Për herë të parë: Në thellësitë e Kanioneve të Nivicës

Për herë të parë një ekip alpinistësh na Holanda, Sllovenia, Franca dhe Australia sjellin imazhe nga thellësitë e Kanioneve të Nivicës. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, thotë se ky aktivitet i rrallë për nga lloji i vet do të hapë një mundësi të madhe për banorët e zonës për zhvillimin e turizmit të sporteve ekstreme në krahinën e Kurveleshit.

Për dhjetë ditë me radhë një ekip alpinistësh profesionistë nga Holanda, Sllovenia, Franca dhe Australia kanë realizuar zbritjen me litarë në disa prej majave më të vështira të Kanioneve duke pasur mundësi t’i eksplorojnë ato në thellësitë mbi 200 metra.

Nga këto thellësi vijnë edhe fotot të cilat për herë të parë sjellin imazhe të bukurive mahnitëse të këtyre kanioneve të cilat për gati 30 km përshkojnë malësitë e Kurveleshit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, thotë se ky aktivitet i rrallë për nga lloji i vet do të hapë një mundësi të madhe për banorët e zonës për zhvillimin e turizmit të sporteve ekstreme në krahinën e Kurveleshit.

Para pak kohësh Agjencia Associated Press ka botuar një artikull mbi projektin e turizmit të qëndrueshëm që po zhvillohet në zonën e Kanioneve të Nivicës. Me titullin “Projekti synon të tërheqë turistë në fshatrat e thella të Shqipërisë” nga Elena Becatoros u botua gjithashtu në Washington Post, New York Times, Fox News, ABC News, Seattle Times, San Francisko Chronicle, Huston Chronicle, Daily Mail. Ky projekt kërkon të lidhë zonat bregdetare me ato malore dhe shtrirjen e turizmit në mënyre lineare bën të mundur krijimin e mundësive për zhvillim ekonomik për komunitetet rurale të izoluara nga terreni dhe koha.

Ndër të tjera në artikull shkruhej se “Lart në malet e jugut të Shqipërisë, një udhëtim përgjatë një rruge të vështirë të frekuentuar më shumë nga dhitë sesa nga makinat, të çon në një grup fshatrash ku koha duket se ka ndaluar prej dekadash. Qumështi i deles ende transportohet me gomar për te djathëbërësit lokalë. Fshatarë të moshuar ngjisin malin për të mbledhur rigon të egër dhe bimë të tjera. Ritualet e vjetra të ndezjes së qirinjve për të nderuar lisat e lashtë, të përkulur e të shenjtë mbahen ende gjallë, ndonëse askush nga ata që i praktikojnë duket se e di pse dhe si kanë lindur këto rituale. I pozicionuar përgjatë një shkëmbi pas rrënojave të një fortese të vjetër, fshati Nivicë është i panjohur për shumë njerëz edhe në Shqipëri. Por një projekt ambicioz synon që ta hapë atë për turistët të cilët duan të zbulojnë bukurinë natyrore të jashtëzakonshme dhe stilin e jetës të fshatit në zonat më të izoluara të vendit”.

“Po bëjmë një projekt pilot rreth konceptit se si të lidhim komunitetet rurale që janë shumë afër vijës bregdetare, por që nuk janë ndihmuar kurrë nga turizmi bregdetar”, ka thënë Auron Tare që po drejton projektin Nivica. Me tej Tare është ndalur edhe në faktet historike se “Përveç peizazhit, arsyeja për të ardhur këtu janë historitë. Ky është një vend nga ku kanë kaluar trupat romake, normanët, osmanët. Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore. Ka shumë histori që lidhen me këtë zonë. Pastaj është peizazhi i mrekullueshëm, dhe gjithashtu natyra e paprekur. Këtu shihni njerëzit që mjelin delet dhe dhitë e tyre ashtu siç bënin 4.000 vjet më parë. Shikoni barinjtë në jetën e përditshme, e cila është jashtëzakonisht tërheqëse për ata që e kanë humbur atë trashëgimi, ndaj dhe ata që vijnë këtu vijnë për të gjetur atë pasurim shpirtëror në jetën e tyre”. Për momentin, vizitorët janë kryesisht udhëtarët të rinj me çanta shpine të cilët vijnë nga vendet europiane, ecin përgjatë shtigjeve të lashta të Shqipërisë dhe kalojnë natën në një fushë jo shumë larg fshatit- ka ndarë për lexuesit e huaj Agjencia Associated Press.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protesta e biznesit, fillim për kapitalizmin modern

Nga Ervis Iljazaj Dje, Shoqata e Bashkimit të Biznesit Shqiptar, ka protestuar...
Read More