Pengesat politike të Presidentit Donald Trump

Presidenti Donald Trump hasi në disa pengesa politike këtë javë, ndër to edhe dështimi i radhës për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor, si dhe humbja e kandidatit që ai mbështeti për zgjedhjen e senatorit të shtetit Alabama. Niveli i miratimit të publikut për Presidentin Trump mbetet në nivelin 40%, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, baza e tij politike duket se vazhdon ta mbështesë.

Në kërkim të një fitoreje pas një jave të vështirë, Presidenti Trump e ktheu vëmendjen ndaj një tjetër premtimi elektoral, reformimit të sistemit të taksave.

“Ka ardhur koha të kujdesemi për njerëzit tanë, të rindërtojmë vendin dhe të luftojmë për të drejtat e punëtorëve tanë të shkëlqyer amerikanë”, tha Presidenti Trump.

Kjo lëvizje vjen pas një tjetër dështimi të republikanëve në Senat për të anuluar dhe zëvendësuar programin Obamacare, duke u dhuruar kështu një tjetër fitore demokratëve në Senat.

“Arsyeja pse dështoi ky projektligj është se miliona amerikanë nuk e duan”, tha Senatori demokrat Chuck Schumer.

Presidenti Trump dhe republikanët pësuan një tjetër disfatë në votimet për Senatin në Alabama, ku fitoi zgjedhjet paraprake ultra-konservatori Roy Moore.

“Jemi në Tokë për një kohë të shkurtër, dhe detyra jonë është që gjatë kësaj periudhe t’i shërbejmë Zotit të plotfuqishëm”, tha kandidati republikan Roy Moore.

Presidenti Trump pati mbështetur kundërshtarin e zotit Moore, Senatorin aktual Luther Strange. Ai megjithatë dukej i dyzuar në këtë mbështetje.

“Presidenti Trump po bënte fushatë për Luther Strange, por dallohej se kishte hezitim edhe gjatë fushatës”, thotë strategu republikan, John Feehery.

Fitorja e zotit Moore është dëshmi e re e një përçarjeje republikane që mund të ndikojë edhe tek Presidenti.

“Sa më shumë që Presidenti Trump të përmbushë interesat e njerëzve që e votuan përkundër elitës republikane, aq më shumë do të rriten tensionet brenda Partisë Republikane”, thotë Bill Galston, i Institutit Brookings.

Presidenti Trump u përfshi më tej në polemika, duke kritikuar lojtarët e futbollit profesionist amerikan që protestojnë për padrejtësitë racore gjatë luajtjes së himnit kombëtar.

Megjithë këto pengesa, mbështetësit e tij kryesorë duket se vazhdojnë të qëndrojnë pas Presidentit.

“Natyra e tij e pashtruar duket se përputhet mirë me bazën republikane që është e pakënaqur me Uashingtonin”, thotë John Feehery.

Presidenti Trump shpreson se një fitore për reformimin e sistemit të taksave do të forcojë pozitat e tij përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm për Kongresin amerikan.

Shkruar Nga
More from Revista User

Një i vdekur dhe 14 të plagosur pas sulmit në një klub nate

Të paktën një person u vra dhe 14 të tjerë u plagosën...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.