Papa Françesku dhe martirët në komunizëm

Romeo GurakuqiTridhjetë e tetë shqiptarë të vrarë nga regjimi ateist i epokës sovjetike do të lumnohen

Artikull i botuar në Wall Street Journal, më 19 maj 2016

Nga Romeo Gurakuqi*

Një grup prej 38 katolikësh shqiptarë, të gjithë të vrarë nga viti 1945 në vitin 1974 nga regjimi komunist tani janë një hap më afër shenjtërimit. Papa Françesku miratoi në muajin prill shpalljen e tyre të Lumë Shërbëtor të Hyjit, një status që i bën ata ndërmjetës të njerëzve që luten në emër të tyre. Kjo shënon gjithashtu rastin e parë kur Selia e Shenjtë i njeh ata zyrtarisht si martirë.

Ndonëse 38 shërbestarët katolikë vuajtën për besimin e tyre, ata qëndruan të palëkundur në besimin dhe angazhimin për mbrojtjen e lirisë në Shqipëri. Kjo i bën përpjekjet e tanishme të qeverisë për t’i përjashtuar katolikët nga jeta sociale dhe politike shumë më të papranueshme. Komunitetet fetare, veçanërisht Kisha Katolike janë persekutuar shpesh nga regjimet që kanë kërkuar të konsolidojnë pushtetin e tyre. Por diktatori mizor i kohës së komunizmit, Enver Hoxha, shkoi më larg se kushdo, duke arritur kulmin me shpalljen në vitin 1967 të Shqipërisë, si vendi i parë ateist në botë. Nuk është koincidencë që shumica e të saposhpallurve martirë ishin priftërinj. Enver Hoxha i kishte rezervuar një zemëratë të veçantë klerit katolik të vendit – liderëve shpirtërorë, intelektualë dhe fetarë të një minoriteti që përbënte diçka më shumë se 10 për qind të popullsisë. Urrejtja e tij buronte pjesërisht prej rolit kryesor që kleri kishte luajtur në rilindjen politike dhe kulturore të Shqipërisë. Shumica e priftërinjve shqiptarë ishin shkolluar në universitetet e huaja dhe përfaqësonin një pjesë vitale të elitës intelektuale të vendit. Nën moton “Fe dhe Atdhe” kleri promovoi një patriotizëm reformist tradicional që kërkonte të mbronte zakonet vendore ndërsa vijimisht synonte integrimin e Shqipërisë në kulturën e Europës Perëndimore. Ata kërkonin një shtet të lirë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht besimit fetar, apo statusit shoqëror të tyre. Si të tillë ata ishin një kërcënim serioz për sundimin komunist. Persekutimi që vuajti Kisha Katolike ishte i gjithanshëm, pika më e lartë e të cilit u arrit në vitet e para të regjimit (1945-1948) dhe gjatë viteve të “Revolucionit kulturor shqiptar” (1967-1968), pikë në të cilën institucionet dhe veprimtaritë fetare u ndaluan me ligj. Dëmi i shkaktuar në vitet ‘60 është i papërshkrueshëm. Të gjitha asetet materiale të kishës u konfiskuan, ose u shkatërruan plotësisht, ndërtesat u rrafshuan ose u shndërruan në objekte, që u përdorën për qëllime të ndryshme. Këtu përfshihen edhe shumë kisha të ndërtuara nga urdhrat domenikanë apo françeskanë kur ato erdhën në Shqipëri në shekullin XII, një burim domethënës kulturor dhe historik krenarie për banorët vendës. Aktiviteti misionar u paralizua dhe priftërinjtë u burgosën ose u vranë. Statistikat zyrtare të kishës thonë se 228 klerikë u morën në hetime, u internuan në kampe ose u burgosën. 139 klerikë u ekzekutuan ose vdiqën në burgje. Në total liderët katolikë kaluan 1250 vite në burgje apo në kampe përqendrimi. Në vitet e para të diktaturës, struktura arsimore e kishës u shkatërrua. Më pas kontributi i klerit katolik në kulturën shqiptare – që para pushtimit osman deri në kohët moderne – u mohua me ngulm. Regjimi u përpoq në mënyrë të veçantë të zhdukë rolin e klerikëve të spikatur shqiptarë të kishës në, histori, letërsi, në themelimin e shkollave të para në gjuhën shqipe dhe në shtetformim. Në të njëjtën kohë, shteti zhduku nga librat e historisë, çdo përmendje të kontributit të priftërinjve katolikë në ndërtimin e shtetit shqiptar. Kjo është e trishtueshme duke qenë se një peshkop katolik, Imzot Luigj Bumçi, udhëhoqi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 dhe në konferencat pasuese të ambasadorëve, që çoi në rinjohjen e Shqipërisë si shtet. Trashëgimtarët politikë të lidershipit komunist, Partia Socialiste, ende nuk kanë kërkuar falje për persekutimin e Kishës Katolike dhe klerit të saj. Në vend të kësaj katolikët janë përzënë heshturazi nga pozicionet në administratë apo diplomaci gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste. Kur partia e majtë qeverisëse vendos katolikë në listat e saj për deputetë, ajo zgjedh katolikë periferikë, disa me të kaluar jo të qartë, për të diskredituar komunitetin katolik dhe lënien e tyre pa përfaqësues realë. Dhe për tre vjet, pa shpjegim, qeveria shqiptare ka dështuar të dërgojë dikë si ambasador në Selinë e Shenjtë – një detyrë të cilën edhe Iraku e ka kryer më mirë. Dhënia e statusit të martirit nga ana e Vatikanit për 38 katolikët shqiptarë duhet të shihet si një konfirmim i kapitullit të errët në historinë e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ky pranim është gjithashtu një shenjë e mbështetjes dhe thirrje për ri integrimin e vërtetë të popullatës katolike në jetën politike, administrative dhe sociale të vendit – një integrim që është ndërprerë kur pasardhësit politikë të diktaturës kanë qenë në pushtet.

*profesor i historisë në UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Destinacioni i kësaj vere është shtëpia jote

-Albanian Stories Nga Rudina Xhunga Tani që reforma në drejtësi kaloi, ajo...
Read More