“Pashkët në burg” të prof. Zef V. Nekajt

Nga Leonora Laçi

Prof. Zef V. Nekaj ka lindur në Domgjon të Mirditës. Jetoi përgjatë viteve 1919-2003. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas mbaroi Shkollën Normale të Elbasanit në vitin 1939. Përgjatë pushtimit fashist shërbeu si mësues në; Mirditë, Peshkopi, Prizren, Gjakovë. Në vitet 1940-1945 ishte mësimdhënës dhe zv/drejtori i shkollës Normale në Gjakovë. Në vitet 1945-1949 bëri burg në Jugosllavi (pasi burgu u thye doli në mal), në vitet 1950-1951 ishte editor e përkthyes i Komisionit Pedagogjik në Prishtinë nën kryesinë e prof. Zekaria Rexhës. Jetoi për ca kohë dhe në Itali e më pas në SHBA e Kanada. Në vitet 1951-1956 ishte krye/editor i seksionit të kulturës në gazetën “L’Albanie Libre” si dhe bashkëpunëtor i shumë revistave e gazetave në mërgim.

Në vitet 1957-1958 punoi në New York SHBA. Në vitet 1958-1974 ishte instruktor i shqipes, bashkëpunues i teksteve të gjuhës shqipe e specialist i kulturës e gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve të Huaja për Mbrojtje, Monterey Kaliforni. Në vitin 1964 u diplomua në gjuhën e letërsinë ruse në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Monterey të Kalifornisë, në 1975 mori MA në edukatë e linguistikë nga Universiteti i Berkeley të Kalifornisë. Më pas në 1982 do përgatiste studentët kandidat për doktoratë në gjuhën shqipe e për Shqipërinë. Në 1984 doli në pension por vazhdoi të ishte prapë aktiv. Njihet si bashkëpunëtor i shumë revistave e gazetave të komunitetit shqiptar në SHBA e Itali kryesisht. Ka qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, si: serbokroatisht, anglisht, rusisht, italisht etj. Ku ka përkthyer shumë botime të autorëve të huaj. Të dhënat për jetën e tij janë të zymta fatkeqësisht duke qenë se ishte ndër personalitetet më aktive të diasporës shqiptare dhe një pendë e fortë, ku nga ai gjejmë mjaft artikuj të nivelit të lartë. Këtë të dhëna i mora shkurtimisht në letërkëmbimet “Kuvend Letrash me Miqtë- Mustafa Merlika- Kruja-Familja Gjomarkaj, Zef V. Nekaj” I, OMSCA-1, Tiranë, 2012. Më poshtë do sjellë një shkrim të botuar në “Shejzat” e prof. Ernest Koliqit në numrat 1-2 të vitit 1966, i cili kujton periudhën e burgut vitin 1947, dhe se si myslimani shqiptar i Kosovës iu bë vëlla dhe festuan Pashkët së bashku.

***

(Nga kujtimet e Kukavicës të Zef Vorf Nekajt)

Thonë se shoku i vuejtjeve bahet ma vlla se vllau, sepse prej vllaut njeriu pret gjithëmonë dhe ndihma qi ai t’ep nuk përmban në vetvete të papritmen e çudin. Mu përkundrazi ngjet me ndihmen e papritun të njeriut të panjoftun, me të cilin mundet me të bashkue fati e vuejtjet e përbashkëta. Vetmohimi i njanit për tjetrin nder këso rasash spiegon shpeshherë edhe fanatizmin ideologjik qi piqet në të njajtën furrë, çementon të vuejtunit, të cilët, kur i a dalin në krye, priren me e këthye rendin shoqnuer në diktaturë. E nuk duhet të çuditemi shum, sepse këto janë rrethana qi lanë mbresa aq të pashlyeme në jetë, sa nuk del arsye me i shrrajosë e me u ra ndesh.

Ato lidhen aq ngusht me jetën sa sosin me të.

Në ditët ma të vështira të jetës sime në burgun e Nishtit, sidoemos gjatë vjetit 1947, kishem ra aq ngusht e vuejtë aq tepër, mezi më mbajshin kambët: pa njiri t’afërm me më pa e ndihmue, laskurue teshash, barku ba petë e ngjitë për kurrizi, krrutzue e ba si krande e thame në degë, fytyra zverdhë e ba si gjethe duhani para vjelies e lekura ngjitë për asht. M’a thotë mendja se me më pasë qitë për provë në Pazar n’ato ditë, cok ndokush do t’i ishte shmangë rrugës o nga neverija o nga frika se mos ndoshta dikush qenka çue lugat. Po na aty në burg nuk i bâjshim shum përshtypje njani tjetrit, sepse pak a shum secili shkonte marrakâmbas e i kishte mbetë fryma në pe e në kashtë. Për atë qi i shkimej jeta na i thojshim pa ndrojtje njani tjetrit: “I lumi ai qi shpëtoi!” Si shum tjerë, edhe unë e pritshem atë ditë shpëtimi, qi nuk erdh asohere; ndoshta kot… Duket veç se njeriu i qindrueka së keqes mâ zi se gjarpni nën gur ose qenka si bari qi thahet krejt e duket se mbaroi e la vendin bokë, por me shiun e parë përtrihet e bleron.

