Parlamenti vjollcë i zgjedhjeve pa opozitën

edi-rama-albania-prime-minister-getty-imagesPS drejt 112 mandateve, LSI 22, PDIU 4, ndërsa 2 mandatet e mbetura priten të ndahen mes partive të tjera. Në rast se forcat politike nuk do arrijnë të gjejnë kompromisin për të bërë të mundur përfshirjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare, atëherë rezultati do të ishte qesharak. Bazuar në rezultatet e 2013-s dhe në kushtet kur opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, PS mund të jetë në parlament një mazhorancë e madhe që për të qeverisur nuk do të ketë nevojë për asnjë aleancë tjetër.

Nga Fejzi Braushi

Në rast se forcat politike nuk do arrijnë që në ditët në vijim të gjejnë një zgjidhje kompromisi për të bërë të mundur përfshirjen edhe të opozitës në zgjedhjet parlamentare, atëherë rezultati që ato do prodhonin do të ishte qesharak. Sistemi zgjedhor që aplikon Shqipëria që nga 2009 favorizon shumë forcat e mëdha, ndërsa penalizon në maksimum partitë e vogla. Situata bëhet edhe më e disfavorshme për forcat e vogla në rastin aktual, ku ato do duhet të konkurrojnë më vete, pasi nuk arritën që të regjistroheshin në një koalicion. Tashmë votat e tyre do të përllogariten sipas formulës së metodës “D’hondt”, e cila përdoret për ndarjen e mandateve jashtë koalicioneve. Kështu duke llogaritur forcat pjesëmarrëse që janë regjistruar dhe kanë dorëzuar lista shumemërore kandidatësh në KQZ me votat që ato kanë marrë në 2013-n, si rezultati më i afërt zyrtar dhe që tregon mbështetjen më reale të matshme për momentin, PS do të merrte një shumicë të konsiderueshme prej 112 mandatesh. Një rritje të vogël do të pësonte edhe LSI, e cila minimalisht do të merrte 22 deputetë. Ndërkohë që PDIU do të merrte të njëjtin numër deputetësh, si edhe në 2013, pra 4 mandate. Ndërsa forcat e tjera që do të bëheshin parlamentare do të ishin Fryma e Re Demokratike dhe Partia Kristian-Demokrate, të cilat do të merrnin nga 1 mandat.

Berati

Mungesa e opozitës në zgjedhjet e ardhshme do të favorizonte ndjeshëm në qarkun e Beratit PS, e cila, edhe pse në kjo zonë zgjedhore është pakësuar me një mandat deputeti për shkak të ribërjes së hartës elektorale, do të merrte prapë 5 deputetë, duke llogaritur votat e 2013-s. Po ashtu edhe LSI do të ruante mandatet që mori në 2012, pra 2. Që LSI të marr mandatin e tretë duhet të marrë minimalisht 26 mijë vota ose afërsisht 4 mijë vota më shumë se në 2013. Në këtë qark LSI ka mbështetjen më të madhe në gjithë vendin dhe në këto zgjedhje pretendon që të dalë forcë e parë duke nisur nga fakti se zotëron thuajse gjithë pushtetin vendor.

Dibër

Në Qarkun e Dibrës situata duke u bazuar sërish në rezultatet e 2013 dhe duke llogaritur bojkotin e opozitës, në zgjedhjet e ardhshme do të kishim një rezultat që do t’i jepte PS-së 5 mandate, ndërsa LSI do të merrte sërish 1 mandat deputeti. Por raporti i mandateve mund të ndryshojë në rast se LSI do arrijë të ketë një rritje sado të vogël. Kështu për 100 vota më shumë LSI-në në këtë qark mund të marrë mandatin e dytë. Ndërkohë që forca e tretë që është në garë edhe në zgjedhjet e 18 qershorit në këtë qark është FRD, e cila ka marrë 2300 vota, por që nuk përkthehen në mandate.

Durrës

Partia Socialiste do të siguronte një rezultat tenistik në Durrës nga mosprania në zgjedhje e opozitës. Ajo do të merrte plot 12 mandate, ndërsa LSI 2. Në këtë qark FRD ka marrë 4500 dhe me 600 vota më shumë mund të marrë 1 mandat deputeti. Në këtë rast atë do ta humbiste PS e cila do të merrte 11. Pra kaq do t’i duhej edhe çdo force tjetër politike që të merrte një mandat në këtë qark.

Elbasan

Në Qarkun e Elbasanit të gjitha mandatet që aktualisht i ka opozita do t’i merrte PS, ndërkohë që për forcat e tjera nuk do të kishte ndryshim. Kështu PS do të merrte 11 mandate, LSI 2 dhe PDIU 1. Ndërkohë që çdo parti tjetër që është në garë që të marrë mandat në këtë qark do duhet që të marrë minimalisht 6800 vota.

