Pavarësia e Shqipërisë: Moment dhe zhvillim i rëndësishëm gjeopolitik

Nga Dritan Egro*

Të ndodhura në aksin mes Romës dhe Stambollit, por edhe në pozicionin që mund të kyçë qarkullimin në detin Adriatik në aksin veri-jug, tokat shqiptare për shekuj kanë qenë pjesë e historisë së madhe. Por pikërisht falë këtij pozicioni gjeopolitik ato kanë njohur edhe pengesa të mëdha në procesin e organizimit dhe të shtetformimit.

Në kohërat moderne Çështja Shqiptare përbën një fenomen par excellance në rajon, pasi shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që nuk mori nga pas mbështetjen konstante të ndonjë fuqie të madhe të kohës. Duke mos e pasur këtë mbështetje, çështja shqiptare nuk u përfshi si çështje për zgjidhje në asnjë projekt të hartuar nga të mëdhenjtë e kohës kur nga Ballkani të dëboheshin osmanët.

Konvertimi masiv në Islam përcaktoi në masë dërrmuese fatin historik të shqiptarëve në shek. 19-20. Në shekujt e parë të sundimit osman shqiptarët arritën të ngjiteshin në të gjitha nivelet drejtuese të perandorisë, kurse në shek. 19 konvertimi masiv në besimin islam dëshmoi se kishte krijuar një realitet që do të punonte në disfavor të interesave të tyre kombëtarë. Duke qenë se Fuqitë e Mëdha vunë shenjën e barazimit mes shqiptarëve myslimanë dhe turqve osmanë, fati politik i shqiptarëve shihej i lidhur fort me fatin politik të turqve osmanë.

Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, sundimi osman në Ballkan legalizoi fundin e tij. Bota islame u tërhoq nga Ballkani në Anadoll, që ishte stacioni më i afërt ku për Europën politike duhet të fillonte bota islame. Bashkë me pavarësimin e Shqipërisë po ndodhte tërheqja gjeopolitike e botës islame në brigjet e Egjeut, çka parakuptonte edhe rikthimin politik e kulturor të Ballkanit në Europë.

Cili ishte efekti i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në kontekstin e zgjidhjes së të ashtuquajturës Çështje Lindore, e cila prej shekujsh kishte orientuar projektet për ribërjen politike të Ballkanit dhe të Anadollit, çka parakuptonte copëtimin e Perandorisë Osmane. Le t’i hedhim një vështrim të shkurtër retrospektiv kësaj çështjeje që mbante të lidhur fort edhe fatin politik të shqiptarëve.

Çështja lindore fillesat e saj i ka me rënien e Kostandinopojës (maj 1453) në duart e osmanëve dhe me perceptimin e kësaj ngjarjeje nga vendet e Europës Perëndimore si një ngjarje e kobshme, e cila nuk kishte rrugë tjetër zgjidhjeje veçse atë që Kostandinopoja i duhej kthyer botës së krishterë, ashtu siç kishte qenë më parë. Pra, për Europën Perëndimore objektivi minimal ishte dëbimi i turqve osmanë nga Ballkani dhe rimarrja e Kostandinopojës, ndërsa objektivi maksimal ishte dëbimi turqve edhe nga Anadolli dhe çlirimi i vendeve të shenjta në Lindjen e Mesme/Jerusalem nga sundimi mysliman. Pra, çështja lindore lindi si një çështje mes Europës Katolike dhe Perandorisë Osmane, me besim zyrtar Islamin. Për të mos ia lënë në dorë trashëgiminë romake sulltan Mehmetit II pas marrjes së Stambollit (1453), Perandoria Habsburge veten filloi ta quante Perandoria e Shenjtë Romake. Nga ana tjetër, cari rus Ivani III, i mbiquajturi I Madhi, përmes martesës me Sofinë (1472), mbesë e perandorit të fundit të Bizantit, do të hidhte themelin për pretendimet e mëvonshme të Perandorisë Ruse se Kostandinopoja duhet të ishte kryeqyteti i Romës së Tretë, por tashmë nën flamurin rus.

Shteti osman me zgjerimin e tij të shpejtë në shek. 15-16 e ribëri botën e atëhershme mesjetare, madje e ribëri atë pa pyetur asnjë nga shtetet rivale të kohës, qofshin ato të krishtera europiane, apo edhe ato myslimane të Lindjes së Mesme. Bota islame me kufij të atëhershëm perëndimorë deri në detin Egje tanimë u zgjerua deri në Adriatik dhe përmes dy rrethimeve të Vjenës (1537, 1683-1699) osmanët e kërcënuan seriozisht ekzistencën e qytetërimit të krishterë europian. Nga shek. 16 e deri në momentin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë kufiri mes botës së krishterë dhe asaj islame u bë deti Adriatik. Pra, vendosja e sundimit osman aksin kufitar qytetërimor e zhvendosi nga deti Egje në detin Adriatik. Ndërsa Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në 1912 këtë aks e zhvendosi aty ku ishte para tre shekujsh, në detin Egje.