Me këtë kujtim nuk po dishiroj me vu në pah, pak ditë të vështira qi më ra me kalue. Qëllimi im asht me theksue se kush m’a ngjiti dorën e kush m’a këthei frymën qi ishte ha-ha kah del. Le të jenë pra këto kujtime si peng nderimi e vllaznimi për atë ndjetmirë bashkë me familjen e tij, emnat e të cilëvet- për ironi të fatit – ende nuk mund t’i shenoj.

***

Ishte dhjetori i 1947 kur na nxuerën nji radhë prej 3000 vetësh nga burgu i Nishit dhe na çuen në Malet e Kukavicës (Qyqes), nja dy orë me kamion larg Leskovcit. Atje rrxojshim aha e pisha për trungje e landë ndërtimi, e çajshim e cungojshim dru zjarmi me normë 3 m për shoq në ditë.

Puna më bashkoi e më bani më u njoftë me nji mësues Kosovar i cili ndau me mue bukën e gojës (paqetat qi i bijshin), gëzofin e shtrojes e teshat e mblojës pa kurrfarë të fshâmje e mbrapamendimi. Për mâ tepër se dy vjet e gjysëm qi kaluem së bashku n’atë vend të brishtë e të ftohtë kurr nuk e ndigjova tue thanë “M’erdh paqeta”, por “Na erdh paqeta”, “M’erdh letra”, por “Na erdh letra” kurr nuk tha se “U lodha” por “A u lodhe?”. Ai më shpëtoi e bani pjesë të jetës së tij e ndiente ma gëzim me nda me mue, qi simbas tij ishem jabanxhi, se sa me hangër e me mbajtë për vete ose me nda me tjerët. Kësi shembullash mirëkuptimit e solidarsije nuk ishin të pakta ndër kosovarë pa marrë parasysh shkallën e tyne shoqnore e vetë- ose – pavetëdijen për të cilën ishin tue përjetue ato të zeza; prandej nuk dij se si do të kishem mujtë me ia a gjetë vegzën me e kujtue bujarin e vetmohimin e atij mësuesi Kosovar, po të mos kishte ndodhë ajo qi po shënoj këtu poshtë. Të Shtunden e Madhe 1948 shoqit tim i vijnë e âma dhe e motra me e vizitue dhe kërkojnë nga drejtorija e burgut me më pa edhe mue. Kjo ishte nji gja e pamundun, mbasi rregulli i drejtoris lejonte vetëm takimin e atyne të burgosunve, mbiemni i të cilëve përkonte me vizituesit. Kështu pra rojet thirren vetëm shokun tim; mirëpo kur ai shkon me u-falë me t’amen e të motren ato i thonë se dojshin me u njoftë e me –u pâ edhe me at “jabanxhin katolik” prej Shqipnije qi ka ditën e Pashkëve nesër. Shoqi im i përkthen rojes dishiren e tyne dhe i thotë se ai nuk mund t’a bâjë takimin. Roja e çon në drejtori, së cilës, natyrisht nuk i bâhet vonë se s’po takoheshim na me njani tjetrin. Mbasdrekja e së Shtundes së Madhe u-thye. Nanë e bijë qindrojnë anash me shportapërpara ndërsa kryheshin takimet e rendomta por as për ato, as për ne ajo vizitë e ai takim nuk ishin gjâ e rendomtë. Të gjithë vizituesit u-kthyen në qytet dhe s’mbeti mâ as kamion as tjetër mjet udhëtimi për Leskovc. Ato të dyja i zû nata skâi pyllit para barakavet të drejtoris e milicis, e cila n’orën gjashtë, si zakonisht, i uli pallzinat qi mbyllshin derën e kampit.

Barakat e kampit ishin të vendosuna krej afër shtratit të nji lumi, i cili çante dy shpatije të ngushta pothuej gjithkund në formën e “V-s”, kështu ai dielli ende s’i kishte lâ ato vende aq sa me shkri boren. Nanë e bijë vendosën me e kalue natën n’atë ngricë e acarim qi nga drita e hanës dukej se po qiite gaca të ftofti, të cilat të hyjshin për palc edhe sikur t’ishte tue ecë e jo mâ tue ndejtë. As lutjet e mija e as ato të shokëvet tjerë tue përfshi edhe këshillat e rojevet nuk e bindën shoqin tim të shkonte me u-pâ me nanë e motër, sepse ato ia kishin pre shkurt se nuk do të këtheheshin pa e krye qellimin për të cilin kishin ardhë. Ato e kaluen gjithë natën e gjatë mbi atë borë të ngrime, ndeje kacuk pranë nji zjarmi të vogël buashkash e krandesh. Ashtu aty, pa luejtë vendit, të ngathuna e të mardhuna, si dy kërcuna qi kanë marrë zjarm por s’digjen prej lagështinës, i çeli drita. Na nuk shtimë gjum në sy, por nemose ishim nën mbulojë; po kush mund t’a marri me mend se çfarë kuvendi do të kenë bâ gjithë natën ato dy sokolesha?

