Partitë, si “balena blu” për fëmijët dhe adoleshentët

Përdorimi i fëmijëve dhe adoleshentëve në fushatën elektorale dhe pasojat që vijnë nga indoktrinimi i tyre. Përse partitë kryesore priren për të angazhuar në takime moshat e vogla? Mbi fenomenin absurd flasin psikologia Entela Binjaku dhe analisti Afrim Krasniqi

Nga Sebi Alla

Zhurma, muzika, brohoritjet dhe shkundjet e flamujve që së largu të japin ndjesinë ende pa e parë se në sheshin “Nënë Tereza” një parti politike ka miting. Ersi, vetëm 15-vjeçar bashkë me disa shokë, thuajse të së njëjtës moshë, heq kortezhin e të sapohyrëve në adoleshencë. Qëndrojnë në shesh për një “kauzë” të madhe, që kurrë nuk do e harrojnë. Në podiumin e kuq flasin personalitetet e LSI-së, ndërsa fëmijë dhe adoleshentë duhet të valëvisin flamuj, brohorasin dhe shpërndahen në atë shesh ku masiviteti nuk mungon. “Kam ardhur me dëshirë, një kushëri i imi është te LRI-ja dhe na organizoi që të vinim edhe ne”, tregon ai, ndërsa ndërpret bisedën dhe nis të bërtasë me sa ia mban zëri: “Forcë e parë, forcë e parë, forcë e parë…”. Kur e pyesim se nuk lejohet që të marrin pjesë fëmijët në fushatë sheh gjithë habi, ndërsa tregon: “ka edhe më të vegjël se unë, po bëjmë qejf”. Ai është një nga mitingndjekësit i veshur i gjithi “për partinë”, ku bluza e bardhë e përshtatur për mosha të tilla që Ersit me fizik të imët i rri fiks, shkruhet “LSI, një shans për të gjithë”. Kjo mundësi i afrohet atij dhe bashkëmoshatarëve, por nuk janë të vetmit, pasi diku në ndonjë qytet tjetër edhe PS dhe PD nuk janë aq sqimatarë sa të bëjnë një qasje, duke mos përfshirë fëmijët dhe adoleshentët në fushatë aktive. Ky episod u shkëput një javë më parë në mitingun që LSI mbajti në Tiranë, por kjo situatë me angazhimin e moshave të vogla në takime elektorale nuk ndryshon as me dy forcat e tjera PS dhe PD. Partitë shkelin sa ligjin aq edhe personalitetin e fëmijëve të sotëm dhe rinisë së nesërme, duke iu injektuar politikën dhe subjektin që përfaqësojnë në një kohë që ende nuk janë të aftë të gjykojnë. Përballë fenomenit të “lavazhit të trurit” që u bëhet nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe në gjimnazistëve, më të fituar elektoralisht janë partitë, ndërsa të humburit e vërtetë, për ekspertët mbesin pikërisht ata djem dhe vajza që sapo kanë nisur adoleshencën.

“Duhet të kemi parasysh se fëmijët apo adoleshentët janë në një rol të dyfishtë në një fushatë elektorale; si subjekt apo si aktorë aktivë të përfshirë dhe si objekt apo si aktorë pasivë që duhet të vuajnë edhe pasojat e veprimeve apo të mosveprimeve të aktorëve të tjerë”, thotë psikologia Entela Binjaku. Sipas saj, truri i njeriut është i ndërtuar për të thjeshtuar mesazhet që vijnë nga të gjitha anët. Politika shqiptare e përdor pikërisht këtë nevojë që ka mendja njerëzore për mesazhe të thjeshtuara, kjo është edhe një ndër arsyet pse ajo i drejtohet qytetarëve sa më thjesht me mesazhe e batuta që mbahen mend. “Te fëmijët apo adoleshentët kjo mbërrihet më shpejt sepse tek ata perceptimet, stereotipet dhe bindjet krijohen dhe mësohen më thjesht. Për psikologjinë e tyre kjo nënkupton një lloj orientimi për qëllime të ardhshme politike, humbje e aftësisë së vetëvendosjes”, thotë ajo. Ndërsa fëmijët ushqehen me bombardimin e ligjëratave politike, pak mendojnë për pjesën ligjore të këtij fenomeni. “Përdorimi elektoral i moshës nën 16 vjeç përbën shkelje ligjore dhe etike elektorale. Vetë partitë e promovojnë veten si modele të ligjit dhe të shtetit, kurse me akte të tilla, de facto provojnë të kundërtën. Trendi i përdorimit të fëmijëve, sidomos në mitingje dhe takime publike, është sa abuziv aq edhe kërcënim për vetë fëmijën dhe të ardhmen e tij”. Kështu komenton analisti Afrim Krasniqi, që për shumë vite ka studiuar sjelljen e partive politike në fushata dhe kjo e fundit nuk bën ndonjë përjashtim të veçantë për sa i përket shfrytëzimit të imazhit që ofrojnë fëmijët.

