Pengesat për transnacionalizmin në Ballkan dhe Shqipëri

Në shoqërinë bashkëkohore, teknologjia e re në telekomunikacion dhe transport dhe proceset multikulturore, po nxit zhvillimin e aktiviteteve ekonomike transnacionale. Sipërmarrja transnacionale po bëhet një aktivitet i rëndësishëm ekonomik në mbarë botën. Megjithatë, për shtrirjen dhe zhvillimin e sipërmarrjes transnacionale në Evropën Jugore dihet shumë pak.

Nga Joniada Barjaba

Në shoqërinë bashkëkohore, teknologjia e re në telekomunikacion dhe transport dhe proceset multikulturore, po nxit zhvillimin e aktiviteteve ekonomike transnacionale. Sipërmarrja transnacionale po bëhet një aktivitet i rëndësishëm ekonomik në mbarë botën. Megjithatë, për shtrirjen dhe zhvillimin e sipërmarrjes transnacionale në Evropën Jugore dihet shumë pak. Shqipëria ka marrë shumë pak vëmendje në studimet mbi aktivitetet ekonomike transnacionale, përveç disa studimeve sporadike mbi remitancat. Një tjetër aspekt i rëndësishëm për t’u konsideruar është vonesa e sipërmarrjes transnacionale në Shqipëri. Prandaj, në analizën time adresoj boshllëkun në analizat dhe studimet për sipërmarrjen transnacionale në Shqipëri. Studimi shtrihet, përveçse në Shqipëri, edhe në Itali e Greqi, dy vendet më popullore pritëse të emigrantëve shqiptarë.

Prezantimi përbëhet nga pesë kapituj. Kapitulli i parë prezanton problemin. Kapitulli i dytë shqyrton literaturën mbi sipërmarrjen transnacionale. Kapitulli i tretë analizon disa nga pengesat për transnacionalizmin në Ballkan dhe Shqipëri. Kapitulli i katërt përshkruan pyetjet e kërkimit shkencor. Kapitulli i pestë fokusohet në metodologjinë e përdorur për kryerjen e studimit.

Teoritë mbi sipërmarrjen etnike

Rritja e sipërmarrjeve etnike ka tërhequr vëmendjen e publikut që në fillim të viteve 1970 (Kloosterman dhe Rath 2003) dhe ka stimuluar shumë kërkime shkencore. Sipërmarrësit etnikë shpesh referohen si pronarët dhe menaxherët (ose operatorët) e bizneseve të tyre. Anëtarësimi në grupet sipërmarrëse është i lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore ose me origjinën e përbashkët (Zhou, 2004, f. 1040). Kërkuesit shkencor bazohen në koncepte të ndryshme për të analizuar motivet dhe dinamikën e sipërmarrjes etnike.

Teoria e minoritetit ndërmjetës

Teoria e minoritetit ndërmjetës supozon që sipërmarrësit emigrantë fillojnë aktivitetin në sektorë të caktuar të biznesit për të fituar të ardhura sa më shpejt. Minoritetit ndërmjetës i referohet sipërmarrësve etnikë që tregtojnë mes elitës së shoqërisë dhe një grupi me të ardhura më të ulëta. Pra, janë të vendosur në “mes” të sistemit ekonomik. Ata fillojnë aktivitetin si emigrantë të përkohshëm që emigrojnë për të fituar të ardhura shpejt dhe pastaj të kthehen në atdhe (Bonacich, 1973). Ky supozim nuk duket të aplikohet plotësisht në shumicën e emigrantëve shqiptarë. Shumica e tyre kanë vendosur rrënjë dhe janë integruar në vendet pritëse.

Teoria e enklavave

Teoria e enklavave shpjegon pse emigrantët tërhiqen për vetëpunësim. Zakonisht, emigrantët, për shkak të vështirësive ekonomike, kualifikimeve të ulëta dhe diskriminimit, punësohen në tregun dytësor. Për shkak se tregu parësor nuk është i arritshëm dhe tregu dytësor ofron mundësi të kufizuara ekonomike, emigrantët themelojnë një enklavë etnike, e cila konsiderohet nga Wilson dhe Portes (1980) një sektor i veçantë ekonomik, i ndarë nga sektorët parësor dhe dytësor të tregut të punës. Portes (1981) argumenton se enklava etnike përbëhet nga grupe emigrantësh, të cilët përqendrohen në një hapësirë të veçantë dhe ngrenë biznese në shërbim të komunitetit emigrant brenda enklavës. Pra, enklava etnike është një mjedis i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve etnike. Në kundërshtim me teorinë mbi minoritetin ndërmjetës, teoria mbi enklavën etnike fokusohet në përqendrimin gjeografik të emigrantëve.