Fier

Edhe në Qarkun e Fierit situata është krejtësisht në favor të Partisë Socialiste. Kjo pasi sërish mandatet që mbeten të papërfaqësuara nga mungesa e opozitës do t’i shkonin PS-së. Më konkretisht PS projektohet të marrë 13 mandate, LSI 2 dhe PDIU 1. Partitë e tjera edhe në këtë qark që të marrin një mandat do të duhet të kapin minimalisht 6900 vota. Ndërkohë që LSI-së do i duhen edhe 2 mijë vota për të marrë mandatin e tretë.

Gjirokastra dhe Korça

Në Gjirokastër raporti i mandateve që do të prodhonin zgjedhjet e ardhshme duke llogaritur atë mbi bazën e votave të 2013 do të ishte 4 me 1 në favor të socialistëve. LSI-së edhe në këtë qark do t’i duhen 1100 vota të tjera për të marrë mandatin e dytë në këtë qark. E njëjta situatë paraqitet edhe në Qarkun e Korçës, ku sërish PS do të merrte të gjitha mandatet që aktualisht i zotëron opozita. Ajo do të merrte 9 mandate dhe LSI 2.

Kukësi dhe Lezha

Në Kukës për shkak se numri i mandateve është i pakët, pra vetëm 3 edhe ndryshimi i rezultatit është i vështirë. Kështu PS do të merrte vetëm dy mandate dhe 1 do e marrë LSI. Kujtojmë se aktualisht LSI është e papërfaqësuar në këtë qark. Që një parti tjetër të marrë një mandat në këtë qark do të duhet gjithashtu të mundë LSI, pra të marrë 5700 vota. Ndërsa në Qarkun e Lezhës PS gjithmonë duke përllogaritur mandatet në bazë të votave të 2013-s do të merrte 5 mandatet  dhe LSI vetëm 2.

Shkodër

Qarku i Shkodrës në zgjedhjet e ardhshme edhe pse pa praninë e opozitës pritet të jetë qarku ku mund të ketë një garë të vërtetë edhe mes vetë forcave që janë aktualisht të regjistruara në KQZ. Kjo pasi aty konkurrojnë disa nga emrat e njohur që vijnë nga fusha e biznesit apo që kanë lidhje të forta me zonën. Kështu në rast se do të kishim sërish të njëjtin rezultat votash si në 2013 atëherë mandatet do të ndaheshin 8 PS, 2 LSI dhe 1 PKD. Rezultati në këtë qark do të ndryshonte në rast se PKD nuk do arrinte të merrte më të njëjtin numër votash. Ndërkohë që një forcë tjetër, siç është PSD që kandidon në këtë qark deputetin aktual Tom Doshi apo edhe PDIU që kandidon biznesmenin Said Fishta, do të merrnin mandate vetëm po të kenë afërsisht 4700 vota. Në këtë rast këtë mandat do ta humbiste PKD. Ndërkohë që LSI do merrte mandatin e dytë në rast se do të marrë edhe 900 vota më shumë se në 2013.

Tirana

Qarku i Tiranës për shkak të numrit të madh të deputetëve që nxjerr është edhe më interesanti në shpërndarjen e mandateve, por edhe mundësia më e madhe, ku forcat e tjera të vogla politike kanë shpresë që të nxjerrin deputetë. Duke u bazuar te shifrat e 2013-s, PS do të siguronte plot 28 mandate. Ndërkohë LSI do të merrte 4 dhe FRD dhe PDIU nga 1. LSI mund të marrë mandatin e pestë në Tiranë në rast se në krahasim me 2013 do të arrijë të marrë 200 vota më shumë. Ndërkohë që një partie tjetër që të marrë 1 mandat do t’i duhen minimalisht që të marrë 7140 vota. Dhe kjo vlen për parti të tjera si LIBRA apo Sfida.

Vlora

Qarku i Vlorës nuk bën përjashtim nga fenomeni që ndodh edhe në shumicën e qarqeve të tjera, ku mandatet e opozitës do t’i marrë PS. Ajo do të siguronte 10 mandate, LSI dhe PDIU nga 1. Në qarkun e Vlorës LSI mund të marrë mandatin e dytë në rast se do të arrijë që të marrë edhe 800 vota më shumë se në vitin 2013. Ndërkohë që një forcë tjetër që të marrë një mandat do duhet të marrë minimalisht 5700 vota.

 

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Alexander Sokurov në Tiranë: Pas diktatorëve, kërkon rusët e tij në komunizmin shqiptar

Një nga regjisorët më të mirë rusë të gjallë, Alexander Sokurov, kinemaja...
Read More