Parandalimi i hemorroideve, ja cilat ushqime duhet të hamë

Bashkë me një dietë ushqime të shëndetshme edhe aktiviteti fizik ku përfshihet të ecurit, si dhe rritja e sasisë së fibrave dhe lëngjeve në dietë janë një kombinim i duhur për parandalimin dhe mospërsëritjen e hemorroideve

Hemorroidet janë shumë të shpeshta si te burrat edhe te gratë. Pothuajse gjysma e popullsisë kanë hemorroide rreth moshës 50 vjeç. Gjithashtu, hemorroidet mund të jenë të shpeshta edhe te gratë shtatzëna, situatë e cila shpjegohet me presionin që fetusi shkakton në bark. Altin Cekodhima, mjek gastrohepatolog shpjegon se ndryshimet hormonale shkaktojnë gjithashtu zgjerim të venave hemorroidale. Gjithsesi hemorroidet gjatë shtatzënisë janë probleme kalimtare. Parandalimi i përsëritjeve të hemorroideve bëhet e mundur edhe falë një ushqyerjeje të shëndetshme, ku bazë është një dietë e pasur me fibra dhe lëngje.

Problemi

Termi hemorroide i referohet një situate në të cilën venat përreth anusit ose pjesës së poshtme të rektumit janë të fryra dhe të skuqura. Hemorroidet mund të jenë shkak i shtërzimeve për të defektuar. Faktorë të tjerë që luajnë rol në formimin e tyre janë shtatzënia, moshimi, konstipacioni (kapsllëku) kronik ose diarreja (barkqitja) kronike. Hemorroidet janë ose brenda anusit (interne), ose jashtë lëkurës përreth anusit.

Shenjat

Disa probleme anorektale që përfshijnë fisurat, abcesin, irritimin, kruajtjen dhe djegien (pruritis ani), kanë të njëjtat shenja dhe gabimisht iu referohen hemorroideve. Hemorroidet zakonisht nuk janë të rrezikshme për jetën. Në shumë raste simptomat e hemorroideve ikin brenda disa ditëve. Ndonëse shumë njerëz që kanë hemorroide nuk shfaqin shenja fare, shenja më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është gjaku i pastër që lyen feçet, letrën e tualetit dhe WC. Ndonjëherë hemorroidet e brendshme rrëshqasin jashtë anusit, irritohen dhe bëhen të dhimbshme. Këto lloj hemorroidesh quhen të prolabuara. Shenjat e hemorroideve të jashtme përfshijnë dhimbje, ënjtje, ose një kokërr të madhe përreth anusit si rezultat i mpiksjes së gjakut, situatë e cila njihet si trombozë e hemorroideve të jashtme. Përveç kësaj, lodhja e tepruar, fërkimi ose pastrimi përreth zonës së anusit mund të shkaktojnë irritim të shoqëruar me hemorragji apo kruarje e cila mund të bëhet një rreth vicioz shenjash. Mukusi i tepërt gjithashtu mund të shkaktojë kruarje.

Shpeshtësia

Hemorroidet janë shumë të shpeshta si te burrat edhe te gratë. Pothuajse gjysma e popullsisë kanë hemorroide rreth moshës 50 vjeç. Gjithashtu, hemorroidet mund të jenë të shpeshta edhe te gratë shtatzëna, situatë e cila shpjegohet me presionin që fetusi shkakton në bark. Ndryshimet hormonale shkaktojnë gjithashtu zgjerim të venave hemorroidale. Gjithsesi hemorroidet gjatë shtatzënisë janë probleme kalimtare.

Diagnostikimi

Një diagnostikim i saktë mund të bëhet vetëm nga mjeku. Është shumë e rëndësishme që të paraqiteni te mjeku specialist në momentin që keni hemorragji sepse ajo mund të jetë shenjë e sëmundjeve të tjera të traktit tretës përfshirë dhe kancerin e zorrës së trashë (kolorektal). Doktori do të ekzaminojë anusin tuaj nëpërmjet “touché recitale” që do të thotë ekzaminim i cili realizohet me gisht të lubrifikuar për të prekur anomalitë përreth. Një ekzaminim tjetër për hemorroidet është ai me anoskop, një tub i ndriçuar që lejon pamjen e anusit nga brenda për të vlerësuar hemorroidet e brendshme. Për të përjashtuar mundësinë e ndonjë sëmundjeje tjetër të traktit tretës, është shumë e rëndësishme të kryhet videokolonoskopia.

Parandalimi

Trajtimi medikamentoz i hemorroideve ka për qëllim të lehtësojë simptomat, por janë të rëndësishme masat parandaluese për formimin e tyre. Parandalimi i përsëritjeve të hemorroideve do të kërkojë jashtëqitjen normale (pa kapsllëk), e cila arrihet me një dietë të pasur me fibra dhe lëngje. Me anë të kësaj diete arrihet që materialet fekale të jenë të buta dhe lehtësisht të lëvizshme nëpër zorrë duke mënjanuar shtërzimet në defekim dhe uljen e presionit të venave të anusit. Ngrënia e sasisë së duhur të fibrave ushqimore dhe pirja e 6 deri në 8 gota lëng (pa alkool) rezultojnë në jashtëqitje të butë e të formuar, e cila bën të lehtë zbrazjen e zorrës. Fibrat ushqimore merren nëpërmjet konsumit të frutave, perimeve dhe miellit me përmbajtje krundesh. Mjeku mund t’ju rekomandojë të merrni edhe fibra suplementare si për shembull produkte farmaceutike. Aktiviteti fizik ku përfshihet të ecurit, si dhe rritja e sasisë së fibrave dhe lëngjeve në dietë janë një kombinim i duhur për parandalimin dhe mospërsëritjen e hemorroideve.

 

Dieta e rekomanduar për hemorroidet

Frutat:

Mollë, dardha, rrush, bostan, shegë, luleshtrydhe, kumbulla, pjeshkë, ananas, mango.

Të pihet sa më shumë ujë.

Ushqimet e pasura me fibra, buka e zezë, perimet e blerta, sallatat, lakrat, spinaqi.

Perime:

lulelakrat, karotat, panxhari, bishtajat, fasule, bizele, thjerrëza, kunguj, kastraveci.

 

Të shmangen nga dieta ushqimet e mëposhtme:

Pikantet: speca djegës, piper

Ushqimet e ëmbla me shumë sheqer

Pijet e ëmbla dhe me konservantë, si: Cola, Fanta, Pijet energjike

Banane, bamje, kos, djathë, gjize

Pijet alkoolike

Fastfood, hamburger, sanduiç, patate të skuqura, patatinat

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sëmundja shqiptare

Nga Ervis Iljazaj “Murtaja italiane”, titullohet një libër i botuar nga radikalët...
Read More