Teoria e strukturës së mundësive

Waldinger, Aldrich dhe Ward (1990) kanë zhvilluar një model më interaktiv për sipërmarrjen etnike. Sipas tyre, procesi i sipërmarrjes etnike është një bashkëveprim i faktorëve politikë-ekonomikë dhe social-kulturorë (Waldinger, Aldrich & Ward 1990, f. 31, 32). Ai përbëhet nga tre komponentë: struktura e mundësive, karakteristikat e grupit, dhe strategjitë etnike. Struktura e mundësive përbëhet nga kushtet e tregut (produkte të konsumit etnik dhe tregjeve jo-etnike/të hapur) dhe aksesi për pronësi (vendet e lira të biznesit, konkurrencës për vendet e lira, dhe politikat qeveritare). Karakteristikat e grupit përbëhen nga rrethanat e para-migrimit (aftësitë, gjuhët, përvoja në biznes, dhe qëndrimi sipërmarrës), rrethanat e migrimit (punëtorë të përkohshëm ose të përhershëm) dhe rrethanat e pas migrimit (pozita e një grupi të pakicës në ekonominë e vendit pritës). Aktiviteti ekonomik i emigrantëve është një pasojë interaktive e ndjekjes së mundësive nëpërmjet mobilizimit të burimeve etnike ose karakteristikave socio-kulturore të një grupi (Ligth & Bonaich 1988, f. 178).

Teoria e vendosjes së përzier

Kloosterman, Van der Leun, dhe Rath (1999) përdorin një koncept më të plotë, vendosjen e përzier, që përfshin ndërveprimin mes konteksteve sociale, ekonomike dhe institucionale.

Në këtë pikëpamje, rritja e sipërmarrjes etnike është e vendosur, teorikisht, në kryqëzimin e ndryshimeve në kuadrin social-kulturor, nga njëra anë, dhe procesit të transformimit në ekonomitë (urbane) dhe kuadrin institucional në anën tjetër (Kloosterman, Van der Leun, dhe Rath, 1999, f. 8).

Teoria e rrjeteve sociale

Rrjetet sociale shërbejnë si mekanizma për sipërmarrjen. Portes (1995, f. 8) përkufizon rrjetet sociale si “mjedise të shoqatave të njerëzve të lidhur midis tyre nga marrëdhënie punësuese, familjare, kulturore dhe afektive” dhe i konsiderojnë ato struktura të rëndësishme, në të cilat ndodhin transaksionet ekonomike. Ai thekson rëndësinë e rrjeteve në jetën ekonomike, si “burime për blerjen e mallrave që gjenden me vështirësi… dhe që imponojnë kufizime në arritjen e fitimeve individuale”. Rrjetet sociale lehtësojnë aksesin e sipërmarrësve në burime dhe informacion. Kyle (1999) dhe Poros (2001) argumentojnë se individët me rrjete të gjera janë në një pozitë më të mirë për të filluar dhe zhvilluar sipërmarrjet transnacionale. Rrjetet organizative dhe ndërpersonale të emigrantëve i orientojnë ata drejt destinacioneve dhe punësimeve të caktuara. Ato ndihmojnë individët për të mobilizuar burimet për sipërmarrjet dhe për të shfrytëzuar më mirë mundësitë e tregut në vendet e pritëse e dërguese.

Teoria e kapitalit social

Kapitali social është gjithashtu një koncept i rëndësishëm në analizimin e aktiviteteve ekonomike transnacionale. Sipas Portes (1995), kapitali social është aftësia e individëve për të menaxhuar burimet e pakta të bazuara në rrjetet apo strukturat sociale. Fukuyama (1995) thekson se kapitali social është një faktor kyç në nxitjen e zhvillimit. Shumë faktorë të tjerë si teknologjia, kapitali njerëzor dhe tregu ndikojnë në performancën ekonomike. Megjithatë sipas Fukuyamës, kapitali social ka një ndikim të fuqishëm në rritjen ekonomike. Kapitali social është një faktor kyç edhe në shpjegimin e suksesit të emigrantëve në biznesin e tyre dhe aktivitetet ekonomike. Një studim i fundit i kryer në Shqipëri dhe Serbi (Pavlov, Despić, Milutinović, Balli, Zhebo, Barjaba & Zeneli, 2014) sugjerojnë një korrelacion të drejtpërdrejtë midis sasisë së kapitalit social që emigrantët kanë dhe suksesit të tyre në krijimin e rrjeteve dhe sipërmarrjeve transnacionale. Sa më i madh kapitali social që ata kanë, aq më të suksesshme e produktive janë aktivitetet e tyre transnacionale të sipërmarrjes.

