Paradoksi i taksave liberale dhe shpenzimeve puniste të Bashës

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha duket se ka vetëm një kalë beteje në këtë fushatë zgjedhore. Është premtimi i tij për uljen e taksave deri në 9%, ose e thënë ndryshe rikthimin e taksës së sheshtë. Kjo vihet re në të gjitha takimet elektorale që ai zhvillon, por, edhe sa iu hedh një sy broshurave të ndryshme që përmbajnë programin elektoral të Partisë Demokratike, gjëja e parë që sheh është pikërisht kjo mënyrë taksimi.

Deri këtu është çdo gjë në rregull, të gjithë jemi dakord të paguajmë më pak taksa, aq më tepër në një shtet që nuk shquhet për efikasitetin e përdorimit të tyre dhe rikthimin e taksave në formë shërbimesh që lehtësojnë zhvillimin e ekonomisë. Taksat e ulëta të tij janë për t’u përshëndetur si një instrument për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare.

Mirëpo, paradoksi në të gjithë retorikën e fushatës zgjedhore që po zhvillon Kryetari i Partisë Demokratike janë shpenzimet publike të mëdha që premton, duke na propozuar një shtet social të cilin do ta kishin zili dhe fanatikët më të mëdhenj të socializmit dhe etatizmit.

Me taksën 9%, Lulzim Basha premton se do të ndërtojë kopshte, shkolla, spitale, do të hapë mijëra vende pune, rritjen e pagave, rritjen e pensioneve minimale, faljen e borxheve të pagesave elektrike, rritjen e asistencës sociale etj. Po me këto taksa minimale, në një takim elektoral me disa të rinj, të cilët shqetësimin kryesor të tyre kishin arsimin, nuk nguroi të premtonte gjithashtu shpenzime buxhetore që do të siguronin uljen e tarifave, shtimin e numrit të pedagogëve, dreka falas për studentë e nxënës të niveleve të ndryshme dhe, në fund e mbylli fjalimin duke u shprehur: “ne jemi forcë e djathtë dhe besojmë te liria e tregut”.

Por, nëse vërtet zoti Basha dhe partia që ai drejton besojnë te lira e tregut dhe liberalizmi, duhet t’u sqarojnë qytetarëve se është pikërisht kjo liri që siguron të gjitha ato premtime që ai përmend dhe jo ndërhyrja masive siç premton ai të shtetit në ekonomi.

Asnjëherë më parë, një parti e djathtë nuk ka patur një retorikë kaq agresive kundrejt sektorit privat. Mjafton këtu të përmendim sulmin që zhvillon sa herë që i jepet mundësia ndaj universiteteve private. Në takimin e tij me të rinjtë, zoti Basha merrte si shembull modelin ekonomik dhe arsimor amerikan, por harronte t’iu thoshte studentëve se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kushtetutën e saj nuk ekziston asnjë e drejtë pozitive që parashikon ndërhyrjen e shtetit për t’i realizuar ato. Po ashtu, universitet amerikane të renditura në vendet e para në rankimin botëror të cilësisë janë të gjitha private.

Çfarë kontradikte e taksimit të djathtë dhe premtimeve të majta!

Përtej debatit nëse është më mirë taksimi i sheshtë apo ai progresiv, ajo që është shqetësuese në të gjitha premtimet elektorale të Partisë Demokratike është se vendit i mungon një forcë e vërtetë politike liberale që të artikulojë rëndësinë e një shteti minimal dhe një ekonomie që bazohet te liria e tregut, e cila kudo që është vënë në funksionim ka sjellë zhvillim dhe mirëqenie. Partia Demokratike që pretendon se është një force e djathtë ka rënë pre e populizmit dhe humanizmit. Ndoshta të gjitha opozitat janë të majta duke u munduar në këtë mënyrë të joshin qytetarët me idenë se shteti do të zgjidhë të gjitha problemet dhe duke propozuar modelin e politikanit profet.

Megjithatë, qytetarëve fare mirë mund t’iu shpjegohet se si taksat e ulëta, konkurrenca dhe liria e tregut është një model zhvillimi që është totalisht i kundërt nga këto premtime pa bazë ekonomike dhe mbi të gjitha, pa bazë ideologjike.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ngërçi, opiumi i intelektualëve…

“Çadra” dhe ngërçi politik i tri muajve të fundit ka nxitur një...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *