Parulla e Mehmet Shehut në shtypin botëror: Pështymë surratit, grusht hundëve e plumb ballit

mehmet shehuHistoriania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë

Cila ishte parulla e Mehmet Shehut në kongres, që u përhap me shpejtësi nga i gjithë shtypi botëror? Cila ishte atmosfera në prag të prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga “Ideart”, sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht. “Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqindvjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

***

Më 13 shkurt të vitit 1961, u hap kongresi i IV i PPSH-së. Analiza e rezultateve të ndërtimit socialist në vitet e pesëvjeçarit të dytë u bë brenda kornizave të zakonshme të tubimeve partiako-ekonomike: arritje, disa mosarritje, detyrat për të ardhmen. Raporti i gjatë politik i E.Hoxhës u ndërpre nga duartrokitje të stuhishme dhe brohoritje, deri në ngjirjen e zërit: “Enver-Parti”, dhe “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!”. Këto thirrje në gjuhën shqipe rimojnë mirë. Një nga miqtë e huaj, të ftuar në Kongres, u ngatërrua në numërimin e çasteve, kur delegatët kërcenin nga vendet dhe shpërthenin në thirrje të fuqishme. Në fjalimin e Hoxhës nuk ndihej as aludimi më i zbehtë për akuzat, që ai ngriti kundër PKBS-së në mbledhjen e Moskës. Përkundrazi, ai theksoi gjithanshmërinë e përvojës së BRSS-së, ngriti lart ndihmën e madhe internacionaliste, që BRSS-ja i kishte dhënë dhe i jepte Shqipërisë. Betimet për besnikërinë ndaj parimeve të miqësisë me popullin sovjetik përshkuan, në kuptimin e plotë të fjalës, diskutimet e delegatëve të kongresit dhe u pasqyruan në rezolutat e tij.

Kryetari i Këshillit të Ministrave, M.Shehu, i cili mbajti raportin mbi direktivat e planit të tretë pesëvjeçar, porositi delegatët e bazës të luftonin për realizimin e planeve ekonomike, për të çrrënjosur nga ndërgjegjja mbeturinat e dëmshme të së kaluarës dhe kjo u theksua në mënyrë të veçantë, për të forcuar vigjilencën revolucionare. Kësaj të fundit, që lidhej ngushtë me demaskimin e “revizionizmit modern” (d.m.th. sovjetik), iu dha rëndësi e madhe. Pjesa përmbyllëse e raportit të Shehut dukej sikur u përgjigjej kritikave, që u bënë në mbledhjen e Moskës në adresë të PPSH-së. Në mënyrë të papërcaktuar, ai hodhi poshtë akuzat për nacionalizëm, dogmatizëm dhe mosnjohje të teorisë, me pohimin bosh, por të prerë: “Ne na akuzojnë, sepse jemi të panjollosur dhe marksistë të vendosur deri në fund”. Pas thirrjeve, që u dëgjuan në sallë (“Mirë e the shoku Mehmet”!), oratori theksoi se uniteti i radhëve të saj e kishte ndihmuar përherë PPSH-në t’u qëndronte presioneve të armiqve dhe përfundoi frazën, e cila u përhap nga i tërë shtypi botëror: “Kush prek këtë unitet, do të marrë vetëm një përgjigje nga partia dhe populli ynë-pështymën surratit, grushtin hundëve e po të jetë nevoja dhe plumbin ballit! Ne nuk dimë t’i përgjigjemi ndryshe atyre, që duan të varrosin unitetin tonë”.

Në fund të prillit të vitit 1961, u mbajt kongresi i V-të i bashkimeve profesionale të Shqipërisë. Në përshëndetjen e KQ të PPSH-së drejtuar kongresit thuhej se, politika e jashtme e Shqipërisë synon në radhë të parë miqësinë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Sovjetik dhe “nuk ka forcë apo intrigë, që mund të ndajë popullin tonë nga popujt e Bashkimit Sovjetik”. Këto fjalë, të vendosura në kolonën e parë të gazetës “Zëri i Popullit” të 25 prillit, kishin përbri me germa të theksuara njoftimin se në Pekin qenë nënshkruar tre dokumente për marrëdhënie ekonomike midis RPK-së dhe RPSH-së: protokolli për dhënien nga Kina të pajisjeve të plota dhe ndihmë teknike për ndërtimin e 25 ndërmarrjeve industriale në Shqipëri; protokolli për kushtet e këmbimit të specialistëve; protokolli për përdorimin e kredisë kineze, sipas marrëveshjes të arritur që më 2 shkurt të vitit 1961. Përmasat e ndihmës dukeshin mjaft mbresëlënëse: 112 milionë e 500 mijë rubla valutë. Në komunikatën zyrtare nënvizohej mirënjohja e popullit shqiptar për “gatishmërinë jashtëzakonisht të shpejtë për të dhënë ndihmë internacionale”, ndërsa pala kineze shprehte kënaqësinë, “për mbështetjen e përhershme vëllazërore që kishte patur populli kinez nga KQ i PPSH-së, qeveria e RPSH-së dhe populli shqiptar”.

Gjithçka qe vënë në vendin e vet. Propaganda e brendshme lëshoi parullën e re: “Një ditë po të mos hajë Kina e madhe, do të hajë Shqipëria një vit”. Flitej për perspektivat e shkëlqyera të industrializimit të vendit, sepse ndihma e njëhershme kineze ishte më e madhe se të gjitha kreditë e mëparshme sovjetike. Në qarkullim ishte hedhur gjithçka, që nga pickimet e pandjeshme deri te goditjet e mëdha politike. U helmua në ndërgjegjen e popullit kujtimi për marrëdhëniet e dikurshme miqësore shqiptaro-sovjetike. Specialistët sovjetikë punonin akoma në Shqipëri, por ata qenë vënë në kushte të tilla izolimi moral e vëzhgimi policor, sa u bë e pakuptimtë, nga pikëpamja praktike dhe fyese për dinjitetin njerëzor, qëndrimi i tyre i mëtejshëm. Në një sërë ndërmarrjesh, me nismën e drejtuesve të tyre, u fshinë nga makineritë e pajisjet sovjetike stampat e uzinave prodhuese (p.sh., në uzinën e përpunimit të naftës në Cërrik).

Në gjysmën e parë të vitit 1961, në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit si dhe në disa nëndetëse, në të cilat për qëllim mësimor shërbenin ekuipazhe të përziera sovjeto-shqiptare, u krijua një gjendje e tensionuar. Detarët sovjetikë qenë të detyruar të shërbenin në një atmosferë dyshimi, pretekstesh të vogla e kontrollesh të përhershme. KQ i PKBS-së u dërgoi atyre një letër të posaçme, me anën e së cilës i porosiste të përmbanin shpërthimet e mundshme emocionale dhe u bënte thirrje ta kalonin në qetësi vitin e shërbimit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

E nxjerr në shitje votën time

Nga Ndriçim Kulla Unë Ndriçim Kulla, botues, studiues, ish-pedagog, publicist, në këto...
Read More