Teoritë mbi transnacionalizmin

Koncepti i transnacionalizmit ka ofruar një perspektivë ndryshe në studimet mbi migrimin dhe ka ekspozuar disa karakteristika të reja të komuniteteve të emigrantëve në kontekstin global. Transnacionalizmi shpjegon pse dhe se si lidhjet sociale, politike dhe ekonomike të emigrantëve të sotëm janë të ndryshme nga ato të mëparshmet. Literatura mbi migracionin në të kaluarën përgjithësisht ishte fokusuar në mënyrat e përshtatjes së emigrantëve në vendin pritës dhe jo në kontaktet me vendin e origjinës (Gordon 1964; Portes & Rumbaut 1996; Alba & Nee 1997). Koncepti i transnacionalizmit e ndryshoi këtë qasje.

Transnacionalizmi si produkt i ndryshimeve strukturore globale

Linda Basch, Nina Glick Schiller, dhe Cristina Blanc-Szanton (1992) argumentojnë se transnacionalizmi është një produkt i ndryshimeve strukturore të sistemit kapitalist në fund të shekullit të njëzetë. Tashmë marrëdhëniet dhe aktivitetet e përditshme të emigrantëve shtrihen nga vendet pritëse drejt vendeve të origjinës. Basch, Glick Schiller dhe Blanc-Szanton (1994, f. 7) përcaktojnë transnacionalizmin si “proces me të cilin transemigrantët, përmes aktiviteteve të tyre të përditshme, ushqejnë marrëdhëniet e shumëllojshme sociale, ekonomike dhe politike që lidhin vendin e tyre të origjinës me vendin pritës, midis të cilave ata shërbejnë si ura lidhëse”.

Transnacionalizmi si produkt i forcave sociale

Portes (2001) beson se transnacionalizmi është produkt i forcave sociale dhe ekonomike që prodhon kapitalizmi bashkëkohor. Në kundërshtim me Basch et al. (1994), Portes (1996) fokusohet kryesisht në aspektin ekonomik të transnacionalizmit, krijimin e sipërmarrjeve transnacionale. Aktivitetet transnacionale të biznesit nxiten nga zgjerimi i vazhdueshëm i ekonomisë kapitaliste, e cila rrit kërkesën për punën e emigrantëve në vendet e zhvilluara. Për shkak të pagës së ulët dhe punës manuale, emigrantët ndërtojnë sipërmarrje ekonomike ndërkufitare në mënyrë që të përmirësojnë mobilitetin e tyre ekonomik. Shfrytëzimi i mundësive është lehtësuar nga përparimi teknologjik. Gjithashtu, Portes (2001) argumenton se armiqësia dhe diskriminimi mund të sjellin krijimin e sipërmarrjeve transnacionale. Kur emigrantët e gjejnë veten në kontekste armiqësorë, duke u përballur me disavantazhet dhe përjashtimin social, ata e gjejnë zgjidhjen duke u angazhuar në aktivitete transnacionale të biznesit për mobilitetin ekonomik.

Çfarë e nxit transnacionalizmin bashkëkohor?

Portes (2001) nënvizon se transnacionalizmi rrallëherë nxitet nga qeveritë e vendeve dërguese. Megjithatë, qeveritë e vendeve dërguese marrin pjesë në këtë proces, kur rëndësia dhe potenciali i sipërmarrjeve trasnancionale bëhet evidente. Qeveritë bëjnë ndryshime dramatike në politikat e tyre, si dhënien e shtetësisë së dyfishtë, dhënien e të drejtës së votës dhe ndryshime të tjera të legjislacionit. Foner (2005, f. 70) ilustron se si, përveç ndryshimeve ekonomike dhe përparimeve teknologjike, faktorë të tjerë, si praktikat politike dhe kornizat ligjore, çojnë në bashkëpunim ndërkufitar dhe sipërmarrjet transnacionale.

