“Pashë ëndërr me fëmijët e tu” SMS të frikshme regjisorit shqiptar

Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur një regjisori të njohur shqiptar, autor i disa filmave kinematografikë. Një person me inicialet K.S i ka kërkuar punë, por kur regjisori i njohur me inicialet R.B, ka refuzuar ta punësojë, personi ka filluar ta përndjekë me mesazhe të frikshme dhe të lemerishëm.

Personi që tashmë është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 666 mijë lekë të vjetra, i ka dërguar herë pas here mesazhe të frikshme regjisorit dhe gruas së tij, duke i përmendur fëmijët e tyre dhe se diçka e keqe ka për ti ndodhur përpara se ata të mbushin 18 vjeç.

Nisur nga këto sms të frikshme regjisori R.B, i është drejtuar në datën 2 shkurt 2017 komisariatit nr.2 në Tiranë, duke depozituar kallëzim penal kundër shtetasit K.S. Ky është kallëzimi i dytë që kishte bërë regjisori ndaj këtij personi, kallëzim të cilin ka kërkuar ta ndjekë deri në fund rrugën ligjore.

Sipas kallëzuesit më datë 01 shkurt 2017, rreth orës 22:00,shtetasi K.S që përdor numrin e telefonit 069655XXX, në vazhdim të veprimeve të tij, i ka dërguar një SMS shqetësuese në telefonin e kallëzuesit me nr. 069XXXX04 me përmbajtje: ”…kur të ikni me xhirime jashtë Tirane merrni fëmijët me vete, me ju do të jenë më të sigurt dhe se njërin do ta humbni para se të mbushë 18 vjeç…”. “…unë dhe familja ime, jemi ndier të kërcënuar dhe të shqetësuar nga ky shtetas…”-vazhdon në kallëzimin e tij regjisori R.B, prandaj kam paraqitur në polici kallëzim penal kundër tij.

“Kam parë ëndërr me fëmijët e tu”
Oficerët e Policisë Gjyqësore, sipas procesverbalit të datës 2 shkurt 2017, kanë kryer edhe këqyrjen e aparatit telefonik të shtetasit K.S, ku bazuar këqyrjes së kryer rezulton se më datë 1 shkurt 2017, ora 21:12, ne këtë numër telefoni, në rubrikën “Messages”, ka ardhur një sms nga numri telefonik 069655XXX në përdorim të pandehurit K.S me përmbajtje :”…do të vi një ditë, ku shtatë ditë do qani për të ardhmen tuaj.

Do të jetë një ditë para se të bëhen madhor kur ju do qani humbjen e së ardhmes tuaj. Shtatë ditë do ju vinë t’ju ngushëllojnë por asnjëherë s’do gjeni ngushëllim për veç se në pendimin në Allah. Fjalë për fjalë siç e kam parë në ëndërr po jua dërgoj. Kur të ikni me xhirime jashtë Tirane merrni fëmijët me vete me ju do jeni më të sigurt edhe se njërin do e humbni para te 18. Siç po ju thoja fjalë për fjalë ëndrra që pashë se a me drejtohem mua a juve po në ëndërr mu bë si përfytyrimi i djalit tuaj të madh”.

Nuk shfaq pendesë
I pyetur me cilësinë e personit ndaj te cilit zhvillohen hetime shtetasi me inicialet K.S ka deklaruar se :”… pranon faktin se i ka dërguar sms regjisorit të njohur, por pretendon se telefonat që kishte bëre me këtë shtetas kanë qenë për marrëdhënie pune. Ka qenë një ëndërr e tij dhe nuk ka dashur ti shqetësojë ato si dhe pohon se këtë sms ja ka dërguar edhe bashkëshortes së regjisorit të njohur.

Pavarësisht se K.S nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se mbante të njëjtin qëndrim për ngjarjen siç ka shpjeguar gjatë hetimeve, gjykata e Tiranës e ka dënuar me 666 mijë lekë të vjetra për akuzën e “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

Shkruar Nga
More from Revista User

Maturantja bën kallëzim penal: na kanë ndërhyrë në sistem!

Matura Shtetërore e këtij viti u shoqërua me debate e ankesa të...
Read More