Për Metën president

Nga Ndriçim Kulla

Ilir Meta hyri në Presidencën e Republikës pasi i kishte provuar të gjitha postet e mundshme në politikë, duke përfshirë dy postet e tjera më të larta të shtetit, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Vetë fakti që Meta është i pari njeri në politikën shqiptare, i cili i ka mbajtur të tria postet më të larta të shtetit, ka një kuptim. Shkurt, nëse ka një njeri që e njeh shtetin dhe që di ta bëjë detyrën e Presidentit ky është Meta dhe askush tjetër sot për sot. Njeriu që do të mbajë postin e Presidentit duhet t’u rezistojë presioneve që i bëhen nga krahët e ndryshëm të politikës, veçanërisht nga qeveria.

Nëse ka një njeri të aftë që t’u rezistojë presioneve në detyrën e Presidentit, ky është Meta. Si politikan ai ka treguar se e ka këtë aftësi të madhe. Së paku dy herë, në 2008, me ndryshimet kushtetuese, dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ne pamë se ai i rezistoi presionit të dyanshëm të ushtruar nga të dy krahët e politikës, nga PS dhe PD.

Është e vërtetë që për Metën President ka paragjykime, të cilat kanë ardhur në një masë të madhe nga lufta politike që i është bërë atij prej kundërshtarëve të tij politikë, e cila nuk është veçanti në politikë. Për aferat për të cilat është akuzuar Meta është përballur me drejtësinë dhe ka fituar pafajësinë. Mund të thonë çfarë të duan për mënyrën se si janë bërë këto gjyqe, por Meta është i vetmi lider i cili iu nënshtrua gjyqeve për akuzat ndaj tij, duke mos përdorur pozitën e tij për të shpëtuar me arsye procedurale apo duke përdorur ndikimin politik që çështjet e ngritura ndaj tyre për afera korruptive të mos shkojnë në gjykatë. Meta pra është një hap para të tjerëve këtu. Çuditërisht Meta me këtë veprim ka marrë koston e paragjykimeve.

Disa njerëz shprehën dyshime për performancën e Metës në Presidencën e Republikës, pikërisht për shkak të këtyre paragjykimeve. Por ku e mbështetin kundërshtarët e Metës imazhin e keq që kanë krijuar për të? E para, te vjedhja e floririt të thesarit të shtetit në Kërrabë, në kohën që Meta ishte kryeministër. Por procedura për verifikimin e thesarit ishte e tillë që kryeministri mund të vinte në dijeni vetëm pasi të kishin kryer inventarizimin bashkërisht tre zyrtarë të lartë të ngarkuar nga ligji për këtë gjë, ministri i Financave, ministri i Brendshëm dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Të tre këta e kishin neglizhuar detyrën dhe kishin firmosur shkresa pa kryer verifikimet e duhura. Kryeministri nuk mund të shkonte vetë në tunelet e Kërrabës dhe të bënte revizorin. Në çastin që u njoftua se kishte një problem, kryeministri urdhëroi një kontroll. Një deputet i sotëm i PS-së ka akuzuar me emër Fatos Nanon si hajdut të floririt të thesarit të shtetit.

E dyta, ky imazh i keq i Metës mbështetet te videoja e Dritan Priftit me bllokun e famshëm, që solli 21 janarin. E kam parë atë video kur u shfaq, e kam riparë tani që po shkruaj këta rreshta dhe sinqerisht shikoj që vetëm një gjë del qartë. Që kryetari i partisë i kërkon llogari ministrit të partisë së tij për një qytetar biznesmen që ankohet për pagesën e 700 mijë eurove apo dollarëve për pranimin e një kërkese që ka bërë. Sapo u shfaq videoja Meta dha dorëheqjen, gjë që me sa duket nuk e kishin llogaritur kundërshtarët e tij, të cilëve iu prishi shumë punë dorëheqja e tij. Sepse ata kishin bërë llogari që protesta e 21 janarit të ndodhte me Metën që akoma nuk e kishte dhënë dorëheqjen. Meta me dorëheqjen e tij tregoi se kishte siguri, jo te gjyqtarët e blerë, siç e akuzuan kundërshtarët e tij, por te sjellja e tij. Më thoni se ku ka bërë vaki që të dënohet një kryetar partie i cili i kërkon llogari ministrit të partisë së tij për ankesën e një qytetari që flet për një pagesë prej 700 mijë eurosh apo dollarësh për të fituar një aplikim në një zyrë shtetërore!

Fakti që ata të cilët i bënë një luftë të madhe politike Metës për ta përlyer si hajdut, më në fund e zgjodhën president, me 87 vota i hedh poshtë më mirë se çdo gjë akuzat ndaj tij.

Nga politika botërore kemi shembuj të figurave politike të ngjashme me Metën, të cilët kur kanë arritur në stadin e tij, kanë menduar për historinë, pra që të lënë një emër të mirë në historinë e vendit të tyre. Meta tani është në këtë fazë të karrierës së tij politike. Ai ka mundësinë energjike ta bëjë detyrën e Presidentit në lartësinë, që të kthehet në një presidencë ndryshe. Natyrshëm kjo do të duket së pari, edhe nga stafi i bashkëpunëtorëve që ai do ketë, megjithëse edhe për shkak të rrugëtimit të tij të gjatë politik Meta e di më mirë se kushdo vlerën e bashkëpunëtorëve.

Megjithëse me ndryshimet e fundit kushtetuese kompetencat e Presidentit janë zvogëluar, unë besoj se Meta mund ta ridimensionojë dhe rrit shumë rolin e Presidentit duke përdorur kompetencat që i zotëron sot. Një president si ai mund ta përdorte me shumë efektivitet atë kompetencë që i jep Kushtetuta për të kërkuar nga ministritë dhe institucionet e ndryshme raporte për çështje që kanë të bëjnë me punën e tyre dhe sidomos për çështje për të cilat opinioni publik ka shumë interes. Në respekt edhe të institucionit të Presidencës, unë do jem njëri prej tyre, që do t’i drejtohem publikisht me besim presidentit Meta për kulturën dhe problemet e lirisë së fjalës që ka shoqëria e sotme shqiptare, duke mos përjashtuar edhe problemet e tjera. Meta mund të bëhet i pari President që ta konceptojë detyrën e tij si partneritet të drejtpërdrejtë me publikun, ashtu si tashmë realisht po bën përpjekje kryeministri Rama ta paraqitë qeverisjen e tij të ardhshme në shtator. Sigurisht, që të përballohet një punë e tillë e ndërlikuar duhen njerëz dhe bashkëpunëtorë që të pranojnë të bëhen kafshë pune, si të thuash, jo njerëz që kanë marrë një post me përfitime dhe ku ka shumë pak ngarkesë pune.

Unë jam i prirur pozitivisht të besoj në politikë për Metën, se do t’ia dalë të jetë një president ndryshe, dhe që do lërë gjurmë të thella pozitive në institucionin ku ka hyrë për të drejtuar, sepse besoj plotësisht, që ka vullnet për ta bërë këtë gjë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zanat moderne të maleve

Dy shqiptare dhe një amerikane që kanë vendosur të jetojnë, mbrojnë dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *