Për kë dhe pse bien kambanat e Donald Lu?

Nga Ervis Iljazaj

Ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar një takim me të rinjtë e qytetit të Rrëshenit, ku i ka ftuar ata të jenë pjesë aktive e komunitet politik të Shqipërisë. Me sa duket ky do të jetë një tur i tij për të sensibilizuar të rinjtë shqiptar për mos të lejuar që politika shqiptare t’iu mohojë të drejtat politike dhe shoqërore.

Nuk ka ndonjë gjë të re në deklaratat e tij në këtë aspekt, pasi vlerat e demokracisë amerikane dhe europiane të cilat i promovon sa herë i jepet rasti janë të vetmet fjalime në opinion publik shqiptar, që e zgjon atë herë pas herë nga letargjia që e karakterizon.

Megjithatë, fjalimi i Donald Lu në Qytetin e vogël të Rrëshenit i kalon përmasat e një fjalimi sensibilizues.

Nëse e lexojmë nën rreshta fjalimin e tij, duket sikur ambasadori amerikan ka një pakënaqësi ndaj pushtetit politik dhe në veçanti ndaj qeverisë, të cilën e shprehu siç një diplomat i nivelit të lartë di ta bëjë atë.

Fakti është se ambasadori amerikan ka shërbyer dhe shërben si një balancues i pushtetit të momentit, sa herë që është e nevojshme një ndërhyrje e tillë. Dhe, ndërhyrje të tilla kanë anën pozitive dhe negative të tyre. Ana pozitive është se Shqipëria është me fat që ka një aleat të tillë, i cili në shumë raste është akuzuar se ndërhyn më shumë seç duhet në punët e brendshme tona, por që në të vërtetë, ndërhyrje të tilla janë ekzistenciale për Shqipërinë për ta mbajtur atë në rrugën drejt perëndimit. Ndërsa ana negative, ka të bëjë me mungesën e ndërgjegjes politike dhe shoqërore tonën, kur ajo duhet të shërbejë si kundërtrup ndaj sëmundjeve politike shqiptare.

Por, pse pikërisht kjo kritikë indirekte ndaj pushtetit politik dhe qeverisë në këto momente?

Si duhet ta lexojmë pakënaqësinë e ambasadorit Lu ndaj politikës?

Në ditët e fundit kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme për sa u përket zhvillimeve politike dhe shoqërore në vend, që me shumë siguri nuk kanë lënë shije të mirë për politikën amerikane dhe përfaqësuesin e saj.

Ka më së paku tri ngjarje të rëndësishme që mund të kenë shkaktuar reagimin e papritur të ambasadorit Lu.

Pikë së pari , është zgjedhja e Gramoz Ruçit në Krye të Kuvendit, me siguri nuk është pritur me entuziazëm të madh nga politika amerikane. Pa hyrë në këtë debat, tashmë i ezauruar, gjestet e Donald Lu në momentin e zgjedhjes së tij, më së paku tregojnë mungesën e përshëndetjes ndaj kësaj zgjedhjeje.

Pikë së dyti, ngjarjet e Elbasanit, me siguri nuk do të kenë kaluar nga vëmendja e ambasadorit. Një nga betejat kryesore të politikës amerikane dhe personalisht e Donald Lu, është pikërisht dekriminalizimi i politikës, si dhe lidhjet e saj me politikën. Mbas një beteje të tillë, pamjet që u transmetuan në media, treguan se lufta ndaj krimit është ende larg.

Dhe së fundmi, por më e rëndësishmja, ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. Duket sikur ka një ngadalësim të kësaj reforme. Reduktimi i numrit të anëtarëve të komisionit të vettingut, nuk do të jetë pritur mirë nga ambasada amerikanë. Sepse Reforma në Drejtësi, është një investim tërësisht amerikan.

Për të gjitha këto arsye, fjalimi i Donald Lu, ngjan si një paralajmërim ndaj politikës shqiptare. Kush ka vesh le ta dëgjojë, në të kundërt prishja e marrëdhënieve me amerikanët është një kosto e madhe për të gjitha palët politike në Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Habilaj-Tahiri: Urdhër-arreste për ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës, priten të tjera

Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshon urdhër-arreste për ish-drejtorin e Policisë së...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.