Për një foto më shumë

Tre partitë kryesore, pagesë me miliona për të shkrepur një foto pranë presidentëve amerikanë. Hipokrizia 28-vjeçare e financimit të subjekteve politike përkundër kostos reale të fushatave dhe nevoja për të legalizuar lobimin dhe transparencën. Flasin analisti Mustafa Nano, drejtori i Institutit Pashko, Besart Kadia dhe pedagogu Roland Lami

Nga Sebi Alla

Pas çdo fytyre të qeshur dorështrënguar me presidentët amerikanë, fshihet një lobim, disa miliona të hedhura për një imazh, që më shumë ngjan me “mirazh”, për të turbulluar mendjen e zgjedhësve që mund të mendojnë: “Ai është i përzgjedhuri i amerikanëve…”. Të tria partitë kryesore politike në vend kanë paguar lobuesit në SHBA për të pasur vëmendjen e disa kongresmenëve, ndonjë zyrtari të dorës së dytë në Departamentin Amerikan të Shtetit apo për shkrehjen e një fotoje me presidentin e radhës në Shtëpinë e Bardhë. Askush nuk do ishte kujtuar për “histori të vjetra” me lobime, por ditët e fundit ujërat janë trazuar pas një shkrimi të botuar në revistën amerikane “Mother Jones”, lidhur me fondet që PD ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar. Artikulli ngre dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. Pikërisht ky shkrim erdhi si “barkë shpëtimi” për Partinë Socialiste, e cila si specialiste e shkëputjes së vëmendjes nga problematika në vend, ka ngritur një kala të vërtetë mbrojtjeje, duke vënë para përgjegjësisë politike kryedemokratin Lulzim Basha. PS ia arriti qëllimit për disa ditë, për të shkëputur vëmendjen nga trafiku i drogës, ish-ministri nën hetim Saimir Tahiri dhe problemet ekonomike. Ka vend ende për t’u marrë me PD-në në këtë situatë, forcën politike që lindi si e djathtë kundër së majtës komuniste, por pas 27 vitesh jetë, po “anatemohet” si e lidhur me interesa destabilizues, pas të cilëve fshihen rusët. Këta të fundit jo me ndikim direkt, por duke përdorur fonde e transferta të dyshimta për lobuesit e SHBA-së. Historia ka treguar se për një politikë krejtësisht provinciale si Shqipëria, për të qenë pjesëmarrës sa për numër në sallonet ndërkombëtare, duhet të paguhen lobues që të sigurojnë takime pakminutëshe me kongresmenë dhe në fund si qershia mbi tortë fotografia me presidentin e radhës amerikan. Kryeministri Edi Rama ka të stampuar një foto me ish-presidentin amerikan Barak Obama, një shkrehje aparati që dyshohet se kushtoi rreth 80 mijë dollarë. Gjithashtu edhe LSI kërkonte oazin e saj në SHBA, që arriti ta realizojë pas lobimeve me një vlerë rreth 300 mijë dollarë. Rasti më i fundit është ai i PD-së, ku ka dyshime se u paguan rreth 625 mijë dollarë për kompani lobuese në Amerikë, për t’u krijuar mundësi krerëve të PD-së të siguronin takime me kongresmenë dhe më pas një foto të Bashës me presidentin Trump. Këtë të dhëna kanë dalë nga Departamenti i Drejtësisë Amerikane që çdo vit bën publike pasqyrat financiare mbi lobimet dhe pagesat e kryera. Atë që nuk e bën dot KQZ-ja e cila ka për detyrë të kryejë transparencën e plotë të financimit të partive politike në vend e bëjnë institucionet përtej Atlantikut. Me gjasë kjo ngjarje me shumë teori dhe kundrateori konspirative do të vijojë për konsum politik edhe në ditët në vijim. Do mbahet si “skandal” deri në afrimin e ndonjë tjetër skandali, fort të zakonshëm në muajt e fundit. Politologu Roland Lami, njëherësh pedagog në UET mendon se problem serioz që duhet të shqetësojë publikun është financimi i partive politike në vend dhe apatia e garantuar e institucioneve që kanë për detyrë të zbulojnë nga vijnë këto fonde në prag të fushatave elektorale. Nga ana tjetër, analisti Mustafa Nano gjykon se është e tepërt të luhet me “prorusët e Bashës”, pasi lobimet kanë ndodhur dhe do të ndodhin, qoftë edhe për interesa të vegjël të liderëve tanë. Drejtori i Institutit Pashko, Besart Kadia, gjykon se “Në formën që ne kemi sot financimi dhe lobimi janë e njëjta gjë dhe kryhen para se të merret pushteti por pa transparencë. Kjo mundëson si biznese të ligjshme, si organizata kriminale që të integrohen lehtësisht me partitë politike, e të influencojnë mbi to kur ato të jenë në pushtet”.

