Paraja, Liria e Individit dhe Shoqëria

Një pyetje interesante që shtrohet shpesh për diskutim është: A është sistemi monetar një krijim i qëllimshëm i një entiteti politik, apo një nënprodukt i paqëllimtë i evolucionit social? Shkollat e ndryshme filozofike i japin përgjigje të ndryshme.

Nga Selami Xhepa*

President i Institutit Europian “Pashko”

Karl Marksi dhe gjithë pasuesit e shkollës marksiste e konsiderojnë paranë si burim të skllavërisë së njeriut dhe prandaj motoja komuniste ishte “hiqi paranë dhe e ke rrëzuar kapitalizmin”. Nga ana tjetër, filozofët dhe ekonomistët e rrymave të tjera jomarksiste e cilësojnë paranë si burimin e lirisë së individit. Një nga arsyet e kursimit është nevoja për të rritur shkallën e lirisë. Njeriu që nuk ka varësi ekonomike nga një korporatë apo nga dikush tjetër, është një mendimtar vërtet i lirë. Cili është në fakt raporti i parasë me individin dhe shoqërinë? A është paraja një shpikje e qëllimshme, format evolucionare të së cilës përdoren për të realizuar rishpërndarje të pasurisë në favor të një grupi të caktuar shoqëror? Këto pyetje janë shtruar për diskutim në këtë artikull të shkruar me rastin e javës botërore të parasë.

Për shumëkënd paraja është konsideruar një çështje ekskluzive e ekonomistëve, dhe madje në dekadat e fundit, ajo është një fushë ku guxojnë të notojnë një specie e veçantë ekonomistësh që janë bankierët qendrorë. Sa më shumë largohemi nga epoka e parasë ‘natyrore’: arit, argjendit, metaleve të çmuara, ose çfarëdo forme të parasë mall, aq më intrigues bëhet edhe debati mbi atë se çfarë përfaqëson në të vërtetë ajo. E teksa sot ndodhemi në prag të një revolucioni të ri monetar, të kriptomonedhave, siç janë bitcoins apo lloje të tjera të parasë elektronike, duket sikur i gjithë ky debat ngërthen veçse një grup të vogël individësh, lojtarë magjistarë të tregjeve monetare, ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë e ndjen veten të paaftë të jetë pjesë e këtij debati të sofistikuar. Paraja, ky mall tepër i veçantë dhe shumë specifik, është edhe një temë filozofike dhe sociologjike, një shprehje e caktuar e marrëdhënieve shoqërore dhe një tipar dallues madje edhe i sistemeve ekonomike e shoqërore. Dhe duke qenë një marrëdhënie sociale, nuk ka sesi kjo temë të mos ketë tërhequr dhe vëmendjen e filozofëve të shquar po aq sa të ekonomistëve të famshëm.

Për një ekonomist, paraja është thjesht një instrument ndërmjetës që lehtëson shkëmbimin dhe qarkullimin e mallrave, që ekuivalenton mbi një bazë të njëjtë botën e pafund të produkteve dhe shërbimeve dhe që i lejon njeriut të ruajë një nivel jetese komode edhe kur fuqitë e tij fizike janë shteruar, duke mundësuar shtyrjen në kohë të konsumit të sotëm në favor të së ardhmes së pasigurt, ose “për ditët e shiut” siç thuhet shpesh. Zhvillimet që janë shënuar në teorinë monetare në vitet e fundit, veçanërisht që prej fundit të shekullit të kaluar, e kanë sofistikuar tej mase paranë. Ndërtimi i modeleve ekonometrike të komplikuara dhe gjuha thellësisht teknike e monetaristëve, e ka zhvendosur paranë në kategorinë e koncepteve shkencore dhe teknike, ndërkohë që shumë të vërteta dhe çështje bazike monetare nuk janë të natyrës shkencore. Ato varen nga kuptimi dhe vlerësimi që vetë njerëzit i japin parasë dhe mënyrës se si ajo duhet të rregullohet dhe kontrollohet në shoqëri. Ekonomistët e shohin paranë si pjesë e teorisë së firmës dhe kapitalit; filozofët dhe sociologët si një element të polisit, të jetës së qytetit, të marrëdhënieve sociale që nga brenda familjes, midis klasave dhe midis kombeve. Paraja pra, është shumë më tepër se monetarizëm; fuqia dhe pushteti i saj ka ndikuar kaq fort në marrëdhëniet shoqërore saqë pa frikë mund të pohohet se ajo ka ndikuar në një masë përcaktuese edhe tiparet e një rendi ekonomik e social.

Parasë nga ana tjetër, i atribuohen fuqi abstrakte që në fakt nuk i ka, gjë që krijon ambivalencë lidhur me rolin e saj. Interpretimet mbi paranë shkojnë që nga mistika e religjioni (paraja, burimi i të gjithë të këqijave – thotë Bibla sipas Matheus), te politika dhe sociologjia, nga paraja si motori që përshpejton rritjen e ekonomisë dhe burim i progresit shoqëror, te paraja si shkak i krizave dhe mizeries ekonomike.