Dikur kah gjysma e paradrekes filluen me ardhë vizituesit e së Dieles së Pashkëvet. Ato provuen edhe nji herë me e ba takimin simbas kushtevet të tyne të ditës së kalueme, por qe e kotë. Shoqi im u-thirr në drejtori t’i bindte me u- këthye ose përndryshe do t’i merrshin teposhtë me përdhunë, por ato s’e luejten kambën vendit, e s’pat zot t’i bindte. Ato priten gjithë të Dielen e Pashkëvet derisa përsëri nuk mbeti mâ asnji vizitues. Dielli prendoi për të dytën herë për ato dy vizituese të çuditëshme, për qindresën e të cilavet filloi me folë krejt kampi.

Mâ në fund, pak para muzgut, erdhën dy roje, të cilat na shoqnuen për të bâ takimin qi u-duk i pamundshëm. Unë e ndiejshem veten fajtuer për vuejtjet e tyne dhe tue ecë ndërmjet rojeve më kapërthyen gjithfarë mendimesh e ngushtimesh. E vetmja gjâ për të cilën qesh i zoti me e bindë veten para takimit qe se ato ishin shum ma të forta se unë e se shumica jonë qi punojshim aty deri më 16 orë në ditë nën kamxhik e mitraloz.

Tue ia shtri rojes shportën pil e për maje me gjithëfare së mirash, nana e shoqit më tha: “T’na falësh zotni Zef, se pasha besën vetëm mish thiu s’kemi mujtë me shkue në Shkup e me të ble, se për tjerat i ke tamam si me t’i pasë bâ gati nana e motra jote.” Nuk e mbaj mend si e falënderova, sepse nuk më shpërblei goja nga mallëngjimi: fara s’mbillet në fortunë e as lotët s’mujta me i përmbajtë. Edhe atyne u-rrodhën lotët rrkajë e filluen me dnesë: ndërsa shoqi im, si e kishte shpeshherë zakon, i a shpërthei gazit me sa fuqi pati tue na thanë: “Hajde tash, mos u-përqyrrni, mbasi fituem davan!” Pa u-dorëzue paqeta ai mori dy nga grumbulli i vevet të shkrueme qi vuni roja mbi trapezë dhe më ftoi me cikrrue për Pashkë. Ndërmjet gjith atyne të mirave, nana e shokut tim kishte pru edhe nji shishe raki cermë, të cilën roja, natyrisht, nuk na e lejoi, por kosovarja i tha rojes o t’a pinte me shokët e tij ose t’ia çonte drejtorit të burgut nga ana e saj me e falenderue qi ma në fund i a çoi dishirin në vend.

Kur mbaroi vizita pat ra muzgu e nanë e bijë u nisën më kambë sheshjollit të mbuluem me borë të ngrime për t’udhëtue nja tri orë derisa të hasshin në katundin, ma t’afërm të Fushës së Leskovcit.

Për habi të madhe tonën, drejtori i burgut as u a kishte lanë shishen e rakis rojeve milice, as e kishte mbajtë për vete, por ia kishte dhanë kurririt të na e binte menjiherë tue e porositë të na thonte këto fjalë: “Drejtori ban kët përjashtim jo për ju reaksionarët, po për nderim t’atyne dy shqiptareve kryeneçe…”. Kurriri na gjeti në breg të lumit qi ndante sheshjollin nga barrakat. Prej aty unë e shoqi po i përcjellshim ,e duer e sy nanë e bijë të cilave ma fort i u-dallojshin hijet se trupat, por ato na dallojshin ne nga dritat e patalokut ku shpërndahej gjella. Shoqi im s’i a bani as nji as dy, por mori shishen nga dora e kurririt dhe e ngriti në dritën e kalbitrit qi ai mbante me vete për t’ia pa shishen e ama dhe e motra. Ato u-ndalen, shikuen pak me duer mbi ballë e mandej i vumë re se e motra e shoqit i u-suell s’amës dy herë për rreth tue këcye si ftujë dhe e kacarroi. Ky qe sheji i fitores së tyne të dyanëshme. Kjo ka qenë dhe si duket do të mbetet ma e madhja dhe ma e mallëngjyeshmja Pashkë në jetën time – Pashkë në burg me nanë e motër e vlla muslimanë.

Ky shkrim i risjellë në vëmendje, është si mesazh urues për Pashkët e këtij viti, që shembuj të tillë bashkëjetese e dashuri vëllazërore, siç na e paraqet një nga personalitetet më të shquara të mërgatës politike shqiptare të mesit të shek. XX profesor Zef V. Nekaj të jenë të pranishme në mesin tonë ashtu siç na e kanë përcjellë rilindasit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Majlinda Myftaraj: Si i gjeta në UET ato çka më mungonin në Universitetin Publik

Si pjesë e rrjetit të ish-studentëve, UET Alumni, Majlinda Myftaraj rrëfen arsyet...
Read More