 

“Mjaft më me këtë skenarin prorus në Bashës”

Mustafa Nano, analist dhe drejtues i emisionit “Provokacija”

Cili është opinioni juaj për çështjen e lobimit të PD në SHBA, kemi të bëjmë me përfshirje të biznesmenëve rusë apo deri tani mund të flasim për mosdeklarim të financimeve nga ana e PD-së?

Unë shoh dy probleme në këtë histori. Së pari, është mungesa e transparencës së shpenzimeve elektorale, e në përgjithësi të financimit të partive. Në rastin konkret kemi PD-në si shembull, por kjo gjë i përfshin të gjitha partitë shqiptare. Askush prej nesh nuk e di se sa para shpenzojnë partitë, dhe se cili është burimi i këtyre parave. Së dyti, është kotësia e lobimit që bëhet. Lobimi shihet si një përpjekje për të promovuar e mbrojtur interesin e Shqipërisë, por në thelb ai synon konsolidimin e pozitave të udhëheqësve politikë. Dhe afirmimin ndërkombëtar të këtyre të fundit. Lëre pastaj, kur vijmë te çështja e parave që harxhohen për të bërë një fotografi në Washington. Kjo është një estradë nga fillimi deri në fund.

Prania ruse në rajon është rritur së tepërmi dhe gjithashtu dhe alarmi për të nga SHBA e BE? A mendoni se edhe Shqipëria është e prekur apo rrezikuar nga influenca ruse? Ndërsa shihet edhe një përdorim politik dhe pse Edi Rama dhe PS po e ngrenë stekën me financime ruse?

Unë besoj se Basha e ka futur veten në një telash të madh në këtë mesele. Por jo sepse si është lidhur me rusët. Kjo e lidhjes së tij me rusët është një tezë qesharake. E prandaj, do bënim mirë të mos i kushtonim vëmendje. Telashi i Bashës ka të bëjë me origjinën e parave të shpenzuara për një lobim, që në fund rezultoi krejt i pavlerë. Ai thjesht pozoi 5 sekonda me Donald Trumpin, dhe kaq. Në terma konkretë, ajo që ka ndodhur me Bashën është shumë e thjeshtë. Në kohën e çadrës, për shkak të aventurës ku u fut, ai ishte një njeri krejt i izoluar. Asnjë zë ndërkombëtar nuk u dëgjua në mbështetje të tij. Në këto rrethana, do ishte i gatshëm të bënte çdo gjë për të siguruar një kontakt a takim të rëndësishëm, jo që të merrte mbështetje, por thjesht ta prisnin e t’i jepnin dorën. Kontakti i rëndësishëm vlente veç nëse interlokutori do të ishte një njeri me peshë i politikës amerikane, në rastin më të mirë Donald Trumpi. Dhe kështu është vënë në kërkim të ndonjë njeriu që mund t’ia garantonte këtë takim. Edhe djalli po t’ia merrte përsipër, Basha nuk do kish gjë kundër. Mirëpo nuk i doli djalli. I dolën dy rusë që kishin lidhje me një njeri të afërt të Trumpit, Muzinin. Tani, historia është ende e paqartë, por unë besoj se ka qenë pikërisht kështu. Kam frikë se Bashës do t’i dalin të palarat më pas. Por përsëris: Mjaft më me këtë skenarin prorus të Bashës!

A jemi në një debat hipokrit për financimet e partive politike, përderisa të gjitha partitë kryesore i kanë blerë takimet e tyre në SHBA apo dhe fotot me Trump dhe presidentët e tjerë?

Absolutisht, po. Ishte pikërisht kjo që lashë të nënkuptohet pak më sipër.

 

“Konsensus politik për mosrregullimin ligjor për financimin e fushatave”

Dr. Roland Lami, Shefi i departamentit të Shkencave sociale të aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës. 

Cili është opinioni juaj për çështjen e lobimit të PD në SHBA, kemi të bëjmë me përfshirje të biznesmenëve rusë apo deri tani mund të flasim për mosdeklarim të financimeve nga ana e PD-së?

Partitë kryesore politike kanë një eksperiencë jo të vogël me lobimin në SHBA. Gjatë këtyre viteve shuma të konsiderueshme janë shpenzuar në kompani të ndryshme lobuese për të siguruar një foto me Presidentin e SHBA, takime me kongresmen të ndryshëm, sigurimi i një deklarate në favor të një kauze të caktuar politike, vizita në prag zgjedhjesh të eksponentëve të rëndësishëm politikë etj. E gjitha kjo ka një shpjegim. Shpjegimi lidhet me shkallën e lartë të besimit që ka ende opinion publik te qëndrimet apo opinionet që vijnë nga Shtëpia e Bardhë në adresë të Shqipërisë. Sa më e lartë besueshmëria e opinionit publik ndaj qëndrimeve të zyrtarëve amerikanë, aq më e kripur është fatura financiare për ta siguruar atë. Kështu që debatet mbi shumat marramendëse që jepen për lobim në SHBA nga ana e partive politike është një debat hipokrit. Së dyti, përfshirja apo jo e biznesmenëve rus në çështjet e lobimit të PD mbetet ende në nivel aludimi dhe jo fakti për sa kohë çështja e ngritur nga revista investiguese “Mother Jones” po hetohet nga FBI dhe nuk ka ende një vendim gjykate. Nëse do ta ngushtojmë fokusin në Shqipëri, edhe te ne, KQZ që është institucioni i cili ka tagrin për të bërë verifikimin e deklarimit të shpenzimeve elektorale të partive politike nuk ka një vendim apo qëndrim zyrtar në lidhje me çështjen, po ashtu, prokuroria ka nisur një hetim duke marr shkas nga “Mother Jones”, por nuk ka një vendim nga ana e gjykatës. Kështu që, në planin ndërkombëtar dhe lokal çështja është në nivel supozimi dhe interpretimi politik dhe joligjor.

