Pas 20 vitesh, Republika do të ketë përsëri një President të fortë

Nga Ervis Iljazaj

Që nga koha kur President ka qenë Sali Berisha, Republika e Shqipërisë ka patur në krye të atij institucioni figura politike me pak ose aspak peshë politike. Herë kanë qenë konsensual dhe herë partiak, por e përbashkëta e tyre është fakti se asnjëherë nuk kanë mundur të ndikojnë thelbësisht jetën politike me veprimet apo qëndrimet e tyre.

Mbas një periudhe 20-vjeçare, të Hënën, vendi do të ketë një President i cili me shumë gjasa do të jetë shumë ndryshe nga paraardhësi e tij për faktin se Ilir Meta, jo vetëm që është një figurë politike e fortë, por, është de facto kryetar i njërës nga partive kryesorë të opozitës. Edhe pse formalisht nuk është më në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, karizma dhe pesha e tij brenda asaj partie është e pashmangshme.

Në këtë mënyrë jeta politike dhe marrëdhëniet midis dy institucioneve, qeverisë dhe presidencës, priten të jenë më së paku kurioze për të parë se si do të ndërtohet ajo midis dy rivalëve politikë brenda të majtës, Metës dhe Ramës.

Me reformat kushtetuese, kompetencat e Presidentit të Republikës janë ulur ndjeshëm, megjithatë, roli i këtij institucioni varet shpesh nga personaliteti i njeriut që merr atë post dhe, personaliteti politik i Metës kalon përtej kompetencave formale që ka presidenca.

Shpeshherë rëndësia që ka Presidenti në republikat parlamentare varet nga konteksti politik. Nëse klima politike është bashkëpunuese , atëherë roli i tij kthehet në formal dhe ceremonial. Por, nëse klima politike, siç ndodh në shumicën e rasteve në vendin tonë, është konfliktuale, atëherë roli i Presidentit bëhet i rëndësishëm. Kompetencat e tij janë në formën e një fizarmonike, hapen dhe mbyllen ne varësi të situatës politike.

Si do të jetë sjellja e Metës në këto raste? A do të ndikohet veprimtaria e tij nga konflikti i interesit politik që ai ka apo do t’i përmbahet plotësisht rolit të ri të tij?

Kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e sigurt, që Meta në krye të presidencës nuk do të jetë një kafshatë e lehtë për mazhorancën qeverisëse.

E rëndësishme është që të sigurohet ndarja e pushteteve dhe jo konfliktualiteti i tyre. Që institucioni i presidencës i përket një partie të ndryshme nga ajo e mazhorancës qeverisëse, kjo në pamje të parë mund të duket si e shëndetshme për balancimin dhe ndarjen e pushteteve, por nëse në krye të atij institucioni ndodhet një figurë dhe protagonist i fortë politik si Ilir Meta, atëherë kjo marrëdhënie rrezikon të kthehet në një konflikt, i cili dëmton në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet kushtetuese që duhet të ekzistojnë midis tyre, aq më tepër në një kontekst të tillë.

Eksperienca e zotit Meta mund të jetë shumë e vlefshme nëse vërtet arrin të dalë mbi palët. Precedentët me konflikte midis mazhorancës dhe institucionit të presidencës kanë qenë prezentë në politikën shqiptare. Mjafton të përmendim presidencën e fundit për të kuptuar se si respekti ndaj këtij institucioni është ulur në nivelet më të ulëta historike. Kështu që të kesh në krye të shtetit një person i cili vjen nga një parti e ndryshme e asaj të mazhorancës nuk do të thotë automatikisht ndarje pushtetesh. Ndarja e pushteteve do të thotë secili në zyrën dhe në detyrat e tij, në të kundërt ajo kalon në një konflikt të parikuperueshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria e Katanias dorëzon dosjen “Habilaj”, zbardhet misioni në Tiranë

Dosja “Habilaj” është rikthyer sërish në vëmendje me disa zhvillime të rëndësishme....
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.