Pedagogët u arrestuan në mesnatë, shefja e departamentit do nisej drejt SHBA-së

Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit, Albert Riska dhe dy pedagoge përfunduan në pranga bashkë me 4 seksere si pjesë e një grupi që merrte para nga studentët për nota kaluese në provime. Sipas hetimit, kjo veprimtari korruptive dhe abuzive ka ndodhur në kohë të ndryshme, ndërsa është hetuar për disa muaj më radhë, deri sa Gjykata e Elbasanit më datë 8 maj vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 7 të akuzuarit.  Operacioni i koduar ‘Dekani’ u finalizua këtë mëngjes.

Tre pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe 3 sekserë dhe një student janë vënë në pranga pasi kishin formuar një grup dekan-pedagog-sekser duke marrë para për nota kaluese në provime

Të arrestuarit janë Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Albert Riska, 55 vjeç, shefja e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në këtë Universitet Elvira Lumi, 54 vjeçe dhe Erjola Calja, 29 vjeçe, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në po këtë universitet.

Në pranga u vunë edhe Petrit Kodra, 53 vjeç, Admirim Kala, 31 vjeç dhe Adem Ngjela, 51 vjeç, që të tre të dyshuar se kryenin rolin e sekserit mes studentëve dhe pedagogëve për marrjen kundrejt pagesës së notave kaluese në provime. I arrestuar është edhe studenti Marius Calja.

Ata u vunë në pranga në kuadër të operacionit “Dekani” finalizim i një hetimi disa mujor nga Policia dhe Prokuroria e Elbasanit mbi bazën e një procedimi të nisur më 20 shtator të vitit kaluar.

Ky procedim u bashkua me një tjetër hetim ndaj shtetasit Petrit Kodra i regjistruar më herët me të njejtim dyshim.

Sipas dosjes hetimore, personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve. Shuma që paguanin studentët ishte deri në 30 mijë lekë të reja.

Më 8 maj, Gjykata e Elbasanit kishte pranuar provat e prokurorisë dhe kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj 7 të dyshuarve për “Ushtrim i Ndikimit të Paligjshëm ndaj Personave që Ushtrojnë Funksione Publike” dhe “Korrupsioni Pasiv i Personave që Ushtrojnë Funksione Publike”.

Menjëherë pas njoftimit të Policisë së Elbasanit, Rektori i Universitetit Aleksandër Xhuvani vendosi pezullimin deri në fund të hetimit për dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane dhe dy pedagoget. 

Edhe më herët Univeristeti i Elbasanit  është lakuar për korrupsion, madje nuk kanë munguar as të ndaluarit.

Këtu përmendim pedagogun e gazetarisë Isidor Koti i cili vuajti dënimin në burgun e Peqinit. I ndaluar tjetër ka qenë pedagogu Pllumb Kllogjeri, i cili tashmë është në pension, por edhe Ismail Stafa, i cili për mungesë provash u rikthye sërish në detyrë.

Duket se as masat e marra nga rektori Skënder Topi në nisje të vitit akademik 2017-2018 nuk mjaftuan për ta pastruar Universitetin e Elbasanit nga fenomeni negativ i korrupsionit dhe mitmarrjes.

Kujtojmë se në fillim të vitit akademik, z. Topi çoi në shtëpi jo pak pedagogë të vjetër, duke mos rinovuar kontratat.

Këtu bëhet fjalë kryesisht për pedagogët e jashtëm.

Ndërkohë në lidhje me 7 të ndaluarit burime për ‘Fax News’ bëjnë të ditur se forcat blu në bashkëpunim me prokurorinë kanë shkuar në shtëpitë e tyre në orën 12 e 30 të natës, teksa kanë qenë duke fjetur, duke shkaktuar jo pak panik edhe për pjestarët e tjerë të familjes.

Këtu ka qenë momenti që pedagogët janë arrestuar dhe u është kontrolluar shtëpia.

Në këtë moment forcat speciale kanë lajmëruar titullarët e universitetit, megjithëse rektori Skënder Topi në deklaratën për median deklaroi se për ngjarjen ishte njoftuar nga media.

Pasi kanë bastisur shtëpinë, kontrollet janë spostuar në universitet. Ka qenë ora 01: 30 kur janë bastisur zyrat e Albert Riskës në universitet dhe shefes së departamentit Elvira Lumi.

Burime të sigurta pohojnë se sot znj. Lumi do të nisej për një udhëtim disa mujor në SHBA, por si duket hetuesit kanë qenë të mirëinformuar duke ndërhyrë pak orë para nisjes.

Për kameran studentët nuk preferojnë të prononcohen pasi i druhen hakmarrjes. Disa prej tyre shprehen se lajmi i ka gjetur të papërgatitur pasi me personat në fjalë kishin mardhënie korrekte, sikurse ka edhe të tjerë që nuk janë shfaqur të befasuar.

Madje jashtë kamerave disa studentë konfirmojnë faktin se znj. Lumi sillej mjaft keq me ta dhe paratë ia kërkonte publikisht, pasi i duheshin për pushime.

Ndërkohë grupi hetimor ende nuk jep detaje sesa ishte shuma që i kërkohej të paguanin studentët përkundrejt notës, megjithëse burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ajo varionte nga 100-200 Euro.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Luis Enrique, paga e lartë e “pengon” të shkojë te Chelsea

  Luis Enrique dëshiron të rikthehet në pankinë verën e ardhshme dhe...
Read More