Partitë komunitariste të Idrizit dhe Dules kanë të drejtë të lëvizin në çdo koalicion

Nga Ervis Iljazaj

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka takuar ditën e djeshme Lulzim Bashën, duke shpallur në këtë mënyrë kalimin e tij në koalicionin opozitar. Menjëherë kanë filluar paragjykimet, sepse, kjo është një parti politike, që shpeshherë ka ndërruar krahun politik, edhe në kohët e fundit.

Mirëpo, ky është një debat pa kuptim, pasi partia e Shpëtim Idrizit, është një parti që përfaqëson një komunitet të caktuar, komunitetin çam. Në këtë aspekt, nuk është për t’u gjykuar në asnjë mënyrë. Përfaqësimi politik i një partie të tillë, është pothuajse pa një ideologji të qartë dhe të caktuar. Ajo ka si fokus kryesor, përfaqësimin e një komuniteti.

Në këtë kuptim, ka të drejtë të ndryshojë krahun politik për këtë qëllim, sa herë që e shikon të arsyeshme. I vetmi objektiv që duhet të ketë në përzgjedhjen e koalicioneve, është përfaqësimi sa më mirë i komunitetit të tij, pavarësisht ideologjisë të njërit apo tjetrit koalicion.

I njëjti arsyetim vlen të bëhet edhe për partinë e minoritetit të Vangjel Dules, i cili me shumë mundësi do të largohet nga koalicioni opozitar, sepse për arsyet që të gjithë i dimë, nuk mund të qëndrojë bashkë me PDIU.

Edhe kjo parti përfaqëson një komunitet të caktuar, atë të minoritetit grek në Shqipëri. Kështu që, është jonormale dhe e tepërt të pretendosh nga parti të tilla që të mos ndryshojnë krahun politik, apo t’i paragjykosh për lëvizjet e tyre të shpeshta në koalicione të ndryshme.

Aq më tepër që, Shpëtim Idrizi nuk gjendet në Parlament, dhe shumica e deputetëve të tij, në mënyrë autonome, janë duke shkuar të gjithë pranë qeverisë, jashtë çdo lloj orientimi politik të Kryetarit të tyre.

Mirëpo, në mënyrë paradoksale, edhe pse po i largohen deputetët, me largimin e tyre, Shpëtim Idrizi po e rifiton përsëri kontrollin e asaj partie.

Për këtë arsye, PDIU, në zgjedhjet e kaluara, edhe pse arriti të kishte zyrtarisht deputetë të saj në Parlament, mori një rezultat të dobët politik. Sepse, nuk u zgjodh Kryetari i saj, sepse deputetë që u zgjodhën nën logon e saj, tashmë të larguar, nuk kishin asnjë lidhje me historinë dhe filozofinë e PDIU-së.

Kështu që, PDIU dhe Kryetari i saj, dukshëm nuk kishin asnjë kontroll politik mbi to. Prandaj, Shpëtim Idrizi, duhet ta kuptojë që ka gabuar me kandidatura të tilla. Fenomeni me deputetët e PIDU-së së larguar, është rasti tipik kur partitë politike shqiptare, duhet të kuptojnë që, listat nuk bëhen vetëm me njerëz me influencë të zonës dhe që nuk i lidh asgjë me partitë politike që ato kandidojnë, por, me njerëz që politikisht përfaqësojnë vlerat dhe filozofinë e një partie politike.

Prandaj, lëvizje të tilla, të partive më karakter komunitarist të caktuar, nuk janë lëvizje që duhen paragjykuar, dhe të konsiderohet si lëvizje pazari, edhe pse në ndonjë rast mund të jenë. Por, duhen parë në këndvështrimin e natyrës së tyre.

Këto parti nuk e kanë luksin të zgjedhin krahun politik të përhershëm, dhe të jenë koherent në aleancat e tyre. Natyra e tyre specifike, dhe përfaqësimi i tyre politik, është i tillë, që kërkon herë pas here të rimendohen aleancat në interes të komunitet që përfaqësojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi, nuk na duhet shtet, na duhet treg!

Editoriali i vitit Si vetëm tregu mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe fatin...
Read More