Faktori më i rëndësishëm që përshpejtoi këtë zhvendosje pllakash tektonike ishte Rusia. Në vitin 1686 ajo aderoi në Ligën e Shenjtë (Perandoria Habsburge, Polonia, Venediku), ndërsa Vjena ishte e rrethuar nga osmanët. Me shqiptarët myslimanë Rusia do të përballej në momentin që ajo shpalosi ambicien e saj për dalje në detin Adriatik; përmbushjen e këtij misioni Rusia do t’ia delegonte formacionit politik që do të krijonte në Serbi. Mosqenia sllav për nga origjina dhe në shumicë jo ortodokse do të sillte edhe qëndrimin e ashpër të Rusisë ndaj shqiptarëve, pasi shqiptarët pengonin daljen sllave në Adriatik, duke u bërë pengesë për realizimin e një prej objektivave strategjikë të Rusisë, objektiv ky i përcaktuar qysh në kohën e Pjetrit të Madh.

Të lidhur me shumë fije pushteti me sunduesin osman, shqiptarët u konsideruan si mbetje e turqve në Ballkan. Kështu shqiptarët duhet të kishin të njëjtin fat politik që do të kishin edhe turqit osmanë: dëbimin nga Ballkani.

Nga ana e saj, Perandoria Osmane për asnjë moment nuk dha shenjë që shqiptarët do t’i lejonte të shkëputeshin, ndonëse elita myslimane shqiptare shkëputjen prej saj dhe përpjekjet për krijimin e një bërthame shtetërore shqiptare i bëri qysh në nëntor 1828. Ky qëndrim i ashpër osman ka të bëjë me faktin që shtetarët osmanë nuk e çonin nëpër mend rënien e perandorisë në Ballkan, por edhe aq më tepër faktin që, në aspektin gjeopolitik, perandoria nuk mund të lejonte shkëputjen në Ballkan të një popullsie me shumicë dërrmuese po myslimane si dhe ajo vetë. Me fjalë të tjera, koha tregoi se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë solli fundin e sundimit osman në Ballkan; kalimi i Janinës në shtetin grek dhe i Shkodrës fillimisht te malazezët, osmanët i tërhoqi në Thrakë, në Edirne. Ky zhvillim me pasoja jetike për fatin e mëpasshëm historik të Perandorisë Osmane, i diktoi elitës turke të kohës që punën e saj për të ardhmen e një shteti modern turk, që nga ky moment, ta fokusonte në Anadoll. Gjithsesi, shteti osman, ndonëse për koniunkturë ndërkombëtare e lejoi me pahir shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, zyrtarisht nuk e njohu pavarësisë e shtetit të ri shqiptar deri në fillim të viteve ‘20. Vetëm ecuria e zhvillimeve gjatë dhe pas përfundimit të Luftës I Botërore, kur turqit e kuptuan se tashmë ishte e pamundur të ktheheshin edhe një herë si sundues në Ballkan, bëri që ata ta njihnin shtetin e ri shqiptar; madje, ky realitet i ri bëri që Ataturku të vendoste urat e komunikimit mes shqiptarëve dhe turqve, tashmë mbi një perspektivë krejt të re.

Shek. 19 tregoi që fundin e Perandorisë Osmane e sollën luftërat e drejtpërdrejta të shtetit osman me Rusinë dhe lëvizjet e brendshme nacionale të mbështetura kryesisht prej rusëve. Antidotët osmanë, doktrinat e pan-islamizmit dhe pan-osmanizmit nuk mundën ta shpëtonin perandorinë. Në këtë kuadër, marrëdhënia e dyzuar shqiptaro-osmane në shek. 19 kushtëzohej nga fakti që osmanët ishin si armiku i shqiptarëve prej të cilit ata donin të çliroheshin, ashtu edhe miku i vetëm i tyre strategjik për kohën.

*

Në vjeshtën e 1912 e ardhmja e shqiptarëve do të varej shumë prej lëvizjeve të tyre të shpejta dhe efikase diplomatike. Bota sllavo-ortodokse bënte presion deri në asgjësim të plotë të shqiptarëve, ndërkohë që Fuqitë Adriatike (Austro-Hungaria dhe Italia) rivalizonin për ndikim në Ballkanin Perëndimor, por edhe ekuilibronin fuqinë e njëra-tjetrës. Ato e mbështetën krijimin e një shteti shqiptar në momentin kur zgjerimi sllav dhe ai grek po mbushte vakumin politik të krijuar nga largimi përfundimtar i osmanëve. Sidomos, Austro-Hungaria u tregua e vendosur të mos lejonte krijimin e një Ballkani sllavo-ortodoks, çka po lëkundte fort ndikimin e saj tradicional në rajon; madje aq sa ministri i jashtëm britanik E. Grey, në një telegram të tij në lidhje me këtë problem, shkruante: “Rusët nuk e kanë keq kur me kënaqësi vënë në dukje se Austria, me rolin pararojë që ka marrë në çështjen shqiptare, po i bën varrin vetes në Stamboll”.

