Paralajmërimi i Ramushit: Kush lëviz kufijtë e Kosovës, bën tradhti kombëtare!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë plotësisht kundër fjalëve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë. Sipas Haradinajt, askush s’ka të drejtë të diskutojë për kufijtë e Kosovës dhe nëse dikush tenton t’i lëvizë ata, atëherë po bën tradhti kombëtare. Ai ka thënë se kushdo që dëshiron lëvizje kufijsh duhet të dijë se e nis një luftë të re.

Ai ka thënë se ideja për përfshirjen e Luginës së Preshevës brenda territorit të Kosovës është diçka e paarritshme dhe “është gabim ndërlidhja e temave siç është njohja Kosovë-Serbi me territore sepse është e pamundshme”.

Në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj ka bërë të ditur se Thaçi ka besimin nga institucionet e Kosovës sa i përket dialogut për njohje reciproke me Serbinë, por jo për të diskutuar edhe për negocim të kufijve. Sipas Haradinajt, njohja duhet të jetë mes dy shteteve me kufijtë aktual, pa lëvizur asnjë.

“E dini çka është prekja në territor dhe askush s’e ka këtë mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Dialogu është politik vetëm për njohje reciproke. Dëshira mbetet, por të lëvizë këtë territor të Kosovës s’e ka në mandat as presidenti Thaçi, as askush tjetër. E marrim me qejf Luginën nëse na jep Serbia me dëshirë, por askush s’e ka të drejtën të negociojë për territorin e Kosovës të pavarur e të shpallur më 17 shkurt.

Ne nuk po flasim për dëshira, por realitet që është krijuar me luftë. Ka jetë të humbura për këta kufij e këtë realitet. Vënia në pikëpyetje e kësaj të arriture është gabim për Kosovën. Pse Kosova të diskutojë diçka të tillë të palogjikshme. Shpallja e pavarësisë është bërë në këtë territor. E pranojmë se këtu jetojnë shqiptarët dhe të gjithë të tjerët dhe do t’i respektojmë komunitetet tjera, por diskutimi për lëvizje të territorit është tradhti kombëtare.

Si e tillë dënohet në çdo vend edhe nga populli edhe nga ligji. Nuk e ka askush të drejtën dhe kushdo që flet është në kufi të tradhtisë kombëtare. Lëvizja ndaj territorit ekzistues të vendit, apo operim ndaj  territorit ekzistues të vendit, apo veprim kundër territorit ku jemi shpallur të pavarur është tradhti”,- ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj ka ripërsëritur disa herë se negocimi për territor kufijsh është akt tradhtie dhe kjo është temë që sipas tij nuk ka pse të hapet. Sipas Haradinajt, Thaçi me hapjen e kësaj teme po i bën kundër replikë Beogradit që në fund “askush askujt të mos i japë gjë”.

“Askush s’e ka mandatin të flasë për kufijtë. Unë s’guxoj të flas për territor. Presidenti Thaçi nuk guxon, kryeministri nuk guxon, as kryeparlamentari Veseli nuk guxon të flasë për territor. S’ka dialog kur flitet për territore. Është thirrje për luftë. Cenimi i territorit të vendit është luftë. Me luftë janë vendosur kufijtë. S’janë rezultat i darkës së mirë. Është rezultat i luftës të brezave. Si rezultat i forcave janë bërë kufijtë. Prekja është pikëpyetje e asaj të arriture. Kushdo që e bën është thirrje për armë. Kosova ka obligim kushtetues që çdo shtetas ta mbrojë territorin e vet. Nëse tanket e Serbisë kalojnë kufirin e Kosovës, edhe ne jemi këtu, s’ka lidhje kush tjetër është këtu (për praninë e NATO-s). Jemi me të drejtën tonë në vetëmbrojtje. Nuk e ndal NATO të drejtën të mbrohemi. Nëse sulmon Serbia, NATO ndihmon nëse mundet, nëse jo të thotë ‘Paç fat’”,- ka shtuar më tej Haradinaj.

Kryeministri thotë se e ka mirëpritur deklaratën e ambasadorit amerikan Greg Delawie se “Kosova dhe Serbia s’kanë liri të pakufishme në dialog”. “Pse e tha këtë? E tha që merruni vesh, por s’mund të dilni nga normaliteti”, ka deklaruar Haradinaj.

Sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm të avancojnë me këtë pikë vetëm në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Haradinaj ka folur edhe për rastet e shumta të dhunës në familje dhe kritikat drejt institucioneve për mosveprim. Ka thënë se kjo ngjarje “shqetësuese kërkon vetëdijesim popullor”. Sipas tij, Policisë së Kosovës i mungojnë disa hallka të funksionimit, që duhet të përmirësohen.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se edhe veprimet e aktivistëve të VV-së që gjuajtën me ngjyrë policinë, nuk janë në rregull dhe se duhet të përpiqen të gjithë që të sensibilizojnë shoqërinë për problemet në familje. Ai ka apeluar te të gjithë që dinë për raste të dhunës në familje që t’i raportojnë në polici.

Ka shtuar po ashtu se numri i zëvendësministrave nuk ka prekur 80-shin dhe ka thënë se niveli i raportimit të tyre s’është i lartë, por “me rëndësi që po punojnë dhe po obligohen për punë”.

Në radhë si veprime nga qeveria ka thënë se do të jetë ligji i pagave dhe ligji për Forcat e Armatosura të Kosovës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Meta letër Trump: Do të kërkoj shpjegime për votën e Shqipërisë në OKB

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shkruan Presidentit amerikan Donald Trump, lidhur...
Read More