Pedagogët e UET, në çadrën e Qeverisë dhe Opozitës

uni1Bujar Kapexhiu i bashkohet protestës: Karikaturat e mia nuk i ka censuruar askush te MAPO 

Njerëzit e akademisë janë brenda arsyes së ekzistencës së tyre kur angazhohen në debatet publike apo bëhen pjesë e politikës dhe e kauzave të ndryshme.

Kjo është krejtësisht në përputhje me rolin e tyre në shoqëri dhe e kundërta, pra mosangazhimi, do të ishte çudi.

Ndaj edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha, disa herë gjatë protestës së zgjatur të opozitës në Bulevard, i është rikthyer bashkëbisedimit me pedagogë dhe intelektualë të fushave të ndryshme.

Përkundër akuzave për “mungesë lirie” në radhët e pedagogëve për të ndjekur bindjet e tyre politike, që ai ngriti ndaj administratorit të Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, të paktën tre prej pedagogëve të njohur të këtij universiteti ishin në rreshtin e parë të tryezës së tij të improvizuar në shesh.

“Më vjen shumë keq se shantazhon pedagogët që ke aty për të mbajtur linjën e qeverisë”, -i tha Basha administratorit të UET, Henri Çili, në një debat televiziv.

Por përkundër kësaj, në sheshin e tij të protestës janë shtuar UET-istat, të cilët me vullnetin e tyre të lirë i janë bashkuar opozitës, ashtu siç kanë bërë më parë dhe të tjerë pedagogë të këtij universiteti, të cilët janë sot në ekipin e liderit të opozitës, si për shembull zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.

Në takimin e fundit me pedagogët ishin për herë të parë në një tubim politik të opozitës pedagogët: Belina Budini, shefe e Departamentit të Komunikimit, Orjola Pampuri, e Psikologjisë dhe Kreshnik Bello, i Marketingut.

Duke artikuluar qëndrimin e saj të lirë në mbështetje të kauzës së opozitës, Belina Budini u shpreh: “Kam ardhur pa asnjë ngurrim. I jam përgjigjur ftesës së PD pa asnjë kompleks, pa dyshim në pozita krejtësisht të lira për të qenë këtu. Në auditor kemi presion nga studentët për të marrë pjesë, për t’u angazhuar, për të mbështetur kauzat që i gjykojmë të drejta. Në këtë tempull, në këtë hapësirë të re, në këtë agorë, mund ta bësh me efikasitet. Studentët më thonë që duan të gjejnë forma për ta mbështetur këtë protestë, që iu flet atyre jo nga pozita politike, por dhe shoqërore e sociale. Ata janë të angazhuar këtu në forma nga më të larmishmet. Kjo është para së gjithash një kauzë morale, para se të jetë partiake. Nuk duhet askush të ketë kompleks për t’iu bashkuar kësaj kauze, qoftë në linjën partiake ose jo”.

Ndërsa dje Bujar Kapexhiu, pedagog në UET, dhe karikaturisti i MAPO-s, improvizoi një ekspozitë me karikaturat e Bashës në çadrën e protestës.

Kapexhiu i ofroi mbështetjen e tij protestës, duke shprehur hapur bindjet e tij politike të djathta, por nuk harroi t’i kujtonte Bashës para kamerave se në lapsin e hidhur të tij kanë rënë të gjitha figurat e politikës, por asnjëherë karikaturat nuk i ka censuruar askush te MAPO.

“Ky është një tubim kaq i bukur, i këndshëm, në këtë ditë të bukur, dhe jam i bindur se edhe Zoti është me ju. Edhe unë si qytetar, sikundër të gjithë intelektualët, duhet të themi mendimet tona, duhet të angazhohemi. Ai e simbolizon qeverinë si një foshnje që lind prej popullit, dhe kjo foshnje duhet ta dëgjojë popullin. Protesta është një nga gjërat më të mira të shoqërisë, është një medikament që shëron problemet dhe krizat” – u shpreh dje në çadrën e opozitës, karikaturisti i MAPO-s.

Kapexhiu madje nuk ngurroi të shprehej dje se “do të votonte kundër PD nëse në qeverinë e ardhshme të PD nuk kandidohen dhe nuk vendosen njerëz të rinj.

UET, i hapur për të gjitha rrymat politike

Administratori Çili e quan qesharake tendencën për të politizuar UET-in, pasi sipas tij ai është një institucion i hapur për të gjitha rrymat politike.

“Në Universitetin Europian të Tiranës, të paktën që prej vitit 2010, janë së paku më shumë se 100 pedagogë të brendshëm të rrymave, ideve dhe angazhimeve të ndryshme. Universiteti e ka zgjedhur qartësisht lirinë e tij, të jetë një organizatë neutrale, jo duke qenë sterile, por duke qenë universalisht e hapur” – shkruan Çili në artikullin e tij të fundit “Priftërinjtë e rremë të publikes dhe Artan Fuga si ilustrim”.

UET është në fakt një qendër ku gjen pedagogë e studentë që iu përkasin të gjitha pikëpamjeve apo ideve dhe sot pedagogët e tij mund t’i gjesh me shumicë në çadrën e opozitës dhe në atë të qeverisë. Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa; pedagogët: Arbi Agalliu, Besart Kadia, Oriola Pampuri, Mateo Spaho, Nevila Nika, Belina Budini, ish-pedagogia e UET, Nevila Xhindi etj., janë sot në krahun opozitar.

Po aq gjen dhe në krahun e majtë ose qeverisës, si: Odeta Barbullushi, zëvendës/ministre, Ervin Mete, zëvendës/ministër, Gentian Elezi, zëvendës/ministër, Gent Beqiri, i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Manol Simo, Drejtor në Drejtorinë e Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe Donatorëve të tjerë e kështu me radhë.

Në një universitet ku nxitet lidershipi te studentët, ku bursa e lidershipit nxit të rinjtë e forumeve rinore të tri partive të mëdha në vend, PD, PS, LSI, ku AulaMagna bëhet arenë e debatit publik të ditës, e liderëve politikë, jo vetëm shqiptarë por dhe të Kosovës e Rajonit, ku Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha e të tjerë politikanë kanë qenë të pranishëm, duket paradoksale që të akuzohet se i përket apo i shërben një partie apo një njeriu politik.

Aty ka vend për të gjitha idetë, për të gjitha rrymat, ashtu siç duhet të jetë në fakt shoqëria demokratike.

Tek opozita:

Belina Budini

Orjola Pampuri

Kreshnik Bello

Arbi Agalliu

Besart Kadia

Ina Zhupa

etj.

 

Te mazhoranca:

Odeta Barbullushi

Gent Beqiri

Manol Sino

Ervin Mete

Gentian Elezi

etj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Detajet: Basha, tur në SHBA për të siguruar mbështetje

Partia Demokratike nuk ka bërë publike axhendën e takimeve që do të...
Read More