Klasifikimi i transnacionalizmit

Aktivitetet transnacionale variojnë nga lidhjet individuale në institucionet transnacionale. Smith dhe Guarnizo (1998) e klasifikojnë transnacionalizmin në transnacionalizëm “nga lart” (kapitali global, media dhe institucionet politike) dhe në transnacionalizëm “nga poshtë” (aktivitet lokale). Transnacionalizmi “nga lart” i referohet aktiviteteve transnacionale të kryera nga aktorë të fuqishëm institucional (shtetet dhe korporatat multinacionale), ndërsa transnacionalizmi “nga poshtë” i referohet aktiviteteve bazë të kryera nga emigrantë dhe homologë të tyre në vendet e origjinës.

Itzigsohn, Cabral, Medina, dhe Vazquez (1999) bëjnë dallim midis transnacionalizmit “të ngushtë” (aktivitete të institucionalizuara dhe vazhdueshme) dhe “të gjerë” (lidhjeve të rastit). Transnacionalizmi i “ngushtë” u referohet aktiviteteve transnacionale me një nivel të lartë institucionalizimi, përfshirje të vazhdueshme dhe lëvizje të rregullt. Transnacionalizmi i “gjerë” u referohet aktiviteteve transnacionale me një nivel të ulët institucionalizimi, përfshirje të rastit dhe lëvizje sporadike.

Itzigsohn et al. (1999) i ndajnë praktikat transnacionale në katër kategori: ekonomike, politike, civile-shoqërore dhe kulturore. Transnacionalizmi ekonomik i referohet përfshirjes së emigrantëve në aktivitetet e biznesit që zhvillohen në vendin pritës dhe në vendin e origjinës. Për ilustrim mund të përdorim si firmat transnacionale, ashtu edhe emigrantët shqiptarë që sjellin çanta me mallra në udhëtimet e rastit në Shqipëri. Ndërkohë, transnacionalizmi politik u referohet anëtarësimit dhe aktivizimit në partitë politike shqiptare apo veprimtaritë elektorale të emigrantëve në Greqi dhe Itali. Kategoria civile-shoqërore u referohet praktikave fetare apo sportive të komunitetit, pra veprimtarive jopolitike dhe jotregtare. Praktikat kulturore u referohen praktikave simbolike, si formimi i identiteteve, shijeve dhe vlerave.

Studimi im, duke adresuar praktikat ekonomike transnacionale të emigrantëve shqiptarë, u referohet emigrantëve, të cilët kanë ndërtuar biznese në Itali e Greqi dhe hapin biznese edhe në Shqipëri. Shumica e bizneseve etnike të shqiptarëve janë përqendruar në sektorët e shërbimit, tregtisë dhe ndërtimit. Në sektorin e shërbimeve, llojet më të përhapura të bizneseve etnike janë firmat e transportit dhe dyqanet e pjesëve të këmbimit për makinat. Bizneset tregtarë janë të përqendruara në dyqanet e veshjeve dhe ushqimeve. Gjithashtu, një pjesë e emigrantëve krijojnë firma ndërtimi. Përveç firmave formale transnacionale, në treg janë gjithashtu të pranishme edhe praktikat informale. Një shembull i tillë janë individët që udhëtojnë shpesh për të furnizuar bizneset e tyre në Shqipëri. Ata marrin mallra nga Italia dhe Greqia dhe i sjellin në Shqipëri informalisht. Transnacionalizmi është kryesisht një fenomen i lidhur me migracionin. Megjithatë, Portes (2003, f. 875) paraqet një tipologji që dallon midis aktiviteteve të shteteve, institucioneve globale, dhe aktorëve privatë (Tabela 1). Klasifikimi i Portes (2003) tregon se transnacionalizmi u referohet kryesisht aktiviteteve ndërkufitare të individëve.

 

Tabela 1. Aktivitetet ndërkufitare të ndërmarra nga operatorë të ndryshëm

Zonat
Aktivitetet Politike Ekonomike Socio-kulturore
Internacionale Krijimi i ambasadave dhe organizimi i misioneve diplomatike jashtë vendit nga qeveritë kombëtare Eksportet e një vendi në bujqësi, ferma dhe peshkim

 

