“Pandeli Majko, vetëm një ndër të paaftët e Rama II”

Agjenda liberale/ 8

Drejtori i Institutit “Pashko”, Besart Kadia, replikon me ministrin e Shtetit për Diasporën për deklaratën e tij se hapja e kufirit Shqipëri-Kosovë pengohet nga biznesmenët. Sipas Kadisë, me këtë qëndrim Majko tregoi se kryeministri i tij është ose gënjeshtar, ose i pafuqishëm, ose i paaftë, ose akoma më keq, i korruptuar

Nga Besart Kadia

Dy lajme bëri Pandeli Majko javën që shkoi: Së pari, tha se biznesi pengon lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe së dyti, prej kësaj deklarate na solli në vëmendje se qenka ministër Diaspore në qeverinë Rama II. Në katër vitet e shkuara Kryeministri Rama është kujdesur personalisht se kush duhet të dalë në media në emër të qeverisë e falë njëanshmërisë e kurimit mediatik jehona që vinte ishte e një qeverisjeje profesionale.

Por sot në 100 ditët e para më të turbullta që ka parë Shqipëria e tranzicionit ne pamë nëpërmjet një deklarate të lehtë gati naive sa për të soditur nga brenda kaosin që mbizotëron në qeverinë Rama II. Kjo pasi vetëm para pak javësh Rama II deklaroi se qeveria shqiptare i shihte takimet me qeverinë e Kosovës si të domosdoshme dhe me rezultat pozitiv për qytetarët e dy vendeve. Por me argumentin e Ministrit Majko ne kemi një zë të brendshëm që deklaron se këto takime janë kryekëput pa rezultat e të dështuara. Pyetja është përse?

Çfarë tha konkretisht Ministri për Diasporën Pandeli Majko? Majko në emisionin “Përballë”, te Lutfi Dervishit ne TVSH,  tha se “Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi. Sikur ta vendoste në fokus të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”.

Dhe teksa lexon këtë deklaratë fillon të tronditesh se si akoma dhe sot ka politikanë socialistë që mendojnë se biznesi është në nivelin e krimit, se biznesi keqtrajton politikën e se biznesi pengon progresin. Këta politikanë thonë se biznesi qenka i korruptuar e kriminal e që abuzon në kurriz të politikës dashamirëse dhe të pakorruptuar. Ciceroni do të përdorte shprehjen e famshme “O tempora o mores” për të shprehur keqardhjen për korrupsionin dhe ligësinë e kohës.

Biznesi, i nderuar ministër dhe tregu janë arsyet e vetme përse ka shkëmbim mes Shqipërisë e Kosovës dhe jo mbledhjet e padobishme mes ministrave shqiptar e kosovarë. Po, bizneset janë të gatshme të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përfituar ligjërisht. Ata bëjnë çmos për të maksimizuar të ardhurat e tyre. Ata sillen në mënyrë etike nëse institucionet ku ata operojnë janë efikase e profesionale. Por jo, bizneset, jo vetëm ato shqiptare por edhe ato ndërkombëtare, sillen në mënyrë jo etike në rast se politikanët janë të korruptuar. Ndryshe nga gjykimi juaj, ky nuk është shfrytëzimi që biznesi i bën popullit i nderuar Ministër, por është shfrytëzimi i votës së qytetarit nga ana e politikanëve për t’u pasuruar. Biznesi do ta gjente rrugën për të bërë para biles edhe më mirë nëse nuk do të kishte politikanë të korruptuar sepse është vetë natyra e tij. Kurse një politikan mund të pasurohet vetëm nëse ekziston korrupsioni sepse kjo është vetë natyra e tij.

Paaftësia dhe burokracia e qeverisë shqiptare është e njohur. Por kjo vërtetohet dhe për rastin e shkëmbimit të lirë të mallrave e njerëzve me Kosovën që ju shpreheni i shqetësuar. Pavarësisht mbledhjeve mes dy qeverive Ministria e Ekonomisë së Kosovës akuzon se “vitet e fundit është vërejtur një vëllim i shtuar i vendosjes së barrierave nga ana e Shqipërisë karshi Kosovës”. I nderuar Ministër Majko, këto barriera vijnë për shkak të politikës e qeverisë që Ju përfaqësoni. Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehet se “marrëveshjet e bëra në fushën e bashkëpunimit nuk kanë arritur efektet e duhura për shkak të barrierave që vendet iu kanë vënë njëra-tjetrës edhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve”. Pyetja që shtrohet është se përse i vendos qeveria këto barriera? Nëpërmjet qëndrimit tuaj, i nderuar Ministër Majko ju po thoni se Kryeministri juaj është ose gënjeshtar, ose i pafuqishëm, ose i paaftë, ose akoma më keq, i korruptuar. Cilado që të jetë e vërtetë nga katër arsyet e mësipërme detyron qeverinë ose ju ministër Majko të tërhiqeni nga mendimi absurd që keni shfaqur se biznesi po mbyt politikën.

