PD-ja duhet të ngrejë një çadër shumë më të madhe se ajo e bulevardit!

Nga Arjan Çuri

Që në fillim, për të paraprirë paragjykuesit e paduruar, dua të them, se jam mbështetës i çdo lloj proteste, greve, çadre apo çdo forme legjitime dhe paqësore reagimi qytetar. Mjafton që këto protesta të jenë konstruktive, me qëllime të qarta dhe të mos shfrytëzojnë dëshirën e mirë të njerëzve për të ushtruar presion ndaj çdo lloj qeverie, kur ajo kthehet në mosdëgjuese e zërit qytetar. Dhe në përgjithësi herët ose vonë, qeveritë bien në këtë tundim, ndaj duhet që të ekzistojnë edhe protestat për t’i bërë ato më të vëmendshme ndaj problemeve të njerëzve, sepse për këtë arsye janë votuar.

Por që të arrihet rezultati i dëshiruar, protestat duhet të organizohen në mënyrë të mençur, strategjitë të hartohen me kujdes, si dhe narracioni i tyre, të jetë i paramenduar mirë, që nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit. Pasi më e lehtë është ta nisësh një protestë, sesa ta përfundosh, pasi fundi i saj, sjell edhe suksesin apo dështimin, dhe opsioni i dytë është më i keq, se mosnisja që në krye të herës e vetë protestës. Një protestë e dështuar është vetëvrasja më mizore që mund t’i bëhet instinktit protestues të qytetarëve në një vend demokratik.

Thënë këtë, po pohoj në mënyrë eksplicite, se nëse PD-ja nuk ka marrë garanci, pra premtim nga ata që nuk kthehen mbrapsht, nga LSI-ja dhe nga PDIU-ja që për shkak të protestës, do të dalin nga koalicioni qeveritar për të krijuar një shumicë të re parlamentare, me qëllim organizimin e zgjedhjeve, atëherë, për fat të keq, protesta do të dështojë, dhe mbështetësit e çadrës do të zhgënjeheshin aq shumë, saqë nuk do t’i përgjigjeshin më në të ardhmen, thirrjeve të ngjashme, për t’u mobilizuar në çadra, si një ushtri demokratike që do të “zvarriste” zyrtarët e korruptuar jashtë institucioneve.

E parë nga ana filozofike dhe antropologjike, çadra në vetvete mbart simbolikë të rëndë, pasi historia e saj është po aq e vjetër sa njerëzimi, i cili në fillimet e tij, pasi doli nga shpellat, ngriti çadrat, si banesa të përkohshme, që i jepnin atij mundësi mobiliteti, ose thënë ndryshe nomaditeti. Fiset arabe apo beduine janë nga fiset më të lashta që parapëlqenin të banonin në çadra apo tenda, që montoheshin e çmontoheshin sa herë që jeta dhe resurset për mbijetesë i detyronin të lëviznin nga njëri vend në tjetrin. Dhe ky proces ishte tmerrësisht i dhimbshëm dhe tejet jokomod për njerëzit që jetonin në këtë mënyrë.

Njëkohësisht tendat përdoreshin nga popuj të dëbuar, në luftëra të përgjakshme, ku për të shpëtuar nga gjenocidi, detyroheshin të kryenin eksode të gjata dhe të mundimshme. Së fundmi, çadrat kanë një pamje jo pozitive, për arsye se lidhen me fushimet famëkeqe të ushtrive pushtuese, pamja e të cilave tmerronte çdo kala e qytet, kur rrethohej prej tyre, me në qendër tendën më të madhe, ku qëndronte sulltani apo mbreti që drejtonte operacionin luftarak, me qëllim përmbysjen dhe rrëmbimin me dhunë të fronit që ndodhej brenda mureve. Sido që të jetë, tendat janë simbole të paqëndrueshmërisë, parehatisë, mungesës së klimës paqësore, dhe në përgjithësi të nomadizmit, formë jetese, që njerëzimi ka kohë që e ka braktisur.

Kështu, të aplikosh edhe nomadizmin në politikë, është një zgjedhje ekstreme, që duhet përdorur vetëm në kohëra ekstreme, kohëra që veç popujt i ndiejnë si të tilla, dhe për këtë arsye braktisin komoditetin e shtëpive të qëndrueshme, dhe në mënyrë instiktive vetëmbrojtëse, i ngrenë vetë tendat. Por që popujt të lënë shtëpitë dhe institucionet, e të dalin në rrugë e të futen në tenda, për vetë simbolikën e rëndë që ato mbartin, atëherë realisht që qeveritë duhet të shqetësoheshin seriozisht. Por ky nuk është akoma të paktën, realiteti ynë, pasi mobilizimi qytetar dhe numri i çadrave të ngritura është akoma në faza fillestare dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë amplifikim të kësaj situate, gjë që për vetë kohën parazgjedhore në të cilën gjendemi, më duket që ka pak gjasa të ndodhë.