Programet e shkëmbimit të organizuara nga universitetet e një vendi
Multinacionale Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare të ngarkuar me monitorimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës globalisht. Prodhimi dhe aktivitetet e marketingut të korporatave globale, fitimi i të cilave varet nga tregjet kombëtare. Shkollat dhe misionet e sponsorizuara nga Kisha Katolike dhe fetë e tjera globale në vende të ndryshme.
Transnacionale a) Shoqatat joqeveritare
të themeluara për të monitoruar të drejtat e njeriut në nivel global.
b) Organizata të shoqërisë civile të themeluara nga emigrantët për të ndihmuar komunitetet në vendet e origjinës 
a) Bojkotimi i aktivistëve në vendet e zhvilluara për të detyruar multinacionalet të përmirësojnë kushtet e punës në vendet në zhvillim.

b) Sipërmarrjet e themeluara nga emigrantët për eksport/import të mallrave për dhe nga vendet e tyre

 

a) Organizatat bamirëse që
promovojnë mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve në vendet e varfra.
b) Konkurse bukurie dhe përzgjedhja e grupeve performuese në komunitetet e emigrantëve për të marrë pjesë në festivalet vjetore në qytetin e lindjes.

Burimi: Portes (2001).

 

Teoritë mbi sipërmarrjet transnacionale

Lindja e sipërmarrjeve transnacionale ka nxitur debate teorike midis studiuesve. Me gjithë rritjen e vëmendjes ndaj sipërmarrjeve transnacionale, njohuritë mbi to janë ende të kufizuara e të fragmentuara. Studiuesit kanë formuluar përkufizime të ndryshme mbi sipërmarrësit transnacionalë, duke krijuar diversitet në përshkrimin e arsyeve e mënyrave nëpërmjet të cilave individët angazhohen në sipërmarrjet transnacionale.

Përkufizimi i sipërmarrjes transnacionale

Nuk ka ende një përkufizim të përbashkët për sipërmarrjen transnacionale. Nga perspektiva e biznesit, Yeung (2002, f. 37) përkufizon sipërmarrësit transnacional si “aktorë social të aftë për përballuar rreziqet dhe për të marrë iniciativa strategjike për të krijuar, integruar, dhe mbështetur operacionet e huaja”. Yeung paraqet tre atribute të ndërlidhur, të pranishëm në procesin sipërmarrës: kontrolli mbi burimet, aftësitë në menaxhimin strategjik, aftësitë për të krijuar dhe shfrytëzuar mundësitë. Nga perspektiva sociologjike, sipërmarrësit transnacionalë janë një nëngrup i sipërmarrësve etnikë shpesh të përkufizuar si pronarë biznesesh, “të cilët dallohen nga aftësitë për t’u vetidentifikuar dhe për t’u përshkruar nga të tjerët” (Waldinger & Aldrich 1990, f. 113). Portes et al. (2002, f. 284) i përcaktojnë sipërmarrësit transnacionalë si “individë të cilët udhëtojnë jashtë vendit të paktën dy herë në vit për biznes dhe suksesi i të cilëve varet nga kontakti i rregullt me vendet e huaja”. Ata e shohin frekuencën e udhëtimit jashtë vendit si një tipar përcaktues të sipërmarrjes transnacionale.

Rusinovic (2008) nuk përfshin frekuencën e udhëtimit jashtë vendit dhe as suksesin e biznesit si të varur nga kontaktet transnacionale, por i përkufizon sipërmarrësit transnacional si sipërmarrës të cilët krijojnë aktivitete transnacionale, nëpërmjet kontakteve apo bashkëpunëtorëve të tyre në një vend tjetër, kryesisht në vendin e origjinës.

Llojet e sipërmarrjeve transnacionale

Landolt, Autler, dhe Baires (1999) kanë identifikuar pesë lloje sipërmarrjesh transnacionale: sipërmarrjet qarkulluese, sipërmarrjet kulturore, sipërmarrjet etnike, mikrosipërmarrjet etnike, dhe sipërmarrjet e zgjerimit transnacional. Sipërmarrjet qarkulluese përfshijnë transferimin e mallrave dhe remitancave midis vendit të origjinës dhe vendit pritës të migrantëve. Sipërmarrjet kulturore përfshijnë ndërmarrjet që prodhojnë dhe shpërndajnë mediat e emigrantëve (gazeta, programe televizive) dhe bizneset që prodhojnë ose shpërndajnë mallra nga vendet e emigrantëve (ushqim dhe pije), duke promovuar identitetin kombëtar të emigrantëve. Sipërmarrjet etnike janë firmat e vogla tregtarë që furnizohen me mallra të importuara nga vendi i origjinës dhe i shërbejnë komunitetit të emigrantëve. Mikrosipërmarrjet janë firma të themeluara nga emigrantët e kthyer në vendin e tyre dhe që mbështeten në lidhjet transnacionale. Llojet më të zakonshme të mikrondërmarrjeve përfshijnë restorante, shitje dhe riparime pjesësh për automjete dhe materiale kancelarie. Emigrantët e kthyer që kanë punuar në restorante në vendet pritëse, shpesh hapin filiale të restoranteve në Shqipëri dhe marrin lëndët e para dhe produktet nga jashtë. Së fundi, sipërmarrjet e zgjerimit transnacional janë kompani që plotësojnë nevoja të veçanta të emigrantëve.

