Paralajmërimi: Tre rreziqet që i kanosen ekonomisë shqiptare

Misioni i FMN-së pohoi se ka mosmarrëveshje me qeverinë për PPP-të. Kërkohet kujdes dhe në shitjen e bankave. “Janë paratë e publikut në lojë”, -tha shefja e misionit, Anita Tuladhar.

FMN foli dje publikisht kundër praktikave aktuale të dhënies së koncesioneve, nga qeveria shqiptare, veçanërisht për modelin me propozime të pakërkuara që sipas shefes së misionit duhet eliminuar sa më parë. Në mbyllje të misionit të FMN që vizitoi zyrtarisht për dy javë Tiranën për të monitoruar ekonomisë shqiptare pas përfundimit të programit të asistencës një vit më parë. Në deklaratën përfundimtare të misionit të FMN, veç të tjerave i kushtohet vëmendje edhe procesit të ndryshimit të pronësisë së bankave, dhe parashtrohet kërkesa që të mos u shiten bizneseve pa përvojë. “Pikëpyetja është kush po blen dhe duhet të sigurohemi që blerësi të përmbushë standardet ndërkombëtare. Janë paratë e publikut në lojë”, -tha shefja e FMN, Anita Tuladhar.

 

Jo qeverisë për koncesionet

Misioni e ka bërë të qartë se në parim nuk është kundër koncesioneve me Partneritet Publik-Privat. Por në rastin e Shqipërisë ata kërkojnë që të përzgjidhen projekte cilësore që duhet të kalojnë në një mekanizëm të qartë dhe transparent se si do të realizohen. “E këshillova qeverinë dy javë më parë të ngrinte koncesionet me qëllim që të ngrinte kuadrin e duhur, pasi ngritja e tij kërkon kohë”, shtoi përfaqësuesi i FMN në vendin tonë Jens Reinke, i cili pohoi se fondi po jep asistencë teknike për këtë çështje. Por qeveria i ka thënë fondit se e ka gati mekanizmin. Misioni i FMN-së pohoi se, në rastin e projekteve me PPP ka ndarje të riskut mes shtetit dhe privatit. “Është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos marrë më shumë risk se ç’duhet. Për projektet PPP ka shumë rreziqe nisur nga përvojat e vendeve të tjera, prandaj Fondi i ka kërkuar qeverisë të bëjë analizat e duhura në lidhje me këto projekte”. Më tej, përfaqësuesja e misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar, tha se “Nuk jemi në program me Shqipërinë, po japim këshilla. Ndaj për çdo rrezik është përgjegjësia e autoriteteve. Shpresojmë se në rast se qeveria do të vazhdojë me koncesionet, atëherë risqet të pasqyrohen në bilanc”.

 

Administrimi fiskal: Jo TVSH për biznesin e vogël

Në lidhje me përfshirjen në TVSH të bizneseve me xhiro mbi 2 milionë lekë, FMN këshillon se “administrata do të shpërqendrohet, në vend të fokusohet të ndërmarrjet e mëdha dhe ka rrezik të ulen të ardhurat, ndaj nuk ishim dakord që në fillim”. Nuk mendojmë se është një masë e mirë në drejtim të rritjes së të ardhurave. Ndërkohë sa i takon konsolidimit fiskal kërkesë e misionit të FMN është që ai të vijojë, pasi vetëm ashtu mund të garantohet rritja e të ardhurave. “Nevojitet konsolidim më i shpejtë fiskal për të krijuar amortizatorë. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71.2% të PBB-së në fund të vitit 2017, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe asaj lokale prej 1.8 % të PBB-së, tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes i ndërthurur me prime të larta risku të interesave dhe zhvlerësimi i kursit të këmbimit apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të kishin ndikim negativ të borxhit dhe qëndrueshmëria e jashtme, çka do të krijonte një korrigjim të fortë fiskal.