Ekonomistë të mëdhenj dhe shumë të shquar kanë shkruar mbi paranë – që nga Jevons, ndër më të parët margjinalistë dhe më tej Karl Menger, e deri te Friedman, themeluesi i shkollës monetariste, akoma sot në modë në doktrinën ekonomike. Por, qasja e ekonomistëve ka mbetur gjithnjë pastërtisht si një teori monetariste, pa u ndalur në dimensionet e tjera të marrëdhënieve sociale që burojnë prej parasë. Megjithatë, duhet thënë se Friedman edhe pse ishte themeluesi i monetarizmit, kishte paralajmëruar për rreziqet e mbivlerësimit të tij: Jemi pranë rrezikut që politikës monetare po i japim një rol më të madh nga sa ajo mund të luajë në të vërtetë, po rrezikojmë të kërkojmë prej saj gjëra që ajo nuk mund t’i realizojë dhe për pasojë, po rrezikojmë që të marrim prej saj kontributin që ajo mund të sjellë në të vërtetë – “The Role of Monetary Policy”, American Economic Review, vol. LVIII, no. 1, March 1968.

Ndër ekonomistët, Keynesi ishte ndër të paktët që kishte arritur të shquante rëndësinë e lidhjeve midis konsideratave të moralit dhe drejtësisë – të cilave ai u referohej shpesh, – dhe sistemit monetar. Në fundin e jetës së tij ai i hodhi këto mendime në veprën Shënime konkluduese mbi Filozofinë Sociale drejt së cilës mund të çojë Teoria e Përgjithshme. Ndryshe nga John Stuart Mill që kishte nënvizuar se kishte shumë çështje të tjera më të rëndësishme për t’u shqetësuar se tema e parasë, një shekull më pas Keyensi e shikonte paranë si deformuese të gjithçkaje prandaj duhej ndërhyrja e autoritetit të shtetit për të vendosur nën kontroll efekte të tilla deformuese të parasë. Por pyetja që ngrihet është se, a mund të jetë kontrolli i shtetit mbi paranë (nëpërmjet modeleve të sofistikuara siç pretendojnë sot bankat qendrore) edhe përpjekje për të vënë nën kontroll lirinë e individit, siç thotë filozofi Henry Simons? Debati që edhe sot është shumë i mprehtë mbi efektivitetin e politikës monetare, pavarësinë dhe llogaridhënien e bankave qendrore, është dëshmi e qartë e faktit se dilema të tilla mbeten të forta dhe larg një zgjidhjeje finale.

Një tjetër pyetje interesante që shtrohet shpesh për diskutim është: A është sistemi monetar një krijim i qëllimshëm i një entiteti politik apo një nënprodukt i paqëllimtë i evolucionit social?

Shkollat e ndryshme filozofike i japin përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje. Një nga sociologët e rëndësishëm që ka trajtuar filozofinë e parasë është gjermani Georg Simmel (The Philosophy of Money, 1907), i cili e shikonte sistemin monetar si një nënprodukt të zhvillimit shoqëror dhe jo si një vepër të qëllimshme të politikës. Duke e trajtuar sistemin monetar si një institucion shoqëror, ai konkludon se destabiliteti monetar (inflacioni, humbja e besimit te paraja) bëhen shkak për destabilitet social. Eksperiencat historike të kësaj teze janë të shumta (hiperinflacioni gjerman dhe ardhja në fuqi e nazizmit), por mjafton që shqiptarët të sjellin ndër mend historinë e krizave piramidale të vitit 1997.

Ishte George Simmel ai që parashtroi me qartësi pasojat e parasë, duke investiguar në influencën e parasë në marrëdhëniet shoqërore. Institucioni i parasë në kuptimin e tij qëndronte si një konflikt midis konceptit abstrakt të saj dhe besimit shoqëror mbi të cilin paraja ekziston. Në dialektikën e Simmel, njeriu po skllavërohet nga vetë krijesa e tij, paraja. Për Simmel paraja është më shumë se standard vlere dhe mjet shkëmbimi. Ajo ka një kuotim që shkon mbi dhe përtej funksioneve të saj të pastra ekonomike. Shoqëria moderne është një shoqëri monetare jo thjesht se transaksionet e saj bazohen te paraja, apo se aspektet e saj të shumta influencohen nga paraja, por sepse është te paraja ku shpirti modern gjen shprehjen e vet më perfekte.

Siç shihet, shqetësimi i filozofëve si Simmel mbi paranë nuk lidhet me sistemin monetar, por me raportin e saj me individin dhe lirinë.

Paraja nuk ndikon vetëm në veprimet tona, por dhe te frika, shpresa dhe dëshirat që ne kemi dhe që mund të aktivizohen në varësi të rrallësisë apo bollëkut të parasë së disponueshme. Si e tillë, paraja është një forcë e fshehtë që iu jep shtysë faktorëve të fortë psikologjikë dhe të pritshmërive. Për shembull, shumëkush që mund të ketë përjetuar një periudhë bollëku dhe ka krijuar një nivel të lartë mirëqenieje, edhe kur zhytet në borxhe vazhdon të ruajnë të njëjtën sjellje si dhe më parë. Kjo lloj sjelljeje sociale ka krijuar një shoqëri konsumi në nivele të rrezikshme, ku borxhet private, qoftë konsumatore apo të firmave, rrezikojnë seriozisht stabilitetin e tregjeve financiare globale, po aq sa dhe borxhet publike të qeverive.

