Për ç’lloj të ardhmeje mund të flasim sot për Shqipërinë?

Nga Ndriçim Kulla*

Është një lojë që ka për objekt jo vetëm botën ashtu siç ajo është krijuar, historinë e saj – ashtu siç ne e njohim – por edhe botën se si do të mund të ishte, nëse në vend që të ndiqte një rrugë të caktuar, ajo ndoqi një rrugë tjetër. Kjo është loja e historisë së këndvështruar sipas në qoftë se-ve. Kjo është domethënia e “në qoftë se”-ve, që e fokusuar ndaj të sotmes shqiptare shndërrohet më shumë në një lojë, duke u paraqitur si një ushtrim intelektual që e vë mendimin fortësisht në lëvizje, apo si një metodë për ta kundruar të sotmen si një histori që mund ta shkruajmë si në këtë mënyrë ashtu dhe në një tjetër. Pra, duke mos e varur zhvillimin e saj në forcat dhe kapacitetet e një personi apo një grupi personash, le ta zëmë të “Rilindjes” dhe “prijësit” të saj, por te fuqia e njeriut me të gjitha kapacitetet e tij, që çdo individ i shoqërisë ka në vetvete. Kështu mund të ndodhë edhe në Shqipëri, po kështu edhe në kolektivitetin e shoqërisë shqiptare. Ajo mund të drejtohej e mund të drejtohet drejt një drejtimi të caktuar, në një kohë kur mund të zgjidhte edhe një drejtim krejt tjetër. Është e mbartur me një rrjetë të imët hamendësimesh kjo pjesëz e vogël “në qoftë se”, e po njëlloj gjithnjë të reja e të papritura mund të jenë përgjigjet e pyetjeve që ajo dikton. Për ç’lloj të ardhmeje mund të flasim sot për Shqipërinë? Si do ta përkufizonim domosdoshmërinë dhe qenien e saj historike në momentet që po kalojmë? Ç’trashëgimi po iu krijon ajo njerëzve të vet e gjeneratave që do të vijnë? Por mbi të gjitha, në perspektivën e një viti apo dhe 4 viteve të ardhshme, si mund ta transformojmë gjithë këtë zemërim njerëzor që rritet përditë e më shumë, së pari në nevojë të brendshme dhe më pas në një projekt social, historik, e pse jo edhe politik, të mbrujtur nga “homus novus” autentikë. Për këtë arsye, të studiosh “në qoftë se”-të e një historie shoqërore është mjaft e dobishme, për të kuptuar diçka me të vërtetë themelore. Ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë një pikë kthese dhe pasigurie, ku ka qenë e mundur provimi i një alternative, një moment ku ngjarjet do të kishin mundur të merrnin një kthesë tjetër, sepse historia përherë është mbrujtur prej kthesave dhe kthesat janë pikërisht ato që na interesojnë për të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar të gjendjes së sotme shqiptare. Prandaj, metoda e vetme për të ndërtuar një domethënie të vërtetë të historisë sonë, do të konsistonte në përgjigjen e pyetjes se si do të kish shkuar historia e këtij vendi ku po jetojmë nëse para katër vjetësh apo pas katër vjetësh, një gjendje, një vendimmarrje, një votim, e kështu me radhë, nga ana e shoqërisë dhe e popullit të qe përballur në mënyrë krejt tjetër. Përfundimi i ushtrimit të këtij sfidimi intelektual do të na bënte të kuptonim me të shpejtë se të gjithë jemi duke jetuar një histori të parathënë, tek e cila jemi ngulur e nuk po shqitemi dot. Është pikërisht kjo parathënshmëri ajo që e bën akoma dhe më të padurueshme “mandrën” që mazhoranca dhe “tamburet” (shtyp, TV, rrjete sociale) përsërisin deri në përbuzje. “Nuk