zotit Viktor N. (fitues i çmimit, Kadare 2015)

Krahas botimit të romanit Tre divorcet e Zotit Viktor N, nga kolana letare e “Mapo Editions”, Marku gjithashtu është fitues i vlerës monetare prej 10 mijë eurosh  duke u bërë kështu pagëzuesi i parë i çmimi letrar “Kadare”, me vlerën më të madhe monetare në Shqipëri, por njëkohësisht duke hapur një faqe të shkelur pak të letërsisë pos-komuniste shqipe. “Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor…”, ka shkruar Klara Buda. Në rastin e marrjes së çmimit, Marku është shprehur se “Më shkoi nëpër mend ajo enciklopedi e dijes njerëzore që quhet “Don Kishoti” i Servantesit dhe m’u kujtua një bisedë e Don Kishotit me Sanço Pançën, kur ky i thotë: ‘Në një konkurs letrar, artistik, gjithkund çmimi më i rëndësishëm është çmimi i dytë’. – Pse? – e pyet Don Kishoti. “Sepse çmimi i parë jepet për hatër, i treti për gjynah, ndërsa i dyti është më i sakti’…”. Ndërsa ka ripërsëritur bashkëpunimin me Mapo Editions, me botimin Antologjik të poezisë botërore “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme…” Janë 40 vite shqipërime poetike nga disa gjuhë, si dhe ato burimore, duke u konsideruar një ngjarje letrare, me autorë klasikë, të panjohur dhe shumë prej tyre të ardhur në shqip, në kohën e censurës…Janë 76 poetë me 126 tituj me prirje nga lirikat e dashurisë dhe poezinë alegorike, për të cilat Rudolf Marku “injoron” alarmin e vjetër mbi zhdukjen e poezisë…

Ben Blushi:  KM- Kryeministri

Janë tre botime bashkëpunuese që autori Ben Blushi ka realizuar me kolanën e Mapo Editions. Dhe UET Press. Bëhet fjalë për librin e fundit “KM -Kryeministri”, prezantuar në panairin e vitit të kaluar, Kandidati nga UET Press, 2015, si dhe Shqipëria nga Mapo Editions, 2011

Të tri botimt kanë hapur debate të jashtëzakonshme në Tiranë, duke intriguar jo vetëm për formën romanore, por edhe historinë e personazhet që ka prekur. Ngjarje që e kalojnë këtë autor në anën e shkrimtarëve që luan e bën ironi duke ardhur nga një përvojë politike, e bën më të mprehtë vështrimin e tij mbi një ngjarje letrare. Libri më i fundit “Kryeministri” mban një rrëfim që vjen nga historia e kryeministrit që për të fituar zgjedhjet planifikoi një atentat kundër vetvetes. Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e vitit 2021, kur një ushtar i akuzuar për bashkëpunim me organizata terroriste dhe i sapokthyer nga Afganistani, pranon të marrë pjesë në atentat duke e vrarë kreun e qeverisë… Përqasja e dy realiteteve; të Shqipërisë dhe të Afganistanit, mënyra e jetesës dhe zgjidhja e alternativës së kultivimit të drogës si mënyrë jetese, – janë aspekte tronditëse, që rrëfehen përmes personazhit që do të jetë një shërbëtor besnik i shtetit. Këtu personazhi i romanit vendos të braktisë familjen dhe të jetë besnik i ligjit.Pakkush do të gjejë Kryeministrin që mendojnë në këtë roman të Ben Blushit, por shumëkush ka të drejtë të dyshojë realisht se Shqipëria e vitit 2021 do të ketë të njëjtat trajektore dhe të njëjtat skenare të mundshme si ato që parashikohen në librin e Blushit. Leximi si një fiction, pa paramendime dhe paralelizma të realitetit që jeton autori i romanit, e shpëton veprën dhe i jep lexuesit fuqinë për ta përpirë menjëherë romanin, fati i të cilit sot kushtëzohet nga pikëndarja mes botës së autorit dhe botës së veprës artistike.