Nisma e Ismail Qemalit dhe e krerëve të tjerë të kohës për të marrë në duar fatin e vendit kur Lufta I Ballkanike po e bënte fakt të kryer fundin e sundimit osman në Ballkan, në fakt ishte një ripohim i asaj koniunkture politike ndërkombëtare për të cilën ishin shprehur më së pari Pashko Vasa (E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët,1879) dhe më pas S. Frashëri (Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet,1899) në traktatet e tyre politike; pra, shqiptarët duhet të shpallnin pavarësinë nga shteti osman në momentin kur sundimi osman në Ballkan të shembej dhe tokat shqiptare të rrezikoheshin nga copëtimi përfundimtar në favor të fqinjëve.

Pavarësia e Shqipërisë ishte një akt diplomatik. U bë kujdes maksimal që të shmangej çdo konflikt i cili do t’i provokonte fqinjët dhe do t’u jepte atyre pretekstin për ta bërë fakt të kryer copëtimin e tokave shqiptare. Ky akt u ndërmor pikërisht në momentin e duhur, por më të fundmë të saj. Nëse do të vonohej, ndoshta historia do të bëhej dëshmitare e copëtimit përfundimtar të trojeve shqiptare, pasi Lufta I Ballkanike si objektiv kryesor kishte dhënien fund sundimit osman në rajon. Me fjalë të tjera, nën emrin “territore osmane” synohej drejtpërdrejt copëtimi i tokave që banoheshin dhe që historikisht njiheshin si shqiptare.

*

Shqipëria pavarësinë e fitoi në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Kjo ngjarje vërtet i dha fund një procesi kërkimi të drejtash politike nga shteti osman, proces që kishte filluar qysh një shekull më parë, por në fund ai rezultoi në rrudhjen maksimale të trojeve që do të kishte në dispozicion Shteti i Ri Shqiptar.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ndonëse politikisht arriti të siguronte ekzistencën e popullit shqiptar nën një entitet politik të pavarur, nuk arriti të ndalte gjymtimin që iu bë tokave shqiptare. Si produkt i momentit kur filluan luftërat ballkanike, shteti shqiptar ishte projektuar të ishte i cunguar, pasi përveç detit nga të gjitha anët do të rrethohej me troje të banuara po nga popullsi shqiptare. Nga kryeqendrat e katër vilajeteve me popullsi shumicë shqiptare (Shkup, Manastir, Janinë) vetëm Shkodra i mbeti shtetit shqiptar. Për nga hapësira dhe relievi gjeografik që do të kishte në dispozicion, shteti shqiptar konsiderohej një entitet politik i lënë pa burime të mjaftueshme për t’u mbajtur ekonomikisht mbi këmbët e veta dhe, për pasojë, i paaftë për t’u ringritur politikisht. Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët mbetën të vegjël dhe pa përkrahje.

*

Jo vetëm politikisht, por edhe psikologjikisht shqiptarët e shpallën pavarësinë në momentin më të vështirë të historisë së tyre moderne.

Në shek. 19 Perandoria Osmane nuk e lejoi futjen e gjuhës shqipe në shkollë, pasi një gjë e tillë do t’i hapte udhë zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, çka do të shërbente si truall ku do të përgatitej procesi i shkëputjes nga shteti osman. Nga ana tjetër, përpunimi i opinionit europian përgjatë shek. 19 përmes të ashtuquajturve udhëtarë perëndimorë përgatiti paradigmën njohëse për shqiptarët, sipas së cilës: shqiptarët janë popull pa gjuhë të shkruar, pa libra, e për pasojë pa kulturë; domethënë, popull i paqytetëruar në atë shkallë sa të merrte në dorë fatin e tij.

Në 1913, ish-kryeministri serb, Vladan Djordjević botoi gjermanisht librin Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha, në të cilin shqiptarët ai i konsideron jo vetëm si popull i paaftë për të ngritur shtetin e vet, por shkon edhe më tej kur shqiptarët i etiketon si “njerëz me bisht”. Ky libër, që po atë vit u botua edhe frëngjisht, u bë një mjet i fuqishëm propagande kundër shqiptarëve në qarqet diplomatike ndërkombëtare dhe në opinionin europian. Goditja që në terren kishte filluar gati një shekull më parë, në dekadën e dytë të shek. XX mori përmasat e një goditjeje psikologjike me efekt demoralizues.

Sidoqoftë, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë shënoi vetëm një zgjidhje të pjesshme të çështjes shqiptare. Ismail Qemali në atë moment shprehej:

“Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të zmbrapsur sulmin e padrejtë [të serbëve, malazezëve apo të shteteve të tjera ballkanike], çka bie ndesh me parimet mbi të cilat shtetet ballkanike bazojnë pretendimet e tyre, atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat për shkak të pozitës gjeografike dhe të së drejtës së tyre historike janë të interesuara për ruajtjen e rendit në Ballkan, do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. Mirëpo, nëse shqiptarët trajtohen në mënyrë të padrejtë, kjo i bën ata të vendosur për të luftuar me çdo kusht për të drejtat e tyre. Edhe nëse diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë”.

* Pedagog UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Babeli i emisioneve

Sezoni i ri televiziv ka nisur me shpërthimin e debateve politike dhe...
Read More