Paraguaji, i dyti ndjekës i Amerikës. Zhvendos ambasadën në Jeruzalem

Paraguaji hapi Ambasadën e tij në Jeruzalem këtë të hënë, duke u bërë vendi i dytë që ndjek shembullin e Shteteve të Bashkuara në këtë lëvizje tepër të ndjeshme politike nga Tel Avivi.

Presidenti paraguajan, Horacio Cartes, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, morën pjesë në ceremoninë përuruese të saj. Shtetet e Bashkuara zhvendosën Ambasadën e tyre në Jeruzalem një javë më parë, duke shkaktuar irritim masiv mes palestinezëve. Vendi i parë që ndoqi Amerikën ishte Guatemala, të mërkurën e kaluar.

Statusi i Jeruzalemit është një nga pengesat më kyçe në arritjen e marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, të cilët gëzojnë edhe mbështetje ndërkombëtare në dëshirën e tyre për ta pasur Jeruzalemin Lindor, të pushtuar nga Izraeli në vitin 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme, si kryeqytet të shtetit të ri të Palestinës.

Izraeli e konsideron të gjithë qytetin, përfshi edhe zonën lindore të aneksuar pas konfliktit të 1967-s, si kryeqytetin e vendit hebre.

“Kjo është një ditë historike që përforcon lidhjet me Paraguajit dhe Izraelit”, tha Cartes gjatë ceremonisë. “Një ditë e madhe për Izraelin, një ditë e madhe për Paraguajin dhe një ditë e madhe për miqësinë tonë”, iu përgjigj Netanyahu. “Ju nuk gëzoni vetëm mbështetjen e qeverisë sonë, por edhe mirënjohjen e thellë të popullit të Izraelit”, shtoi më tej ai.

Hanan Ashrawi, zyrtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, e denoncoi lëvizjen e Paraguajit.

“Duke miratuar një hap të tillë provokues dhe të papërgjegjshëm, që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë të ligjit ndërkombëtar dhe konsensusit, Paraguaji ka komplotuar me Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Guatemalën, për të përforcuar pushtimin ushtarak dhe për të vjedhur fatet e Jeruzalemit të pushtuar”, tha Ashrawi.

Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, duke përmbysur dekada të tëra të politikës së jashtme amerikane, e duke trazuar botën arabe dhe aleatët perëndimorë. Shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë qytetin e shenjtë, e thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të përcaktohet nga negociatat për paqen në Lindjen e Mesme.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kënga e Botërorit arrin 20 milionë klikime, por Era nuk performoi në ceremoninë e hapjes…

  Këngëtarja shqiptare, Era Istrefi, pak javë më parë bëri publik lajmin...
Read More