PD, drejt një vendimi me kosto elektorale

Roland LamiNga Roland Lami*

Partitë politike kohët e fundit kanë intensifikuar deklaratat, takimet informale dhe formale për të projektuar pozicionet e tyre në zgjedhjet e 2017-s. Sidomos partitë e ashtuquajtura të vogla kanë qenë më aktive në këtë drejtim, duke sugjeruar madje dhe ndërhyrje të mundshme në sistemin zgjedhor me qëllim përmirësimin e përfaqësimit, formën e administrimit zgjedhor etj.

Pjesa dërrmuese e tyre, referuar eksperiencave në zgjedhjet e 2009-s dhe 2015-s, si dhe duke parë hezitimin e partive kryesore për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor kanë lënë të kuptohet se pozicioni i tyre në koalicionet e mundshme ose jo do të varet nga komponentë të tillë, si: favorizimi në lista apo zona zgjedhore; garancia në ruajtjen e votave, termat e negocimit me kryetarët e partive, përafrimet programore deri diku, si dhe orientimi drejt koalicionit që kanë më shumë probabilitet për të fituar zgjedhjet. Çka nënkupton se logjika pragmatiste orienton sjelljen dhe qëndrimet e tyre edhe në këto zgjedhje.

Mirëpo, në këtë klimë taktikash parazgjedhore, orientime pragmatiste si dhe llogari votash, forca kryesore opozitare PD në rastin konkret del me një propozimin të ri, i cili synon të mos përfshijë krerët e partive të ashtuquajtura të vogla në listat e PD në zgjedhjet e 2017-s. Pyetja që ngrihet në këtë rast është: Sa i zgjuar është ky qëndrim parimor në lexim të parë i PD nëse do ta shohim nga perspektiva e strategjisë elektorale kur kanë mbetur edhe pak muaj për të nisur fushatën zyrtarisht?

Më poshtë, renditen disa nga faktorët pse mendohet se ka pak gjasa që ky qëndrim parimor të “përtypet” nga partitë e ashtuquajtura të vogla, të cilat për mbijetesë detyrohen të operojnë me logjikë pragmatiste.

Së pari, zgjedhjet e 2009, 2011, 2013 dhe 2015 treguan se koalicioni që përfshijnë më shumë parti krijojnë mundësi më të mëdha për të maksimizuar votat dhe ajo që është më e rëndësishme, për t’i konvertuar votat në mandate deputetësh. Ishte ky leksion i ofruar nga PD në 2009 që Partia Socialiste e korrigjoi në 2011. Tashmë, dy parti kryesore e kanë më të qartë se kurrë ndonjëherë se koalicioni që siguron numër më të madh partish krijon më shumë shanse për të maksimizuar numrin e mandateve. Ky realitet numrash lë të kuptohet se PD dhe PS e kanë të nevojshme për të mos thënë të domosdoshme negocimin me partitë e tjera, për ta përmbushur këtë objektiv. Është pikërisht kjo nevojë e partive kryesore që iu jep mundësi partive të vogla që ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë rast në favor të interesave të tyre. E thënë ndryshe, ajo forcë kryesore që ofron më shumë mundësi përfitimi personal dhe partiak para dhe pas zgjedhjeve; krijon garanci më shumë për respektimin e marrëveshjes pas zgjedhjeve; ka probabilitet për të fituar zgjedhjet, ndan më shumë pushtet mbas zgjedhjeve dhe garanton më mirë ruajtjen e votës, krijon më shumë shanse për t’i përfshirë këto parti në koalicionet parazgjedhore.

Së dyti, zgjedhjet e 2009 dhe 2013 treguan gjithashtu se partitë sidomos të ashtuquajtura të vogla nëse nuk iu bashkëngjiten partive kryesore kanë shumë pak gjasa të mbijetojnë në tregun politik. Kjo vlen qoftë për parti që kanë vite në tregun politik, por edhe për parti të reja. Në këtë kuadër, parti si PDK, PR, LZHK, PDS, PSD, FRD për sa kohë nuk janë parti territoriale si PDIU dhe PBDNJ që kanë elektorat të përqendruar dhe e kanë luksin për të garuar në rastin më të keq dhe më vete, kanë shumë pak mundësi të sigurojnë një mandat duke garuar vetëm. Në këto ujëra lëviz dhe fati i partive të sapokrijuara, si: LIBRA dhe Sfida për Shqipërinë. Këto forca politike duke qenë se nuk kanë peshën elektorale të LSI rrezikojnë shumë për të garuar në një koalicion me parti me peshë elektorale të ngjashme apo më vete. Në këto kushte, ato konkurrojnë mes tyre se kush do të bindë apo joshë më shumë PD apo PS për të siguruar vendin e dytë apo të tretë në njërin nga koalicionet që drejtojnë ato ose në rastin më të keq t’i bashkëngjiten ndonjë koalicioni nëse do të ideohet nga LSI (pak gjasa ka të ndodhë kjo e fundit por nuk përjashtohet si mundësi).

