Paralajmërimi i Fevziut për Frangajn: Audienca është çështje e momentit…

Për Blendi Fevziun shqetësimi kryesor në Tv Klan është linja programore dhe fenomene të tjera që lidhen me këtë televizion. Në intervistën për “Panoramën”, Fevziu konfirmon se nuk ka asnjë konflikt me pronarin e tv, Aleksandër Frangaj, dhe se ka disktuar me të për diferencat që kanë për mënyrën se si e shohin televizionin.

“Mes meje dhe Aleksandër Frangajt nuk ka ndodhur asgjë konkrete. Vijojmë të jemi miq, por kohët e fundit unë kam pasur një objeksion timin lidhur me linjën programore dhe fenomene të tjera në Klan. Nuk është se i kam shumë me Frangajn gjatë kësaj kohe, por i kam diskutuar gjatë së fundmi. Si çdo debat që lidhet me punën, ka gjëra me të cilat kemi rënë dakord dhe gjëra për të cilat nuk mirëkuptohemi. Por ky është diskutimi i një njeriu që është pronar i televizionit dhe një personi që thjesht shpreh idetë e tij, duke besuar se kështu do të ishte më mirë për vetë televizionin. Vendimmarrja i takon Frangajt dhe besoj se ai e di këtë më mirë se kushdo”, thotë Fevziu.

“Ajo që më bën përshtypje, është se në parim të dy mendojmë njësoj, por në ekran korrigjimi nuk po vjen ende”, ka shtuar ai.

Fevziu ka paralajmëruar Frangajn që të fokusohet më shumë te mendimi sesa te forma, sepse një situatë e ngjashme ka ndodhur vite më parë me televizionin kombëtar ‘TVA’, i cili sot nuk ekziston më.

“Nuk besoj se një emision bën diferencë të madhe mes televizioneve. Audienca është çështje e momentit, kur ajo alternohet me projektin që një televizion ka dhe me tragetin e tij… Sepse TV është media. Njihet si i tillë. I pari dhe kryesori është mendimi dhe pastaj forma. Mbaj mend që një tjetër televizion kombëtar, TVA, pas largimit të Zhejit dhe Kel Demit, u investua në pjesën artistike, duke besuar se ky popull meriton më shumë spektakël dhe argëtim dhe sot nuk ekziston më! Plus, audiencat ndryshojnë shpejt. 14 vjet më parë kishte shumë njerëz që vinin më thoshin që “Klani mori fund”, por sot është televizioni më i madh në vend. Po kështu, 6 muaj më parë shumë vetë më thoshin po këtë gjë: “Topi mbaroi”. Tani duket ndryshe”, ka deklaruar drejtuesi i “Opinion”.

Lidhur me ofertën nga ‘Top Channel’, Fevziu thotë se pjesa financiare është pothuajse e njëjtë me atë në Tv Klan, ndërsa pranon se në Shqipëri ka gazetarë që paguhen më shumë se ai.

Gazetari mohon që të ketë patur ndonjëherë në Klan probleme me linjën editoriale të emisionit apo ndërhyrje për censurë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Parlamenti i ri mblidhet ditën e shtunë, datë 9 shtator

Presidenti Ilir Meta caktoi datën 9 shtator si seancën e parë të...
Read More