Kështu, nëse nuk realizohet ndryshimi i ekuilibrave mazhoritarë në parlament, tenda e bulevardit, nuk mund ta arrijë nga vetvetja një gjë të tillë, jo duke qenë në këto përmasa të paktën. Nëse ajo qëndron aty për një kohë të gjatë, mund të arrijë madje efektin e kundërt, që është i padëshiruar për të gjithë, sepse do t’i jepte më shumë autarki, qeverisë që dëshiron të përmbysë, sepse nëse nuk e përmbys tani, atëherë kush e di se kur do t’i vijë sërish mundësia për ta bërë. Dhe njerëzit e pavendosur e pragmatistë, kanë tendencën të marrin gjithmonë anën e më të fortit, ndaj qëndrojnë në pritje për të parë ç’do të ndodhë. Prandaj le të shpresojmë që strategët e çadrës ta kenë të mirëmenduar planin taktik të avancimit të luftës së tyre, të cilën e kanë nisur, kur ngritën çadrën e fushimit antiqeveritar.

Nëse do të më lejohej, në fund të këtij shkrimi, do të doja t’i propozoja modestisht, PD-së, por edhe forcave opozitare të atashuara me të, një opsion tjetër sa politik, po aq edhe simbolikisht të lidhur me çadrën e zgjedhur si aksion politik. Por, propozimi im është të dilet nga nomadizmi politik, për të hyrë në një lëvizje të re politike, që ka rezultuar shumë efikase, kudo ku është përdorur këto vitet e fundit. Shkenca politike, e ka pagëzuar këtë strategji të re, me termin “big tent”, apo çadra e madhe. E përdorur me shumë sukses, kjo strategji, solli Gordon Brown-in, në vitin 2007 në pushtet, pasi ai përfshiu edhe njerëz jashtë Partisë Laburiste, madje edhe jashtë spektrit politik në qeverinë që formoi. Mediat, asokohe, i referoheshin qeverisë së tij, si “qeverisja e të gjithë talenteve”, apo thjesht, si “tenda e madhe e Brown-it”.

E njëjta strategji e suksesshme është përdorur në mënyrë gjeniale nga Grillo i “Pesë Yjeve” në Itali. Ai ka braktisur çdo qëndrim ideologjik, dhe ka ftuar në tendën e tij të madhe çdo individ që dëshiron moralizimin, pastrimin nga korrupsioni dhe kundërshtimin e politikave të BE-së. Kjo strategji ka sjellë rritje të frikshme të votuesve, jo vetëm në Itali, por edhe në Serbi, Greqi, Indi dhe kudo ku është përdorur, por që hapësira e këtij shkrimi nuk na lejon t’i elaborojmë me hollësi. Por sigurisht, nëse na kërkohet nga banorët e tendës së bulevardit, do t’jua shpjegonim me shumë durim dhe dëshirë.

Por, që të fillonin hartimin e kësaj strategjie të re, të krijimit të një tende të madhe, ku do ta gjenin veten të gjithë njerëzit vullnetmirë që dëshirojnë të mbështesin kauzat e mëdha morale të opozitës, do të duhet të mbyllej paraprakisht, historia e tendës së bulevardit, për të cilën, urojmë që të ketë një fund pozitiv, që mund të arrihet vetëm nëse premtimet e dhëna pas perdes së tendës, që ndan kthinën e prijësit nga populli, do të mbahen.

Nëse ato nuk mbahen, apo më keq, nëse premtimet as që nuk janë dhënë fare, atëherë mirë është që të gjendet një narracion logjik dhe i pranueshëm dalës, të çmontohet tenda e bulevardit dhe të ngrihet një “big tent” gjigante, që do të frymëzonte shumë më tepër njerëz e intelektualë racionalë, që e kanë braktisur në mënyrë të pakthyeshme nomadizmin politik prej kohësh…

Shkruar Nga
More from revista mapo

Alfred Moisiu: Personaliteti i 10-vjetorit të Mapo

Ish-presidenti 87-vjeçar rrëfen pesë jetët e tij, pse kryetari i vetëm konsensual...
Read More