PD: Ruçi s’lejon mbledhje të hapur! LSI: Pro heqjes së imunitetit

Dy deputetë të opozitës, anëtarë të Këshillit të Mandateve dolën përpara mediave për të folur në lidhje me atë që e quajnë një shkelje të kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se Ruçi nuk po lejon që mbledhja të jetë me dyer të hapura.

“Nga ana e kryetarit, Gramoz Ruçit, nuk pranohet që media të hyjë brenda. Kjo kërkesë u hodh në votim dhe mori 5 vota, pra jo shumicën.

Ajo që po ndodh tani është fakti se Edi Rama dhe mazhoranca duan të lënë në errësirë shqiptarët për të kuptuar të vërtetën.

Është një pakt mafioz.

Tashmë xhindi ka dalë nga shishja dhe nuk futet më.

Ata duan të mbajnë shqiptarët në errësirë për përfshirjen jo vetëm të ish-ministrit të Brendshëm në aferë, por edhe më lart.

Nuk ka për t’u zhvilluar mbledhje pa dyer të hapura për mediat,” tha Alibeaj.

Kurse deputeti i LSI, Nasip Naço deklaroi votën e partisë së tij pro heqjes së imunitetit për Saimir Tahirin.

“Ne kemi deklaruar si LSI që asnjë deputet i yni, nuk gëzon imunitet. Ky është një standard moral që kemi vendosur. Besojmë se edhe zoti Tahiri nuk do mbrohet pas këtij imuniteti. Personalisht nuk më ka kërkuar dikush të jem avokat, unë jam deputet. Aty shikohet vetëm procedura. Mbështes prokurorinë të bëjë hetime të gjithanshme,” tha Naço.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Palët me dy raporte? A po ndryshon qëndrimin e saj PS?

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla doli në një konferencë...
Read More