Maks Velo: Klubi i Karavastasë

Ka qenë një nga veprat që ka krijuar tek lexuesi një kuriozitet të rrallë mbi histori që merr lëndën nga koha e komunizmit, pak autobiografikë për shkak të jetës nëpër të cilën ka kaluar autori, i persekutuar nga regjimi. “Klubi Karavasta”, botim i tretë, është sjellë për lexuesit pas 12 vitesh nga pjesa e parë e këtij romani botuar në vitin 2004. Ngjarjet në këtë roman zhvillohen për një periudhë të rëndësishme dhe dramatike të Shqipërisë, mes viteve 1992 – 2002.

“Po Mesazhi ishte pa histori, pa legjendë. Kishte vetëm një ngjarje që asnjërit nuk i hiqej nga mendja, dhe fëmijët e vegjël e mësonin nga gjyshet. Nuk ishte legjendë ishte ngjarje e vërtetë. Ishte mbytja në kënetë e Elsës në vitin 1972. Kjo ishte hapësira e askujt, fati i askujt, lumturia e askujt, brenga e askujt. Por dënimi i të gjithëve. Ngulimi tjetër tetë kilometra më larg quhej Haskujtas, toka e askujt. Horizontin e mbyllte Karavastaja…” – ky qytet i përshkruar nga Maks Velo në librin e tij, të botuar e ribotuar, “Klubi Karavasta”. Një histori, që për shumë arsye, ka vendosur të sjellë botimin e tretë por me një pjesë të dytë të plotësuar. Velo është shprehur se ky roman, në fillim, lindi si novelë, ndërsa tani po e boton të plotë, në dy pjesë. Pjesa e parë është botuar nga “Korbi”, viti 2004, dhe ribotuar nga Toena, 2014, sipas shkrimtarit, pa asnjë ndryshim.

Vera Bekteshi: Ora me rërë

Vera Bekteshi me romanin “Ora me rërë”, me të cilin konkurroi për çmimin Kadare 2016, ka hyrë në kolanën e Mapo Editions, duke shënuar një moment të rëndësishëm, në pasurimin e letërsisë së kujtesës, e sidomos të periudhës së komunizmit, duke qenë vetë protogranistja e rrëfimit. Të lindur në diktaturë, me fate diametralisht të kundërt janë ende histori të asaj njolle biografike që kanë mbetur si memorie e pathënë plotësisht. Vera Bekteshi  rrëfen këto  ngjarje në një distancë kohe, por e përfshirë në përgjegjësinë për ta dëshmuar kohën e saj nën diktaturë. Në një simbiozë kujtesë, vjen ky “pallat” i ndërtuar nga të burgosurit politikë, sipas një modeli rus të viteve ‘ 50-të duke u shndërruar në shenjë të jetës së të rinjve. Për këto ndjesi vërtetësie flet Vera Bekteshi, për të krijuar si çdo shkrimtar afrinë me lexuesin. Në historinë e shkrimit të tij Bekteshi rrëfehet: “Ky libër më ka munduar shumë. Kam 3 vjet që merrem me të dhe e kam shkruar që vitin e parë, por për shkak të strukturës, të trajtimit të njeriut “pa dekor”, mua më është dashur të vuaj për ta realizuar. Libri kryesisht flet për kohën e sotme, për të ashtuquajturën kohë moderne. Koha moderne karakterizohet nga ekstremet e saj që do të thotë ose gjithçka caktohet si çështje morale ose çështje morale s’ka fare. Ose nuk bëhet asnjë kompromis, ose ka vetëm kompromise. Unë mendoj që si në çdo kohë dhe kjo kohë mbase nuk është më e vështirë, por ne na duket e tillë pasi kemi kaluar disa sisteme, e vetmja gjë që na ngelet është të qëndrojmë”