Së treti, lëvizja e LSI nga kampi i majtë drejt së djathtës pas zgjedhjeve të 2009-s, marrëveshja e heshtur mes PD dhe Partisë Komuniste në zgjedhjet vendore të 2011, kalimi i PDIU nga e djathta te koalicioni i majtë në 2013 apo i PBDNJ tek e djathta dhe mjaft raste të ngjashme në të paktën këto 10 vite, i nxit disa nga partitë që të mos marrin në konsideratë identitetin politik që kanë ndërtuar në vite apo krahun politik të koalicionit ku kanë bërë pjesë deri tani, pasi kostot elektorale për të tilla kapërcime krahu apo ideologjish janë minimale. Kjo do të thotë që edhe ato parti që njihen tradicionalisht si të majta, të qendrës apo të djathta mund të kalojnë fare mirë nga një identitet në tjetrin, mjafton të maksimizojnë interesat e tyre politikë. Precedentët e mësipërm i çlirojnë akoma më shumë partitë politike për të bërë llogaritë e tyre elektorale në këtë situatë parazgjedhore.

Së katërti, qeverisja e 2009 – 2013 faktoi se partitë të ashtuquajtura të vogla si PR, PDIU dhe më të mëdha si LSI, kanë mundësi të ruajnë ose në rastin më të mirë të zgjerojnë peshën e tyre elektorale nëpërmjet mundësisë që të ofron qeverisja dhe jo e kundërta. Ky kod zgjedhor krijon mundësi që partitë e mëdha të mbajnë faturën e qeverisjes ndërsa partitë aleate të gëzojnë privilegjet e pushtetit. Njëkohësisht, koalicioni qeverisës 2009 – 2013 dhe 2013 – 2017 tregoi se ekzekutivi ka ndryshuar mënyrën e administrimit të pushtetit. Kemi kaluar nga drejtimi centrist i administrimit të ekzekutivit mbas 2009 drejt administrimit policentrist të ekzekutivit. Çka do të thotë që partitë e përfshira në ekzekutiv i drejtojnë dikasteret e tyre ministrore duke iu bindur udhëzimeve të kryetarit të partisë dhe jo kryeministrit. Kështu që partitë në pushtet mund ta transferojnë kapitalin e tyre elektoral të siguruar edhe nga keqadministrimi i pushtetit te qeverisja e radhës pavarësisht krahut politik që mund t’i përkasë. Partia kryesore që ka probabilitet të fitojë zgjedhjet i intereson më shumë pesha elektorale e këtyre partive se sa mënyra si e ka siguruar atë. Joshja e vazhdueshme e LSI dhe PDIU nga ana e PD nuk e fakton këtë gjë.

E gjitha kjo tregon se jemi futur në një situatë politike homo ecomomicus, ku logjika e numrave prevalon mbi çdo logjikë doktrinare apo parimore. Maksimat – nuk ka rëndësi se çfarë do të bësh me qeverisjen por rëndësi ka ta sigurosh atë. Nuk ka rëndësi se çfarë fenomenesh mund të mbarten nga një qeverisje në një tjetër duke përfshirë në koalicion të njëjtët aleat, e rëndësishme është sigurimi i pushtetit. Nuk ka rëndësi profili ideologjik i partisë por pesha elektorale që ata kanë. Nuk ka rëndësi si i ke siguruar numrat por sa do të rrisin shanset për të më maksimizuar peshën elektorale etj. Nisur nga kjo klimë ngrihet pyetja: A konsiderohet taktikë e zgjuar e PD mospërfshirja e kryetarëve të partive të vogla në listat e saj?

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

“UET shpallet Superbrands në Shqipëri”

Superbrands, autoriteti ndërkombëtar për brandet, në vazhdim të aktivitetit të saj 20-vjeçar, deklaron...
Read More