Mallrat Serbe e Maqedonas vijnë në Shqipëri më shumë e më lirë se mallrat e Kosovës. Mallrat e Shqipërisë shkojnë në Kosovë më pak se mallrat e Serbisë e Maqedonisë. E gjitha kjo ndodh, i nderuar ministër Majko jo për shkak të ndonjë takimi bilateral mes qeverive të këtyre vendeve, por sepse tregu është i shpejtë e efikas për të ndërtuar ura aty ku s’ka e për të lidhur njerëz të kulturave e etnive të ndryshme aty ku politika nuk do. Kur ju shkoni në supermarket e blini mallin më të lirë e më të mirë Ju nuk pyesni nëse është i Kosovës, Amerikës apo i Serbisë. Ju shikoni çmimin, cilësinë dhe të ardhurat tuaja personale. Të njëjtën gjë bën çdo qytetar shqiptar. Ndaj para se të shikoni se ç’faj kanë bizneset shqiptare e kosovare shihni se çfarë shtrati institucional ka ndërtuar qeveria juaj për biznesin? Ndaj më duhet t’ju pyes se a e dini ju zoti Majko se në Shqipëri operojnë vetëm 380 biznese nga Kosova dhe vetëm 930 biznese nga Shqipëria operojnë në Kosovë? A e dini ju se janë 31 mijë biznese shqiptare në Itali? Këto shifra mjaftojnë që ju të bëni kujdes kur fajësoni biznesin përpara se të fajësoni shtetin e burokracinë e tmerrshme që ju përfaqësoni, të ndërtuar për shkak të politikës e politikanëve të paaftë. Për më tepër Oda Amerikane e Tregtisë në Kosovë shprehet se bizneset me origjinë nga Kosova nga sektori i shërbimeve, teknologjisë së informacionit qëndrojnë të hapura “vetëm një ose dy vjet në Shqipëri pasi mbijetesa është pothuajse e pamundur në një periudhë më të gjatë”. A e dini ju se numri i bizneseve shqiptare në Kosovë është rritur nga periudha kur qeveria juaj ka ardhur në pushtet vetëm për t’iu shmangur rritjes së taksave e taksës keqdashëse progresive? A e dini ju se sërish vitin e shkuar kemi humbur vend në renditjen e të bërit biznes të Bankës Botërore për shkak të politikave të gabuara ekonomike? A e dini ju se shteti që ju drejtoni renditet në vendin e 125-të për sa i përket pagesës së taksave në botë e Kosova në vendin e 45-të? A e dini ju se jemi vendi i 120-të në botë për sa i përket respektimit të kontratës e Kosova në vendin e 49-të? A dini ju se shteti që ju drejtoni është në vend të 103-të për sa i përket regjistrimit të pronës private e Kosova në vend të 34-rt? Zoti Majko ju treguat pa dashje se jeni përfaqësues i një qeverie që koha i ka shkuar e që dini të fajësoni këdo përveçse të shihni fajin tuaj. Përpara se të akuzoni bizneset duhet të siguroheni që ekonomia shqiptare të ketë minimalisht të njëjtat institucione e nivel taksash si Kosova e më pas të bëni show me marrëveshje bashkëpunimi e me deklarata prej politikanësh të paaftë që thonë se biznesi pengon zhvillimin mes Shqipërisë e Kosovës. Siç do të thoshte Ciceroni: O tempora o mores.

Hapja e kufirit, Majko: Biznesi pengon lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, bëri një deklaratë të fortë në RTSH, duke zbuluar arsyen që e pengon lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Pas nesh qëndrojnë bizneset dhe bizneset na thonë ‘prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua koncesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, nuk më duhet mua politika, se më intereson më mirë të hyjë malli nga ky drejtim se sa nga ai drejtim…’. Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi. Sikur ta vendoste në fokus të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”, –tha Majko në emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit. Ministri i Shtetit për Diasporën i qëndron idesë se porti i Shëngjinit është një premtim i pambajtur. “Duhet ta kishim dhënë prej kohësh, nuk u bë realitet. Nëse sot Kosova do ta kishte portin e Shëngjinit gjërat do të ishin shumë ndryshe, qoftë në Shëngjin, qoftë në pikëpamje të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën”, u shpreh ai në RTSH.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“S’më la Rama të sqaroj: Teatri të ndërtohet vetëm nga shteti, jo me privat”

Projekti për godinën e Teatrit Kombëtar mbledh sërish aktorët, jo të gjithë,...
Read More