Paradoksi i fiksimit me dasmën mbretërore

Nuk e kuptoj se pse dikush në Britani, ose dhe kudo tjetër nëpër botë, mund të dojë t’ia dijë për dasmën mbretërore. Megjithatë, ja ku jam, duke klikuar pa pushim çdo artikull, duke parë me kujdes detajet e duke pritur ditën e madhe.

Fakti që ne i adhurojmë të pasurit me madhështinë e tyre, në të njëjtën kohë që ankohemi pa pushim për pabarazinë që i ka vënë ata aty ku janë, është një paradoks që i bën një përmbledhje gjendjes së botës së sotme.
Mund të mendoni se në një epokë me pabarazi ekonomike, ndërkohë që ndjenjat populiste sa vijnë e rriten, nuk ka njeri që do të dojë t’ia dijë për princër e princesha, apo jo? E shumta, mund të jenë burim acarimi për ne. Fundja, e dinit që përveçse u është shtuar pasuria në 88 miiardë, familja mbretërore britanike i ka shumë prej shpenzimeve të mbuluara nga taksapaguesit?

Dhe kjo bëhet pavarësisht faktit që Britania iu përgjigj krizës ekonomike me shtrëngime fiskale, aq sa instituti i Studimeve Fiskale raportoi se buxheti i Mbretërisë së Bashkuar për vitin 2018 është i njëjtë si ai i 10 viteve më parë. Sipas “The Independent”, grupi kryesor i ekspertëve ekonomikë në Britani thotë se shkurtimet në buxhet e kanë lënë shëndetësinë, arsimin dhe sistemin e burgjeve në gjendje shumë delikate, dhe shpenzimet publike i kanë çuar në nivelet tipike që hasen përpara një krize financiare.

Edhe në SHBA, dasma mbretërore mbulohet nga të gjitha mediat. Pavarësisht faktit që ky komb është themeluar, kryesisht, në shenjë rebelimi kundër autoritetit arbitrar të monarkisë. Sado republikë jo e përkryer të jenë SHBA-të, njerëzit aty kanë arsye të adhurojnë jetën e personaliteteve të famshëm. Mendoj se këtu buron edhe fiksimi me familjen mbretërore, që në një kohë pabarazie ekonomike dhe mospajtimi politik, ndoshta shpresa e vetme na duket hedhja e papritur në një kështjellë mbretërore.

Të punosh fort nuk të jep asnjëherë aq sa duhet, dhe sot po jep më pak se kurrë. Në SHBA po bëhet çdo ditë e më e vështirë të ngjitesh në shkallën ekonomike, sidomos kur e nis nga nivelet më të ulëta. Një studim i ekonomistëve në Universitetin e Masaçusets zbuloi se mundësitë për të kursyer para i kanë vetëm ata që nuk ia nisin nga zeroja, por që kanë një farë përparësie ekonomike në çastin kur fillojnë punë.

E njëjta gjë edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Kërkimet kanë treguar se mundësitë varen nga pozita gjeografike. Mundësitë për të bërë përparime ekonomikisht dhe shoqërisht, janë më të kufizuara nëse ke lindur në disa pjesë specifike të vendit. Për shembull, fëmijët e lindur në zonat rurale të Britanisë kanë më pak gjasa që të ngjiten në shkallën ekonomike, sepse atje kanë më pak shkolla të mira, më pak vende pune dhe më pak transport publik.

Në të njëjtën kohë, tani dukemi më të fiksuar se kurrë me pasurinë, edhe në trajtat më tejskajshme. Sipas një kërkimi nga Mark Penn, 69% e Amerikanëve besojnë se “vlerat amerikane kanë rënë, dhe për këtë fajësojnë korrupsionin politik, materializmin gjithnjë e në rritje, vlerat familjare gjithnjë e në rënie dhe fiksimin me jetën e personaliteteve”.

Shikueshmëria e “Keeping up with the Kardashains” u rrit prapë, pasi kishte rënë për fare pak kohë. Njerëzit e shohin këtë shfaqje “reality” më shumë se sa shohin lajmet. Sigurisht, SHBA-të e çuan fiksimin me personalitetet e kamur në një tjetër nivel kur zgjodhën presidentin e tanishëm. Një sondazh, madje, tregoi se amerikanët besojnë që të pasurit trashëgojnë një nivel më të lartë inteligjence dhe janë më punëtorë si natyrë, edhe pse thoshin që presidenti bën përjashtim.

Pra, a nuk është toleromi dhe fiksimi me dasmën mbretërore një shprehje konkrete e këtij paradoksi?

Edhe vetë Princi Harry e Meghan Markle duket se e kuptojnë kontrastin që përçon dasma e tyre në realitetin e sotëm, duke zgjedhur një festim më modest. Por nuk po na bëjnë nder me këtë. Tashmë që jemi futur në këtë fantazi, pse të mos zhytemi kokë e këmbë? Të pasurve vazhdojmë t’u falim taksa, ndërkohë që fondet për shëndetësinë kërcënohen se do të shkurtohen, bashkë me përkrahjen shoqërore dhe arsimin.

Në këtë pikë, edhe unë do të doja të përhumbesha në një karrocë të stolisur, të vishja rroba miliona dollarëshe, dhe të përfytyroja me sy hapur se një ditë do të jem edhe unë si ata. Në një shoqëri me pabarazi të lartë ekonomike, e cila heq shpresat e njerëzve, ndryshimi i politikave aktuale është e vetmja përgjigje, ndërkohë që fantazia është një vend joshës që të fton t’i ikësh realitetit.

S’ka rëndësi se kush e paguan. S’ka rëndësi fakti se kur i japim vëmendje, ne e përforcojmë dëshirën për të qenë në krye të ekonomisë. Problemi më i madh është që po lëmë pa vënë re pabarazinë e kësaj strukture ekonomike që po na lëndon të gjithëve.

Sally Kohn, CNN

Shkruar Nga
More from Revista User

Rriten tensionet Ukrainë – Serbi

Serbia e ka ftuar ambasadorin e saj në Kiev për konsultime, pasi...
Read More