Për bashkëbisedimin e munguar me Bashkim Shehun në forumet UET

Nga Klementin Mile

I ftuari i kësaj jave në forumet UET qe Bashkim Shehu. Ndryshe nga ç’ka ndodhur me të ftuarit e tjerë, ku çështja është si t’i bësh t’u përgjigjen pyetjeve më shkurt, me Bashkim Shehun problemi qe si ta bëje të përgjigjej më gjatë. Ndërkohë që moderatorja i kishte përfunduar pyetjet e veta, të cilat nuk qenë pak por rreth 20, pashë orën dhe vura re se kishin kaluar vetëm 20 minuta. Përgjigjet pra, patën qenë jashtëzakonisht të shkurtra. Edhe pyetjeve të tjera që iu bënë nga salla e mbushur me pedagogë e studentë Bashkimi iu përgjigj fare shkurt.

Unë e njoh Bashkim Shehun si përkthyes të shkëlqyer, shkrimtar të mirë dhe djalin e ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu. Nuk e di se cili nga këto identitete është përgjegjës për shkurtësinë e përgjigjeve të tij, e cila qe në kufijtë e heshtjes. Me siguri nuk është as çështje me rëndësi publike të zbulojmë motivet e individit Bashkim Shehu për qëndrimin e tij. Por, nga ana tjetër, rasti i shkrimtarit dhe përkthyesit Shehu na jep mundësinë të reflektojmë për fenomenin e heshtjes. Për një shoqëri heshtja është po aq e rëndësishme sa fjala. Ne duhet ta dimë kur heshtet dhe pse heshtet. Fjala ngjizet në heshtje dhe lind vetëm atëherë kur çelet barku i errët i heshtjes.

Reflektimi për rastin Shehu na shpie në një disnjunksion logjik: heshtjen e Bashkim Shehut mund ta kemi shkaktuar ose ne ose ai vetë. Ne mund të jemi bërë shkaktarë të heshtjes së tij duke u treguar të paaftë për t’i bërë pyetje shkrimtarit, përkthyesit dhe birit të ish-kryeministrit komunist. Të bësh pyetje nuk është e lehtë. Po të përdorim kriterin e filozofit Heidegger për të dalluar një pyetje nga një jo pyetje, pyetja është e tillë që nuk mund t’i përgjigjemi dot lehtë dhe na e mban interesin gjallë për shumë e shumë kohë. Vetë filozofia, thotë Heidegger, por po ashtu dhe filozofi anglez Russell, është një rrugëtim që ndërtohet nga pyetjet. Bashkim Shehu u përgjigj shkurt sepse ndoshta nuk u përball me pyetje, por vetëm me kërkesë për informacion; ai heshti sepse ndoshta nuk po e pyesnim, por vetëm po i kërkonim opinion.

Filozofi bashkëkohor irlandez Desmond, duke bërë një fenomenologji të mendjes njerëzore, na thotë se ne njerëzit kemi tri mënyra për t’u lidhur me qenien. Ne mund të mahnitemi prej qenies, mund të pështjellohemi prej saj, ose mund të bëhemi kuriozë për qenien. Ndoshta me të ashtuquajturat “pyetje” tonat, ne shprehëm kryesisht kuriozitet dhe disi më pak pështjellim për qenien e Bashkim Shehut shkrimtar, përkthyes, dhe bir i një personi me peshë të madhe në historinë e komunizmit shqiptar. Kurioziteti shuhet nga informacioni, ndërkohë që pështjellimi kërkon dhënien e opinionit – dhe Bashkimi na informoi dhe na e dha opinionin e vet: shkurt, lehtë, pa hezitim. Kjo shkurtësi, e cila manifestoi heshtjen e tij, ndoshta u shkaktua prej nesh. Sepse ne, me dëshirën e papërmbajtur për informacion dhe opinion, mbase nuk ditëm ta respektojmë nevojën e shkrimtarit dhe përkthyesit Shehu për t’u mahnitur prej pyetjeve. Ne nuk ditëm t’i bëjmë atij ndonjë pyetje, por vetëm i kërkuam ta mbushte shpejt dhe saktë formularin si informator dhe opinionist. Ndoshta kurioziteti dhe pështjellimi ynë e vranë bashkëbisedimin me Bashkim Shehun, bashkëbisedim që mund të ndodhte vetëm prej mahnitjes.

Por, e thamë që ky është disnjunksion. Shkaktar i heshtjes së Bashkim Shehut mund të jetë vetë ai. Si shumë individë të tjerë të lidhur direkt me udhëheqjen e dikurshme komuniste të vendit, Bashkimi mund të jetë duke u treguar fleksibël. Atij mund t’i leverdisë më shumë të heshtë se sa të flasë. Për shembull atij nuk i leverdis të thotë se arsyeja kryesore pse jeton në Spanjë është se kështu mund të tërheqë pensionin si hero lufte që shteti spanjoll i jep babait të vet Mehmetit. Ndoshta te Bashkim Shehu mund të bashkekzistojnë shkrimtari i mirë, përkthyesi i shkëlqyer dhe biri i ish-kryeministrit komunist vetëm në heshtje. Sapo të fillonte të fliste, e kjo do të thotë t’i respektonte shprehimisht kërkesat e identiteteve të ndryshme të tij, ai do ta gjente veten në kontradikta të pakapërcyeshme e që përfundimisht do e zhbënin si individ.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Misteri: Kur mbjellja e pemëve nuk shkon siç duhet…

Shpesh thuhet se është mirë që të mbjellësh sa më shumë pemë...
Read More