Një objektiv më ambicioz për deficitin fiskal, në përputhje me përpjekjet fiskale shtesë prej rreth 1% të PBB-së në dy vjet në krahasim me një deficit konstant të qeverisjes së përgjithshme prej 2% të PBB-së në buxhet, do të ndihmonte në arritjen më shpejt të uljes së borxhit, për të krijuar një hapësirë shtesë për manovrim në rast se realizohen këto tronditje negative. Në këtë aspekt, fuqizimi i të ardhurave përbën prioritet kyç, jo vetëm për të ulur deficitet, por edhe për të krijuar hapësira për më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe në arsim. Nevojiten korniza më të forta për menaxhimin e buxhetit dhe të investimeve publike në mënyrë që të zbuten risqet fiskale dhe të ketë sa më pak dëm të burimeve të pakta. FMN thotë se me rritjen e nivelit të investimeve publike, autoritetet duhet t’ju japin zgjidhje mangësive në menaxhimin e projekteve, përfshirë edhe në njësitë e qeverisjes vendore dhe në ndërmarrjet shtetërore. FMN kërkoi po ashtu një zbatim më të fortë të masave kontrolluese të angazhimeve buxhetore, që është shumë i rëndësishëm për parandalimin e akumulimit të detyrimeve të prapambetura. Angazhimet e pambuluara me fonde në buxhetin afatmesëm dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së kanë sjellë akumulimin e detyrimeve të reja të prapambetura prej rreth 0.9% të PBB-së në 2017-n (prej të cilave 0.7% rimbursim TVSH-je), që duhet të zgjidhet me shpejtësi.

 

Kujdes borxhin dhe kredinë e keqe

Nevojat bruto për financim të Shqipërisë, në rreth 21% të PBB-së, mbeten të larta. Planet e autoriteteve për të mbështetur zhvillimin e tregut dytësor për obligacionet pesëvjeçare të qeverisë do të ndihmonin në uljen e këtij risku. Emetimet e eurobondit do të duhej të synonin shlyerjen e borxhit në valutë të huaj duke qëndruar vigjilentë ndaj riskut që paraqet mbështetja e tepruar te huamarrja me kushte jo të buta në valutë të huaj. Kapacitetet e menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave janë të pamjaftueshme dhe duhen forcuar më tej. Nevojitet një bashkëpunim i ngushtë midis Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe tregjeve, po të keni parasysh ekspozimin e lartë të bankave ndaj sektorit publik. Sa i takon kredisë së keqe misioni vëren se niveli i kredive nënstandard (13.2% e kredive në fund të 2017) ka rënë për shkak të fshirjes nga bilancet dhe përpjekjeve për ristrukturimin e tyre. Megjithatë mbeten ende pa përfunduar reformat e rëndësishme për përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit, përfshirë edhe tarifën e suksesit për përmbaruesit dhe rregullorja për marrëveshjet e gjykatës, duke i shtyrë bankat të mos marrin risk. Autoritetet do të duhej të mbeteshin vigjilente ndaj risqeve të mundshme të lidhura me ekspozime të konsiderueshme e mëdha të shoqërive dhe rritjen në sektorin e ndërtimit.

 

Kujdes shitjen e bankave

Dy banka private janë në proces daljeje nga tregu. Veneto Bank u përthith nga Intesa San Paolo, ndërsa Banka Amerikane e Investimeve ka mbyllur procesin e blerjes së Bankës Kombëtare Greke. Procesi pritet të vazhdojë edhe më tej, pasi të tjera banka janë në shitje. Interes i shtuar për të marrë pjesë në këtë proces është shfaqur dhe nga disa grupe të mëdha biznesi në Shqipëri, që deri tani nuk kanë qenë të përfshira në sistemin bankar. Misioni i FMN në deklaratën e fundit të tij ka ripërsëritur këshillën e tij që të tregohet shumë kujdes në përzgjedhjen e blerësve të rinj. “Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar”. Anita Tuladhar, shefja e misionit të FMN për Shqipërinë ka pohuar që është tendencë e gjithë rajonit, që bankat me kapital europian po ulin ekspozimin e tyre në treg. “Pikëpyetja është kush po blen dhe duhet të sigurohemi që blerësi të përmbushë standardet ndërkombëtare”, -tha ajo, “Janë paratë publike në lojë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një rrugëtim kah e ardhmja

Libri i studiuesit dhe pedagogut Ermir Gjinishi, ofrohet si një tekst i...
Read More