Për Birrën Shqiptare: Kur uji i Moravës u kthye në biznes

Historia nis më 1928. Një sipërmarrës italian e një shqiptar marrin me koncesion për 60 vjet shfrytëzimin e ujit të Moravës për prodhim birre etj. Umberto Uberti e Selim Mborja e përfundojnë fabrikën më 1933. Ajo hyn plotësisht në prodhim në verën e 1934-ës. Për 26 vjet me radhë Birra Korça do të operojë e vetme në treg.

Nga Adi Darsi

Revista Mapo

Në mesin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar, pasi industria e alkoolit ishte ngritur, edhe në Shqipëri ishin krijuar kushtet për të nisur edhe me prodhimin e birrës, një pije që deri në atë kohë pothuajse nuk njihej fare. Ndonëse qindra vjet pas vendeve të tjera evropiane, edhe vendi ynë shumë shpejt do të kishte birrën e parë “Made in Albania”. Gjatë viteve 1925-1931 sipërmarrësit e huaj ishin në garë se kush mund të merrte të drejtën e koncesionit për këtë biznes, duke synuar ngritjen e një fabrike të birrës në Shqipëri. Të parët që e fituan këtë të drejtë kanë qenë një grup sipërmarrësish anglezë. Ata morën koncesionin dhe nisën punën për ngritjen e një fabrike birre në Shkodër. Por përpjekja angleze dështoi shpejt. Ata kishin planifikuar të ndërtonin një fabrikë të madhe, prodhimi i të cilës do të ishte shumë herë më i madh nga konsumi i birrës në Shqipëri. Por duket se projekti i tyre ishte i pastudiuar mirë, dhe shumë shpejt investitorët e braktisën atë duke i lënë punimet si gërmadha. Rastin e shfrytëzoi menjëherë një sipërmarrës italian, por që projektin e tij për të ngritur një fabrikë birre e kishte vendosur në Korçë. Umberto Uberti nis kështu historinë e birrës shqiptare.

Koncesioni 60-vjeçar

Në vitin 1928 inxhinieri italian, i lindur në Venecia, Umberto Uberti, pasi kishte 10 vite që operonte në tregun e birrës në Itali, mori të drejtën për të bërë këtë gjë edhe në Shqipëri. Koncesioni 60-vjeçar që ai siguroi në atë kohë mban firmat e Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri, miratohet në Parlamentin e kohës dhe është nga dekretet e para të firmosura edhe nga Mbreti Zog. Po në këtë vit Uberti kishte porositur te një studio projektuese italiane edhe projektin e fabrikës së birrës në Korçë, punë që u krye brenda vitit. Pasi kreu edhe procedurat e tjera, me firmosjen e dokumenteve në prefekturën e Korçës, në tetor të vitit 1929, ai nisi të ndërtojë fabrikën, një punë që mori më shumë se 3 vjet. Fabrika u vendos në rrugën Korçë-Mborje, në një sipërfaqe prej 20 000 metër katrorë, pronë e Selim Mborjes, i cili do të jetë në atë kohë bashkëpronar edhe në biznesin e birrës. Birra Korça u themelua me një kapital prej 950 000 frangash ari, prej të cilave 600 000 franga i takonin Ubertos dhe 350 000 franga i takonin Selim Mborjes për truallin e fabrikës. Punimet në fabrikë kanë përfunduar në muajt e fundit të vitit 1933 dhe prodhimet e para të saj janë testuar më 18 dhjetor 1933. Por fabrika do të futet në punë me kapacitet të plotë vetëm në fillim të verës 1934, kur edhe do të përurohet. “Gazeta e Korçës” e 4 qershorit 1934 shkruante “Për burrat mundësi të reja punësimi. Selim Mborja ngriti fabrikën e birrës. U punësuan 220 veta dhe 25 specialistë italianë: Të hënën, më dt. 4 të këtij muaji, ora 5:30 pas dreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” e shoqërisë Umberto-Mborja. Ishte e ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan makinerinë e fabrikës. Ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura. Birra e fabrikës Korça është me të vërtetë prej kualiteti më të mirë se shumë birra të huaja. Ajo është e njëjtë me atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 lekë për të voglat”. Tashmë Korça ishte bërë prodhuesja e parë e birrës “Made in Albania”. Në funksion ishte vënë një fabrikë me kapacitet prodhimi deri në 20 000 hektolitra birrë, por që për nevojat e vendit prodhonte deri në 6 000 hektolitra. Për të vënë në veprim fabrikën ishin instaluar dy motorë diezel me një kapacitet prej 120 kuaj fuqi, ishte ndërtuar një ujësjellës 8 km larg fabrikës, që sillte 2 160 hektolitra ujë të pastër në orë. Në fabrikë prodhohej gjithashtu edhe ujë mineral, 7 ton akull në ditë dhe ishte ngritur edhe magazina frigoriferike për ruajtjen e sendeve ushqimore me kapacitet 200 metër kub.