ka alternativë”, një shprehje kjo më e përshtatshme për ngjarje që tashmë kanë ndodhur dhe jo për gjera që mund të ndryshojnë shumë shpejt, nisur nga kapërthimet e krizave që po shoqërojnë çdo çast ecurinë tonë në të gjitha fushat. Kështu ndodh kur të gjitha “në qoftë se”-të kondensohen në një rrëfim të parathënë, e më pas skarcohen si të padobimta ose idealiste, pasi asgjë nuk mund të ndryshojë në pushtet, dhe as në horizontin më të largët nuk shfaqet ndonjë alternativë. Ja, një rrëfim të tillë, të parathënë, na paraqet çdo herë sot koalicioni qeverisës, sa herë që realiteti i zbulon një aspekt, më pas një skandal, një krim të krizës ku po jeton çdo ditë shoqëria shqiptare. Veçse propaganda dhe autorët e “librit të verdhë” që na ofron për të lexuar qeverimi i sotëm, të gjitha këto na i paraqet si dëme të pashmangshme dhe anësore të reformave të dhimbshme, të një stabiliteti të ngritur pa të drejtë në një vlerë të re etike të pakushtëzuar, me të vetmin qëllim demagogjik të vazhdimit të reformave, pasi çdokush tjetër nuk mund t’i realizonte ato. Mashtrimi qëndron pikërisht në këtë agjendë “reformash makijazhiste”, që jo vetëm e shpërqendrojnë dhe e ngatërrojnë fokusin, por kanë edhe mëtimin e gabuar se mund të arrijnë në një majë triumfaliste që nuk është arritur për të gjitha këto 25 vitet e tranzicionit; aq më tepër, që mjetet që këto reforma përdorin (selektiviteti, sipërfaqësueshmëria ose mos-strukturimi rrënjësor, moskapaciteti njerëzor, e deri te pjesëmarrja vetëm e shtirur dhe pompoze e të gjithë faktorëve përbërës, aq të rëndësishëm për suksesin), nuk janë aspak mjetet e përshtatshme për t’u ngjitur, nëse është e mundur, në atë majë. Por mashtrimi, ndoshta më i madh, është ai i krijimit të një shteti modern, ose gënjeshtra më e madhe qëndron tek ajo siguria e ashtuquajtur hegeliane se hamendësia racionale (e kësaj qeverie) është reale dhe hamendësia reale e saj është racionale. Asnjëra prej tyre nuk iu përgjigjet fakteve të historisë së përshkruar prej qeverisjes së këtyre katër viteve. Zemërimi i njerëzve ndihet të jetë kthyer në një hendek, jo vetëm financiar po e po, por edhe njerëzor. Ka hendek mes qytetarëve dhe idesë për demokracinë shqiptare, midis vetë njerëzve dhe institucioneve tona publike dhe jo publike. Ka reaksion ndaj një pakti shoqëror të dhunuar prej premtimeve të pambajtura ekonomike të një tranzicioni të stërzgjatur, por edhe ndaj një “trashëgimie” ligjore e demokrate të mohuar për shqiptarët e këtyre viteve. E gjitha kjo përbën thelbin e të gjitha llojeve të kauzave që i janë ndërkallur sistemit-vend të Shqipërisë. E ky thelb qëndron në faktin se historinë tonë ende nuk po e shkruan dot me duart e tij vetë populli shqiptar, vetë njerëzit e tij. Dhe kjo është ajo gjë që i nevojitet Shqipërisë për të gjetur “alternativën” e munguar që po mundohen t’i diktojnë; kjo është ajo pika e saj e kthesës që po kërkon sot historia në domosdoshmërinë dhe qenien e saj ekzistuese si e ardhme, si shpresë, si shpëtim.

*publicist

Shkruar Nga
More from revista mapo

Një ide joshëse: T’i jepet Ramës një mandat i dytë!

Nga Klementin Mile Qëkurse Henri Çili publikoi shkrimin e tij “Cikli reformist...
Read More