Për Ana Kareninën e ditëve tona

Nga Alda Bardhyli – Nuk ka asnjëherë një të vërtetë të vetme në dashuri. Më shumë se një shekull nga koha kur Tolstoi krijoi një prej personazheve më emancipuese në historinë e letërsisë, një personazh që do të dilte nga librat duke u bërë një pamflet feminist që do të shoqëronte lëvizjet e mëvonshme feministe pas Luftës së Dytë Botërore, që do t’i jepnin gruas të drejta të mohuara prej shekujsh, regjisori rus Karen Shakhnazorov, e rikthen Anën, duke “provokuar” një sistem, e një industri ku gratë kanë pushtuar kopertinat e revistave jo vetëm të Vogue.

A pasqyrojnë të vërtetën e gjendjes së grave imazhet e pasarelave apo postet e larta politike që kanë marrë një pjesë e tyre? A janë ato një lexim ndryshe i “revolucionit seksual”, dhe realiteti i gruas sot vijon të jetë po aq emergjent sa në Lindjen e Mesme?

Shakhnazorov nuk kërkon të flasë me gjuhën e sondazheve, me kuotat e rritura në parlamente apo forumet e përvitshme mbi rolin e gruas në shoqëri që vijojnë të mbahen në të gjithë botën, as në shoqatat që sigurisht as në Rusi nuk mungojnë. Ai u beson gjuhës së personazheve dhe forcës së letërsisë që gjithnjë nuk harron të na tregojë të vërtetat.

Pas ekranizimit të britanikëve të Ana Kareninës më 2012 një film që mbart një nga romancat më të bukura e njëkohësisht më të angazhuar në historinë e letrave, ai i rikthehet librit të Tolstoit, duke ndjekur fatet e dy personazheve kryesorë në këtë histori pas vdekjes tragjike të Anës. “Historia e Vronsky-t” është pjesa e dytë e filmit prodhim i vitit 2017, i cili tashmë ka mbërritur dhe në kinematë shqiptare.

Ndërsa Tolstoi e mbyll librin me fundin tragjik të Anës, një fund që do të hapte një botë të re në gjithë mendimin konservator të shekullit të 19-të, duke treguar tragjizmin e gjendjes së gruas dhe në shoqëri të larta siç ishte ajo ku jetonte Ana Karenina, Karen Shakhnazorov, e rimerr historinë pikërisht aty ku e ka lënë Tolstoi, për të na treguar se tragjizmi ende nuk ka mbaruar. Është Sergei, i biri i Anës i rritur me pyetjet torturuese mbi ikjen fatale të së ëmës, dhe Vronsky, (i dashuri) që nuk mund të heqë dot nga kujtesa gruan që e persekuton me mungesën dhe 30 vjet më vonë, që takohen në një fshat të largët në Mançurian, gjatë luftës ruso-japonezë më 1904.

Është ky një takim fati i dy burrave që mbahen peng nga kujtimi i një gruaje. E në këtë rikthim në kohë për të gjetur secili përgjigjet mbi pyetjet që i kanë munduar aq shumë, shikuesi ka mundësi të takoj sërish nën një shkëlqim tjetër gruan e veshur me fustanet e gjata ruse, e cila u hodh në shinat e trenit për dashurinë.

Një Anë që mbart guximin e jashtëzakonshëm që bota do ta zbulonte vonë të grave. Një kujtesë për shqisat e mençura të qenieve që vijojnë të përballen me të tjera dogma sot. Teksa Sergei i duhet të largohet me karrocën e fundit për të shpëtuar nga japonezët që po bombardojnë Mançurian, Vronsky vendos të qëndrojë duke dashur të shpëtojë përgjithmonë nga hija e një gruaje që i është ngjitur në trup. Në ato minuta lamtumire, ai do t’i thotë Sergeit të vërtetën që e ka ndjerë çdo çast për 30 vite rresht. “Ana nuk ka vdekur, ajo duhet të jetë diku. Unë nuk hoqa batanijen për të parë trupin e saj në stacionin e trenit”.

Kjo metaforë e Karen Shakhnazorov, që kërkon të ringjallë personazhin që Tolstoi e hodhi në shinat e trenit pikërisht në stacionin ku u njoh për herë të parë me Vronskin, si shuplaka që do të trazonte konturet e shekullit XIX-XX, duke i dhënë femrës të tjerë ekuilibra, është ndoshta një prej të vërteta më tragjike të këtij shekulli. Gratë vijojnë ende sot të përballen me të tjera diskriminime, në një botë ku aleanca mashkullore i ka rrënjët thellë në histori. Ana vijon të jetojë ende brenda nesh, e zhveshur nga fustanet e gjatë, vargonjtë e divorcit, por me të tjera mure që ngrihen çdo ditë para saj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tre probleme për t’u përballuar në luftën ndaj terrorizmit

Nga Angelo Panebianco Mbërritur në këtë pikë, në këtë fazë të luftës...
Read More