Lufta për të kapur tregun

Fabrika e birrës, që në krye të herës do të kthehet në një të mirë publike për qytetin e Korçës. Për herë të parë investitorët e saj do të ndërtojnë një ujësjellës për qytetin, duke i bërë veç të tjerave, edhe një reklamë shumë efikase vetes. Në vitin 1933 pas marrëveshjes me kryetarin e Bashkisë së kohës, ata nisin shtrirjen e tubacionit të ujësjellësit. “Gazeta e Korçës” e datës 26 gusht 1933 shkruante “Pas përpjekjeve të shumta, Rustem Ymeri (kryetari i bashkisë) gjeti zgjidhjen përfundimtare të ujit të pijshëm për lagjet e “Varoshit”. Lidhi kontratë bashkëpunimi me pronarin e fabrikës së birrës, Selim Mborjen. Kontrata e bashkëpunimit u firmos edhe nga bashkëpronari italian Umberto Uberti. Ja çfarë thuhej në njoftimin që u dha: Dje u nënshkrua akti i ujdisë midis Bashkisë dhe Shoqërisë së Fabrikës së Birrës për çështjen e ujit. Ky ujë rrjedh prej burimeve të quajtura “Çezma e Gjergos” dhe “Izvor”, të njohur dhe me emrat “Burimi i Luadhit” dhe “Çezmat e Luadhit”. Të drejtën e sjelljes së këtij uji do ta ketë për 60 vjet fabrika”. Në vitin 1934 fabrika nis punën dhe arrin që të prodhojë 605 hektolitra birrë, sasi e barabarte me 42% të konsumit të vendit. Një vit më vonë situata do të jetë krejt tjetër, fabrika pesëfishon prodhimin dhe hodhi në treg mbi 3 mijë hektolitra birrë, duke shitur rreth 75% të të gjithë sasisë së konsumuar në vend. Beteja për treg ishte fituar. Në vitin 1936, Umberto Uberti investoi edhe 20 mijë franga ari për përmirësimin e makinerive të fabrikës. Ai ngriti një rrjet të shitjes së prodhimit duke ndërtuar magazina frigoriferike në Gjirokastër, Vlorë e Elbasan, si edhe duke ngritur pika të vogla akulli në qendrat më të vogla të banimit. Krahas kësaj duke synuar një treg sa më të madh për birrën e tij Uberti në qershor të vitit 1936 i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me një letër me të cilën kërkonte që të merreshin masa për të ulur importin e birrës. Ai i propozonte Ministrisë së Ekonomisë që të ngrihej taksa doganore për çdo hektolitër birrë së paku 60 franga ari, si për birrën që importohej me fuçi, ashtu edhe për birrën që importohej në shishe. Kërkesa alarmoi tregtarët dhe importuesit e birrës, të cilët të frikësuar se mos taksat rriteshin, bënë porosi të mëdha birre gjermane dhe e shitën me çmime të ulura, duke i sjellë vështirësi prodhuesit vendas të birrës.

Në vijim në vitin 1937 shoqëria Birra – Korça rriti kapitalin e saj nga 500 000 në 950 000 franga ari. Në këtë kohë Umberto Uberti, arriti një marrëveshje sipas të cilës aksionet që zotëronte Selim Mborja (51 aksione me një vlerë prej 25 500 frangash ari) t’ia kalonin atij, ndërsa ky i fundit t’i jepte Selim Mborjes menjëherë një pjesë të vlerës së aksioneve, ndërsa pjesën tjetër t’ia jepte brenda 30 qershorit të vitit 1937. Në këtë mënyrë Umberto Uberti u bë zotërues i plotë i fabrikës Birra-Korça dhe Selim Mborja largohet nga posti i presidentit të shoqërisë. Gjatë vitit 1937 fabrika e rriti më tej prodhimin e birrës dhe vijoi përpjekjet për të marrë më shumë treg nga importuesit. Më 11 dhjetor të atij viti shoqëria Birra Korça, iu drejtua me një letër kryeministrit, ku përsëriste kërkesën që të vendosej një taksë për importin e birrës. Kërkesa është marrë në shqyrtim nga Ministria e Ekonomisë Kombëtare dhe nga Ministria e Financave. Por ajo u refuzua me argumentimin se do të shqyrtohej kur të përfundoheshin marrëveshjet e reja tregtare me Italinë, Greqinë dhe ish-Jugosllavinë.