Djallëzia për të shkuar deri në indoktrinimin e tyre, duke i përfshirë me metoda joshëse në politikë, ka pasoja të rënda për krijimin e personalitetit në të ardhmen. “Propaganda ndikon dhe kontrollon qëndrimet dhe sjelljet përmes përdorimit të simboleve partiake, me qëllimin e përcjelljes së një teze, ideje apo doktrine. Propaganda ka për synim të formojë qëndrime të caktuara, të kushtëzojë individin duke i kontrolluar dhe manipuluar sjelljen. Si i tillë individi ka një sjellje politike të caktuar, heq dorë nga vlerat, konformohet, heq dorë nga kërkesat për referendum, që nënkupton heqjen dorë nga e drejta civile për t’u shprehur, voton një forcë të caktuar etj”-komenton Binjaku, e cila jep edhe komentin gati shokues, kur shprehet se “ka studime të cilat thonë se ndjekja në ekses e propagandës degradon ose atrofizon disa sensorë të trurit që më kalimin e kohës humbasin edhe aftësinë logjike”. Një ngjashmëri me lojën “balena blu”, ku një mendje djallëzore në Rusi iu ofroi fëmijëve dhe adoleshentëve të kalonin në 50 nivele të lojës dhe në fund ndodhte tragjedia duke u vetëvrarë, ndërsa politika nuk i dërgon në ekstremin fizik, por manipulon mendjet e tyre, për një grusht vota më shumë. “Partitë apo individët që thurin lavde për familjen, vlerat, fëmijët, të ardhmen e sigurt të tyre etj., në fakt e bëjnë këtë kryesisht për shkak se janë të ndërgjegjshëm se bëjnë të kundërtën dhe këtu kanë pikën e dobët. Më përpara ka ndodhur e njëjta gjë me brezin e “ekselencës”. Le të kujtojmë se ata u thirrën në skenë si dekor pikërisht kur pala organizatore akuzohej se ka futur kriminelë në parlament. Dhe për të kompensuar çmimin politik ata promovonin ekselencën – pra skajin tjetër të individëve me rekorde kriminale. Edhe LSI bën të njëjtën, – një model i pastër klientelist që tenton të bëjë për vete viktimat e klientelizmit, fëmijët dhe brezin e ri. E njëjta ndodh edhe me partitë e tjera, përfshirë PD”, komenton Krasniqi. Për të nuk është problemi se po krijojmë militantët e të ardhmes, por sepse pa dijeninë e tyre, po i keqpërdorim dhe ky keqpërdorim do t’iu cenojë të ardhmen e tyre. “Vite më vonë kur ata të shohin fotot e videot me politikanët e korruptuar, me siguri nuk do ndihen mirë”, shprehet ai. Mendja e një fëmijë mbetet më e lehtë për t’u “përpunuar” nga ustallarët e vjetër të partive politike. Në raste të tilla angazhimi i nxënësve nuk është për të sotmen, pasi nuk kanë të drejtën e votës, por shërbejnë për të ardhmen, duke ua krijuar bindjen se politika mbetet mundësia për të pasur edhe karrierë të suksesshme në jetë. “Indoktrinimi sërish luan me psikën. Kur te një fëmijë është ndërhyrë në psikë duke e bombarduar me mesazhe, simbole, pamje, tinguj, pra mesazhe auditive dhe të vizive, ai nis e humbet disa aftësi sensoriale të tjera dhe si i tillë ai mund të veprojë si një objekt, pra si aktor pasiv, i cili nuk arrin të frenohet përballë mesazheve të pakontrolluara, siç janë ato të politizimit ekstrem dhe ju bindet bindjeve të krijuara në kohë”, thotë psikologia Binjaku. Para kësaj forme, që për 27 vite me radhë shfaqet në çdo fushatë, ligji duhet të kishte treguar qoftë edhe një herë të vetme se të ndëshkon nëse përdoren fëmijët, por asnjë rast zbatimi nuk gjendet në të sotmen e shkuarën. “Baza ligjore është por tek ne mungon instrumenti që kontrollon zbatimin e ligjit dhe që ndjek problematikën përmes sistemit të drejtësisë. Prokuroria mund të ndërhyjë kryesisht, por ajo vijon të mbetet jashtë funksionit elektoral”, thotë Krasniqi, ndërsa jo pak përgjegjës bën edhe aktorët e tjerë si Grupet civile që do të duhet të luanin një rol më aktiv: media, Avokati i Popullit, etj. “Përderisa nuk ka asnjë padi në gjykatë, deklarimet kritike nuk kanë ndonjë vlerë dhe as impakt detyrues të palëve të ndryshojnë qëndrim”, thotë ai. Fëmijët që u bënë pjesë e fushatës ndonëse nuk kanë të drejtën e votës, “kontributin” do e japin me tifozllëk, pa e kuptuar se pasojat në psikikën e tyre tashmë kanë mbetur.

Shkruar Nga
More from revista mapo

E nxjerr në shitje votën time

Nga Ndriçim Kulla Unë Ndriçim Kulla, botues, studiues, ish-pedagog, publicist, në këto...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.