Për kontekstin shqiptar, votimi i detyruar është i domosdoshëm

Nga Ervis Iljazaj

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka dalë me një propozim për të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë votimin e detyrueshëm. Ndoshta, propozimi i tij ka ardhur si pasojë e uljes së pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e fundit dhe kjo, sipas kësaj logjike, ka qenë një nga arsyet e humbjes së thellë të Partisë Demokratike.

Përtej faktit se ky propozim duket si një justifikim për rezultatin zhgënjyes të PD-së në zgjedhjet e 25 Qershorit, i cili ka shumë faktorë të tjerë që e sollën atë, debati qëndron.

Duke parë realitetin shqiptar, votimi i detyrueshëm do të zgjidhte disa problematika të cilat kanë shoqëruar votimet gjatë gjithë tranzicionit, sidomos për shitblerjen e votave.

Këtu nuk bëhet fjalë për një diskutim apriori teorik nëse votimi i detyrueshëm mund të aplikohet, apo nëse është i mundshëm në bazë të parimeve demokratike dhe kushtetuese. Për këtë gjë ka mendime të ndryshme nga studiues të fushës. Nëse e drejta e votës përtej një detyrimi qytetar mund të bëhet dhe një detyrim ligjor është një debat i cili nuk mbaron asnjëherë. Ka nga ata që mendojnë që të mos votosh është gjithashtu një e drejtë kushtetuese.

Në këtë kuptim, duke parë mendimet e ndryshme që ekzistojnë rreth kësaj çështjeje, debati mbi Shqipërinë duhet të fokusohet ngushtësisht rreth kontekstit të saj.

Vota e detyrueshme ka qenë një praktikë në shumë regjime politike antike, duke filluar që nga Athina e lashtë e deri në ditët e sotme, edhe pse është përdorur për arsye të ndryshme. Në disa nga këto shtete ajo ka ngelur si një praktikë që është e trashëguar, por në shumë raste, në ditët e sotme ajo përdoret si një instrument për t’i bërë ballë uljes drastike të pjesëmarrjes në zgjedhje, i cili vë në diskutim legjitimitetin e pushtetit politik dhe, mbi të gjitha, sistemin e demokracisë.

Sot janë gjithsej 26 shtete demokratike që aplikojnë votën e detyrueshme. Duke filluar që nga Australia e largët e deri te Greqia fqinje. Sanksionet që ekzistojnë ndaj këtij detyrimi janë të ndryshme, si gjobë në vlerë monetare, heqja përfundimtare nga listat e votuesve, heqja e mundësisë për të përdorur disa shërbime publike etj.

Fakt është se, në të gjitha vendet ku aplikohet vota e detyrueshme, pjesëmarrja në votime është shumë herë më e lartë se ato që nuk e aplikojnë atë.

Për t’u kthyer te rasti i Shqipërisë, vota e detyrueshme për votuesit që dëshmohen se ndodhen në territorin e saj në ditën e zgjedhjeve, do të rriste padyshim numrin e pjesëmarrjes në votime, duke krijuar kështu një proces demokratik më të legjitimuar. Detyrim nuk do të thotë votim me patjetër për një forcë politike. Fleta e votimit mund të lihet e bardhë, duke i dhënë mundësinë kështu, edhe atyre qytetarëve që nuk preferojnë asnjë parti politike apo kanë revoltë ndaj tyre. Mjafton që të paraqiten në kutitë e votimeve duke përmbush detyrimin e tyre qoftë edhe me abstenim. Duke rritur numrin e votuesve ndikimi i shitblerjes së votës në rezultatin final është shumë herë më i vogël. Po ashtu, duke aplikuar sanksione të ndryshme, një nga problematikat më të mëdha të shitjes së votave nëpërmjet marrjes së kartave të identitetit që ndalojnë votimin e shumë personave do të ulej ndjeshëm.

Fenomeni i shitblerjes së votës, sigurisht që nuk do të eliminohej tërësisht me votimin e detyrueshëm, por do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm në luftën kundër tij. Megjithatë, të gjitha instrumentet për të aplikuar atë janë teknikalitete që mund të diskutohen. Zgjidhjet janë të pafundme. E rëndësishme është të thuhet se, vota e detyrueshme nuk është aspak heqje lirie apo e të drejtës së njeriut për të mos votuar. Ajo është thjesht një instrument që kërkon të ndërtojë një sistem politik dhe demokratik sa më legjitim dhe, për këtë duhet një sforco nga të gjithë pjesëtarët e një shoqërie. Vota e detyrueshme është thjesht një edukim politik, i domosdoshëm për kontekstin shqiptar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Protesta e parë e kapitalit

Kompanitë e mëdha kryesore në vend dhe shoqatat e biznesit bëhen bashkë...
Read More