Mimoza Ahmeti: Libri i Lumturisë

Me një kopertinë provokuese, estetikë dhe imazh poetja Mimoza Ahmeti ka hyrë në kolanën e “Mapo Editions”, pas disa vite shkëputjeje me “poezitë metafizike”, krijime të reja: “Libri i Lumturisë ose lulet e fjetura”. Ahmeti e ka quajtur “Libri i lumturisë” duke e konsideruar një libër që kërkon botën, imagjinatën, ëndrrën që nuk identifikohet me një qëndrim ideal, besim apo njeri, qoftë kjo edhe dashuria. Ky libër i Ahmetit, në dallim nga dy vëllimet e tjera me poezi “Delirium”, 1994, apo “Pjalmimi..” 2002, është bartëse dhe reflektuese e elementëve të rinj kuptimorë. Nga kuptimet që e drejtonin më parë, sikur të qenë në natyre, për poeten tashmë e sqaronin që nuk ishin natyrë. “Kuptimet janë interpretime. Interpretimet janë struktura sociale, janë kraftë, janë laqe historike ku kapemi, ngecemi, endemi e dëshpërohemi dhe shpesh jeta humbet sensin për kurrgjë. Ky libër i jep rëndësi jetës, si një media transmisioni pafundësie, ku funksioni social i saj është vetëm njeri, por jo gjithçka”. Ndaj metafizika e kësaj poezie të re, është e lidhur me trendet e reja mendore e sjellje të njeriut të sotëm, në zgjerimin e lirisë së tij nëpërmjet humbjes së identitetit,me rënien e tij metafizike, me humbjen e gjërave më të shtrenjta, thotë poeteja, me të cilat ai identifikohet. “Këtë libër e quajta të Lumturisë sepse ai më dha shumë elemente kuptimore të reja; kuptimet të cilat më drejtonin më parë sikur të qenë natyrë, tashmë më sqaronin që nuk ishin natyrë. Kuptimet janë interpretime. Interpretimet janë struktura sociale, janë kraftë, janë laqe historike ku kapemi, ngecemi, endemi e dëshpërohemi dhe shpesh jeta humbet sensin për kurrgjë….”

Preç Zogaj: In Love- 101 poezi dashurie

Dikush thotë se kur shkruan një libër me poezi është si të hedhësh një petal trëndafili në kataraktin e Niagarës. Si çdo ujëvarë me zhurmim të jashtëzakonshëm, tonelata uji që përplasen – kështu thotë shkrimtari Rudolf Marku është edhe poezia e Preç Zogajt, si hedhja e petalit në Niagarë, si dëgjimi i rënies së këtij petali. Ky është libri poetik. Rikthimi herë pas herë në zanafillë, e bën edhe sot Zogajn në moshën 60-vjeçare një poet par exelence, një poet që s’ndërron moshë ku vjen fjala tek ndjeshmëria. “In love-101 poezi dashurie” është përmbledhja që takon poetin sërish me lexuesin e rinisë, atyre që ndjekin pasionet. Libri i tij, është shoqëruar nga fjala e Gëzim Bashës e vlerësuar si një tekst unik se si mund të shihen poezitë e dashurisë. Ky libër vjen në pritje të panairit të librit dhe është  përfshirë në kontekstin e strukturës së ndërtuar pranë UET me idenë e ngritjes të një klubi të letërsisë kontemporane shqipe, me takime periodike duke kulmuar tek hapja e degës së letërsisë së Universitetit Evropian të Tiranës.

“Në traditën evropiane poezia e dashurisë është konflikti mes tundimit sensual ndaj femrës, ose e kundërta, dhe përjetimit shpirtëror. Nga ky konflikt lind një tension metafizik që krijon edhe poezinë e dashurisë. Tek Preç Zogaj poezia është zbulim si për herë të parë, ose krijimi për të parit e universit. Kjo mahnitje  e zbulimit për herë të parë, ngazëllimi apo pasiguria – të gjitha, bëjnë një kompleks ndjenjash, ato të zbulimit e krijimit të universit…Poezitë meditative kanë dashuri, fund e krye”, ka thënë kolegu i tij, shkrimtari Rudolf Marku në promovimin e para pak ditëve.

Përgatiti: V.M

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse njerëzit e besojnë horoskopin?

A e dini pse disa njerëz kanë tendencën për të besuar te...
Read More