***

Në Ballkan ka një vonesë të rrjeteve dhe sipërmarrjeve transnacionale. Kjo vonesë është për shkak të shumë faktorëve si mosmarrëveshjet e vazhdueshme etnike, fetare, territoriale dhe politike; zhvillimi ekonomik i ngadaltë; kushtet e pafavorshme për biznes; dhe integrimi evropian.

Afërsia gjeografike duhet të kishte prodhuar e nxitur aktivitete ekonomike intensive në Ballkan. Megjithatë, atë që “gjeografia” ka ofruar për njerëzit në rajon, e ka penguar dhe komplikuar “historia” e tyre. Rënia e komunizmit dhe rishfaqja e shteteve të vogla dhe multietnike ndikuan në rigjallërimin dhe acarimin e konflikteve etnike, fetare, kulturore dhe territoriale brenda shteteve, si dhe në marrëdhënie problematike ndërshtetërore në rajon. Gjatë shekullit të kaluar, marrëdhëniet midis vendeve, popullsive, shteteve dhe madje edhe njerëzve, në rajon kanë qenë të mbizotëruara nga aktivitete joekonomike. Rrjedhimisht, Ballkani nuk është zhvilluar si një rajon-kantier, me tregti, investime të huaja dhe integrim ekonomik, por kryesisht si një rajon me konflikte dhe tensione të vazhdueshme.

Vonesa e rrjeteve transnacionale ekonomike në rajon është e lidhur edhe me faktin se vendet e Ballkanit nuk kanë qenë në gjendje për të prodhuar flukse emigruese dhe imigruese nga dhe drejt njeri-tjetrit. Tradicionalisht ata kanë qenë kryesisht vende dërguese emigrantësh dhe kanë dështuar në akomodimin e imigrantëve si vende pritëse për shkak të ekonomive të tyre të dobëta. Prodhimi i flukseve migratore nga vendet e Ballkanit drejt këtyre vendeve është pothuajse jo-ekzistent për shkak të ngjashmërive që ata kanë në zhvillimin ekonomik, sistemin e mirëqenies dhe rritjen ekonomike në këto vende Ballkanike. Në përgjithësi, modernizimi ekonomik në Ballkan ka mbetur prapa atij të Europës Perëndimore dhe madje edhe pjesës tjetër të Evropës Lindore, ku lulëzojnë ekonomi të përparuara. Si rezultat, emigrantët ballkanas kanë tendencë të migrojnë jashtë gadishullit, drejt vendeve perëndimore.

Përveç kësaj, vendet e Ballkanit nuk kanë krijuar ende kushtet për një mjedis të mirë biznesi. Të bësh biznes në këto vende është shpesh e vështirë për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe sociale, ligjeve jo inkurajues, burokracisë, korrupsionit, infrastrukturës së varfër, mungesës së incentivave financiare dhe ndryshimeve të vazhdueshme në kuadrin ligjor. Të gjithë këta faktorë i bëjnë vendet e Ballkanit partnerë biznesi jo të besueshëm.

Mungesa e bashkëpunimit ekonomik rajonal i atribuohet edhe procesit të integrimit evropian. Avancimi i rajonit drejt Bashkimit Evropian po ndikon lidhjet ndërkombëtare në rajon. Shtetet në Ballkan promovojnë lidhjet transnacionale ekonomike me BE-në, duke neglizhuar ose dështuar të shfrytëzojnë bashkëpunimin rajonal. Prandaj vendet e Ballkanit kanë të prioritarizuar lidhjet ekonomike me vendet e BE.

* University of Sussex, Migration Studies

Kumtesë e mbajtur në Ditët e Studimeve Europiane në UET, 2016

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Problemi: Shkaqet e humbjes së dëgjimit dhe të shurdhësisë

Rreth 50% e gjithë rasteve me humbje të dëgjimit mund të shmangen...
Read More