Papa Françesku, lëtër kardinalit shqiptar Imzot Ernest Troshanit

Papa Françesku i ka shkruar një letër kardinalit Ernest Simoni-Troshani. Po ju njohim, më poshtë, me përmbajtjen e letrës papnore, botuar sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë:

Siç dihet, më 15 korrikun e kaluar u botua lajmi mbi emërimin e kardinalit Ernest Simoni si i Dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë në shugurimin e Kishës së re, kushtuar Shën Terezës së Kalkutës, në qytetin e Prishtinës (Administratura Apostolike e Prizrenit), që do të kremtohet më 5 shtator 2017.

Të nderuarit Vëllait tonë Ernest Simoni, kardinal Diakon i Kishës së Shenjtë të Romës me titull “Shën Maria e Shkallës”

Ndërmjet shenjtorëve të ndritur, një vend të veçantë zë Shën Tereza e Kalkutës, e mirënjohur nga të gjithë për flijimin e saj në shërbim të njerëzve më të varfër e më të ligshtë, të cilët i ndihmoi e i mbrojti. Prej këndej, për nder të Saj, në Prishtinë u ndërtua Shenjtërorja, ku besimtarët do të mblidhen jo vetëm për kremtimet e liturgjisë së shenjtë e për marrjen e sakramenteve, por edhe për t’ia lartuar virtytet e Saj e për ta ndjekur shembullin e Saj.

Që ky Tempull të jetë sa më i përshtatshëm, do të shugurohet, edhe për t’u  ndjerë më fort në të, prania e Shën Terezës, kur besimtarëve, që mblidhen këtu për të ofruar flijime, u shpallet Lajmi i Mirë i Ungjillit dhe u paraqiten veprat e saj të mira. Kështu do ta kenë edhe më tepër mbrojtjen dhe përkrahjen e Saj.

Për ta kryer këtë rit në mënyrë sa më të lumnueshme, vendosëm të dërgojmë përfaqësuesin tonë.

Ty, i nderuari Vëllai ynë, Bir i këtij Populli, po të  emërojmë dhe po të shpallim të Dërguarin tonë të jashtëzakonshëm.

Prandaj, do të kryesoni liturgjinë e shenjtë, ndërsa Vëllai i Nderuar Dodë Gjergji, Administrator Apostolik i Prizrenit, do ta shugurojë, më 5 shtator, me rit solemn  këtë Tempull të shenjtë kushtuar Shën Nënë Terezës së Kalkutës.

Theksoj se kjo Shenjtërore e bukur duhet të ndihmojë për  përforcimin e fesë së vërtetë të besimtarëve. Me kënaqësi e shtrijmë Bekimin Apostolik, së pari mbi Ty,  e përmes Teje, në emrin tonë, mbi gjithë të pranishmit, që ky bekim,  me ndërmjetësimin e së Lumes Virgjër Mari e të Shën Terezës, të jetë gurrë hiresh të larta për përtëritjen e shpirtrave, ndërsa ne, me pushtetin e Shën Pjetrit, i bashkuar në lutje, urojmë që ky bekim të jetë sa më i  frytshëm.

Prej Selisë së Vatikanit, 1 gusht 2017, viti i pestë i Papnisë sonë. Françesku    

Shkruar Nga
More from Redaksia

Presidenti Meta, ngushëllime për viktimat e terrorizmit në Barcelonë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat më...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.