Për çështjen e teatrit duhet të mbështesim artistët!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Debati mbi godinën e Teatrit Kombëtar po hyn në fazën përfundimtare të tij, atë të konfliktit mes palëve. Shumë shpejt, shqiptarët do njihen me çfarë do të ndodhë me një nga godinat më të rëndësishme të zonës historike të Kryeqytetit të tyre. Forca dhe ndikimi i palëve të përfshirë në këtë debat po balancohet, çka do të thotë se monopoli i dy-tre oligarkëve për të vendosur për gjithçka që i përket qytetit, po thyhet të paktën në një zonë të tij. Dhe kjo është një ngjarje shumë e mirë për demokracinë gjerësisht të munguar shqiptare, veçanërisht në trajtimin dhe vendimmarrjen për çështjet urbane. Sepse nuk ekziston një hapësirë tjetër politike ku demokracia e drejtpërdrejtë të ketë kuptimin praktik më të qenësishëm sesa planifikimi dhe zhvillimi i qytetit. I gjithë spektri politik, përjashtuar periferi të caktuara, dakordësojnë se qyteti nuk mund të ribëhet pa përfshirjen në proceset planifikuese të palëve të interesuara dhe të prekura nga zhvillimi.

Mirëpo, përtej qasjes teorike, qasjet praktike të partive shqiptare ndaj përfshirjes së palëve të interesuara në proceset vendimmarrëse urbane janë shumë të ndryshme nga ligjërimi (e folura) i tyre publik. Praktikat e tyre, sikurse për shumëçka, janë më shumë të ngjashme me praktikat e sistemit kolektivist të tre dekadave më parë, sesa me tezat politike të statuteve apo programeve zgjedhore të tyre. Ata shtiren sikur po përfshijnë palët e interesuara në çështjet urbane, por realisht vendimmarrin në mënyrë të pavarur nga publiku. Edhe në kohën e diktaturës, megjithëse pushteti i kastës vendimmarrëse ishte i pakufishëm, ekzistonte një nen (ligji sektorial i 1978-ës) që përcaktonte detyrimin për afishimin e Planit Rregullues në mjediset e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. ‘Mbledhja e mendimit të masave punonjëse’ për një muaj, kur masat punonjëse i kishin zhveshur nga çdo interes personal për zhvillimin, ishte thelbi i talljes me publikun në atë kohë.

E njëjta qasje praktike për ‘mbledhjen e mendimit të masave punonjëse’, megjithëse i kanë ndryshuar emrin në ‘dëgjesë publike’, funksionon edhe sot. Bile, pushtetarët e sotëm shkojnë më tej në talljen e tyre publike me publikun. Ata i shtojnë edhe fragmentarizimin e çështjes në debat, si rrjedhim logjik i fragmentarizimit të zhvillimit urban. Një karakteristikë kjo e zhvillimit të paplanifikuar të dekadave të fundit, ku plani mungon në çdo rast dhe debati është mbi një objekt të caktuar pavarësisht hapësirës urbane në të cilin ai përfshihet. Të paktën kasta vendimmarrëse e socializmit monist e hartonte një Plan për gjithë qytetin, pastaj tallej me publikun. Kurse vendimmarrësit e sotëm të socializmit demokratik nuk e marrin as këtë mundim. Jo sepse përtojnë, porse planifikimi i përgjithshëm apo pjesor, dhe përfshirja e palëve të interesuara e të prekura nga zhvillimet e planifikuara, do t’i pengonin ata në vendimmarrjet preferenciale që synojnë.

Pa nënvlerësuar dimensionin e trashëgimisë kulturore që është një materie shumë e rëndësishme për godinën në fjalë, ky është thelbi i kontradiktës midis kastës vendimmarrëse dhe publikut të gjerë të përfaqësuar përgjithësisht nga artistët. Thelb i cili mbështetet në dy karakteristikat e planifikimit dhe administrimit të qendrave urbane. Së pari, është Plani si produkt material i planifikimit, i cili na drejton me lehtësi tek ‘ai që mban të drejtën’ në këtë debat. Fakti që as Plani i Përgjithshëm Vendor që miratuam një vit më parë, dhe as Plani Francez për zonën Qendrore të Tiranës, nuk vendimmarrin për ndërtimin e një Teatri të ri me kulla mbi shpinë, do të thotë se e drejta ‘sipas planit’ qëndron me artistët. Dhe në këtë pikë na duhet të përsërisim një të vërtetë që pakkush nga publiku ka mbetur pa e kuptuar: prishja e teatrit është pasoja, jo shkaku. Pra, teatri duhet prishur që të ndërtohen kullat, dhe jo se, kullat duhen lejuar që të mund të ndërtohet teatri.

Kjo sentencë vërteton se vendimi për prishjen e godinës së teatrit është marrë tashmë nga kasta drejtuese (njëra palë), dhe ‘dëgjesat publike’ me artistët (palën tjetër) janë një farsë e rilindur nga socializmi monist. Mirëpo, planifikimi territorial dhe urban bashkëkohor pa karakteristikën e tij të dytë nuk ka vlerë. Dhe, planifikimi si një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës i palëve të interesuara dhe të prekura nga vendimmarrjet për zhvillim, na thotë se e drejta ‘sipas planifikimit’ qëndron gjithashtu nga ana e artistëve. Prandaj artistët duhen mbështetur, jo vetëm për faktin e një godine me histori, dhe as vetëm për faktin se e drejta sipas shkencës së urbanistikës qëndron me ta. Por edhe se, me daljen e protestës së tyre jashtë skemave ‘nga brenda–jashtë’ të përcaktuara e modeluara nga burokracia dhe interesat specialë të grupeve ekonomike po sjellin një erë të re për përfshirjen qytetare në vendimmarrjet për planifikimin e qytetit: atë të vetorganizimit qytetar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nuk mund të llogaritet në moral të politikanëve për të mbrojtur paratë e taksapaguesve

Nga Augustin Palokaj Çfarë është mëditja? Ajo është një shumë e mjeteve...
Read More