Një tjetër temë interesante mbi paranë është impakti që ajo ka patur mbi njerëzimin dhe efektet që mund të ketë shembja e saj. Kalimi nga një regjim monetar në një tjetër – nga paraja mall te paraja letër – është shoqëruar me pasoja të forta për shtresa apo klasa sociale. Në këtë kuptim, një pyetje interesante mund të ishte se çfarë impakti do të mund të kishte shembja e sistemit aktual monetar mbi shoqërinë? Për shembull kalimi nga paraja që përdoret sot drejt kriptomonedhave dhe siç thuhet se brenda një periudhe të shkurtër kjo do të ndodhë? Në thelb, çfarë ka ndryshuar me paranë: forma apo përmbajtja? Paraja ka evoluar nga të qenit një mjet funksional – i realizimit të procesit të shkëmbimit – në një simbolikë të shprehjes së marrëdhënieve ekonomike. Nëse për grekët e lashtë (Platoni, Aristoteli), për shembull, paraja shihej vetëm si një e keqe e nevojshme, fokusi i përpjekjeve të ekonomisë ishte te prodhimi i mallrave realë dhe toka si burim i prodhimit të të mirave materiale. Ndërsa në botën e sotme paraja reflekton një antitezë të këtij konceptimi. Duke u shkëputur nga shprehja e vet materiale dhe duke u shndërruar si një mjet abstrakt të shprehjes së vlerës në tërësi, paraja është shndërruar, siç e përcakton Simmel, “në një portretizim të unitetit dhe ndërvarësisë jo në substancë, por në ndërveprimin konstant të forcave dinamike abstrakte dhe marrëdhënieve sociale”. Për pasojë, lindin moskuptime, zhgënjime, fyerje, armiqësi e deri në interpretime mistike të parasë. Prej këtej burojnë edhe kërkesat për të ndaluar spekulimet, duke i bërë jehonë ‘epokës së artë të barterit’ dhe besimit se qeveritë mund të kontrollojnë veprimtarinë ekonomike dhe monetare. Historia provoi se krizat e forta monetare gjatë shekullit të njëzet dhe në vazhdim, kanë patur efekte shkatërrimtare ekonomike, veçanërisht mbi grupe të caktuara sociale, duke e zhbërë progresin e shoqërisë. Por ky duket se është një nga ato rreziqet e paevitueshme të shoqërisë; është një gjendje e natyrshme e botës së sotme moderne dhe komplekse. Zhbërja e saj do të nënkuptonte fillimisht rrënimin total dhe një kthim në gjendjen e ekonomisë natyrore. Dhe ndoshta ky është rreziku dhe kërcënimi më serioz i shoqërisë së sotme monetare. Paraja që ekziston si një simbol elektronik i gjeneruar nga rrjetet kompjuterike, është vulnerabël jo vetëm ndaj besimit publik, por dhe ndaj sigurisë. Historia na ka paralajmëruar me eksperimentin e parasë letër në Francën e shekullit të tetëmbëdhjetë nga John Law!

Së fundi, paraja është dhe zgjatim i personalitetit të individit. Njeriu mund të shpenzojë paranë pa kërkuar ndonjë zotërim të një objekti, por thjesht si një vetpërmbushje të një kënaqësie individuale. Një shembull tipik janë shijet e një ‘kurnaci’ dorështrënguar, kënaqësia e vetme e të cilit është thjesht akti i zotërimit të parasë si personazhi i plakut Grande te Balzaku.

Në kohët më të hershme, në Shqipëri nuset e reja merrnin në pajë të martesës një gjerdan prej monedhash floriri dhe vathë që ishin thjesht monedha floriri, një zakon që zbatohej që prej kohës së Solomonit. Kjo është shprehje e nevojës që monedhat/paraja të ishte në zotërim direkt të familjes por dhe si një rrezatim i personalitetit të individit. Në varësi të numrit të monedhave dhe peshës së tyre demonstrohej edhe pushteti dhe pasuria. Një referim shumë interesant për këtë e gjejmë te Karl Marks i cili thotë se, “Paraja abuzon të gjithë Zotat e njerëzimit dhe i transformon ata në mallra. Prandaj dhe ajo e ka privuar të gjithë botën, si botën humane dhe natyrën, prej vlerës së saj të vërtetë. Paraja është thelbi i tjetërsuar i punës dhe ekzistencës njerëzore, kjo esencë e dominon dhe ai e adhuron atë”.

*shkruar për Javën Botërore të Parasë

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shuhet regjisori Mihallaq Luarasi: I dënuar në diktaturë për dramën e parë, pa perde…

Dje në mbrëmje është ndarë nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi, në moshën...
Read More