Rrjeti i tregtimit

Në pak vite bizneset e inxhinierit italian Uberti në Shqipëri do të lulëzonin. Ai do të kthehej shpejt në një investitor të madh, që përveç prodhimit dhe tregtimit të birrës, do të kishte interesa edhe në fusha të tjera. Shoqëria e tij ngriti në Korçë një ofiçinë, një impiant për galvanizim (i pari impiant i këtij lloji në Shqipëri), një zdrukthëtari, banesat për italianët, një restorant birrarie etj. Shumë shpejt shoqëria Birra Korça zgjeron veprimtarinë dhe rrjetin e saj në të gjithë Shqipërinë. Në Kuçovë kishte një fabrikë akulli ku prodhohej 20 kv akull në ditë dhe një magazinë frigoriferike, në Durrës kishte një fabrikë akulli, por vetëm makineritë ishin pronë e tij, në Gjirokastër, Vlorë dhe Tiranë kishte agjencitë e tij me impiante frigoriferike më të vogla. Veç këtyre veprimtarive Uberti u përfshi dhe në projekte të tjera. Ai ngriti një shoqëri automobilistike për transport nga Korça në Tiranë dhe Durrës. Po ashtu ngriti një shoqëri tregtare për importin e mallrave nga Italia me emrin “Adria”, si dhe një kafe-birrari në qytetin e Shkodrës. Ai projektoi ngritjen e një frigoriferi në qytetin e Sarandës, projekt që si ide kishte lindur që në 1934. Për realizimin e këtij projekti ai parashikoi të investojë një shumë prej 63 mijë franga ari. Ideja për ngritjen e një frigoriferi në qytetin e Sarandës ku do të ruhej birra dhe sidomos djathi që prodhohej në zonën e Gjirokastrës u përkrah nga përfaqësuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Durrës. Më 1936 ai përfundoi një marrëveshje me ndërmarrjen AIPA për ndërtimin, me shpenzimet e kësaj të fundit, të një frigoriferi të vogël për konservimin e birrës, të prodhimeve bujqësore dhe të rrushit. Po atë vit hyri në bisedime për blerjen e fabrikës së akullit të firmës shqiptare Dan Hasani në Shkodër. Në gusht 1938 iu drejtua me një letër Ministrisë së Ekonomisë me të cilën kërkonte lejen për ngritjen në qytetin e Gjirokastrës të një fabrike akulli së bashku me një frigorifer, dhe e mori lejen për ta përfunduar atë deri në gusht të vitit 1939. Në këtë mënyrë ai jo vetëm që kishte plotësuar rrjetin e shitjes së birrës, por ishte kthyer edhe në një investitor me interesa të gjera në biznesin shqiptar të kohës.

Birra si industri

Për pak vite investitori italian ja del që ta kthejë birrën në një industri të zhvilluar. Nga 600 hektolitra që ai kishte prodhuar në vitin 1933, gjashtë vjet më vonë më 1939 ai hedh në treg plot 10 mijë hektolitra birrë. Mundësitë e tij për punë zgjerohen në vitet në vijim. Pas pushtimit italian, ai do ta ketë “më të lehtë” për t’u marrë vesh me autoritetet. Më 18 korrik 1942 Uberti do t’i thoshte gazetës “Tomorri”: “Ishim të parët ne që u pajisëm me ujë e korrent (energji elektrike), ujin e famshëm të malit Morava që e solli fabrika jonë, furnizon sot një pjesë të madhe të qytetit. Ishim të parët në Shqipëri që krijuam për të mirën e vendit magazinat frigoriferike, me të cilat do të pasurojmë më vonë tërë qytetet në Shqipëri, atje ku prodhohet më tepër bulmeti. Nuk është një gjë e vogël kjo, kur mendojmë se Shqipëria prodhon një sasi të madhe bulmeti.” Ai po shikonte se biznesi i tij vetëm po rritej. Synon që industrinë e birrës ta kthejë me cikël të mbyllur dhe investon në këtë drejtim. Në vitin 1942 fillon ndërtimin e fabrikës së prodhimit të maltos, punë që e përfundoi në vitin 1943. Por gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt. Kapitullimi i Italisë dhe përfundimi i Luftës së II Botërore një vit më vonë, do të jenë edhe fundi i biznesit të tij në Shqipëri. Pas lufte, fabrika e tij shtetëzohet, por njëkohësisht mbahet në punë. Më pas në vitet 1955, 1957 dhe 1965, fabrikës i bëhen rikonstruktime të vazhdueshme dhe kapaciteti i saj rritet deri në 52 mijë hektolitra birrë në vit. Deri në vitin 1960 ajo do të jetë e vetmja fabrikë e madhe birre në vend, ndërkohë atë vit asaj i shtohet simotra “Birra Tirana”, e cila e shumëfishoi prodhimin e birrës shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mbarë bota shqiptare: Lamtumirë albanologut Robert Elsie

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj,...
Read More