Prania ruse në rajon është rritur së tepërmi dhe gjithashtu dhe alarmi për të nga SHBA e BE? A mendoni se edhe Shqipëria është e prekur apo rrezikuar nga influenca ruse? Ndërsa shihet edhe një përdorim politik dhe pse Edi Rama dhe PS po e ngrenë stekën me financime ruse?

Kriza që po kalon BE vitet e fundit duke u fokusuar më shumë te problemet e brendshme të saj sesa tek vendet që aspirojnë të integrohen në BE, përqendrimi më shumë i vëmendjes së SHBA në disa zona të “nxehta” konflikti në rajone të caktuar të globit dhe më pak në Ballkanin perëndimor ka krijuar hapësira për influencë dhe ekspansion të Rusisë në Ballkan. Raporte të ndryshme evidentojnë prezencë të shtuar të investimeve ekonomike ruse sidomos në Serbi, Mali i Zi dhe Maqedonia, rigjallërim të lidhjeve historike dhe kulturore me këto vende, interferim të shtuar me qëndrime, deklarata dhe vizita të eksponentëve të ndryshëm politik rus në zhvillimet e ngjarjeve politike të këtyre vendeve, rritje e mbështetjes pro influencës ruse në sondazhe të ndryshme të këtyre vendeve si dhe shkalla e lartë e korrupsionit ka krijuar hapësira për të korruptuar elitat politike lokale në shkëmbim të mbajtjes së status quo. Po t’i referohemi Shqipërisë, ndryshe nga tri vendet e mësipërme prezenca ruse në aspektin ekonomik, kulturor, historik, politik dhe asaj plebishitare pra shkalla e mbështetjes popullore pro ruse është në nivele të pakonsiderueshme. I vetmi shteg ku mund të flitet për rrezik të mundshëm të influencës ruse në Shqipëri është shkalla e lartë e korrupsionit të elitave politike dhe nevoja që kanë këto të fundit për të mbajtur pushtetin me çdo çmim. Mirëpo, interesat gjeostrategjikë të SHBA në Shqipëri si dhe ato të BE në rajon, pavarësisht luhatjeve në kohë të ndryshme, e minimizon ndjeshëm këtë rrezik te ne. Si të thuash, rreziku rus në Shqipëri është më shumë koniunktural, kontekstual sesa struktural afatgjatë siç është në rastin e Serbisë Malit të Zi dhe Maqedonisë. Kështu që alarmi që ngre Partia Socialiste më shumë është alarm fals se sa rrezik real. Aq më shume që nëse ka një probabilitet për korrupsion të elitave politike, probabiliteti më i lartë është te qeveria sesa opozita, për shkak të pushtetit dhe kostove që krijon vetë pushteti. Sidoqoftë rreziku i influencës ruse te ne mbetet një mundësi.

A jemi në një debat hipokrit për financimet e partive politike, përderisa të gjitha partitë kryesore i kanë blerë takimet e tyre në SHBA apo dhe fotot me Trump dhe presidentët e tjerë?

Fakti që mazhoranca shpenzon më shumë energji për çështjen e legalizimin dhe financimeve për lobim nga ana e PD apo burimet e mundshme ruse të financimit, tregojnë se kjo forcë politike nuk ka shqetësim për thelbin e problemit, ai që lidhet me formalizimin e financimeve të partive politike në Shqipëri që është fakt dhe i konfirmuar por shqetësohet për një çështje që më së shumti aludohen se është problem. Edhe reagimi opozitar është më shumë për të dytën sesa për çështjen e parë. Ka një konsensus ndërmjet forcave kryesore politike që kjo temë të trajtohet sa më pak të jetë e mundshme pasi iu intereson të gjithë palëve mosrregullimi ligjorë i financimit të fushatave elektorale. Pse iu intereson? Për arsyen e thjeshtë se legjislacioni shqiptar në lidhje me donacionet në kohë zgjedhjesh, praktikat e bërjes publike të këtyre donacioneve nga ana e partive politike, shkalla e penalitetit në rast mosdeklarimi si dhe institucionet që kanë tagrin për të bërë verifikimin e deklarimit të shpenzimeve siç është KQZ krijon shumë hapësirë për informalitet dhe abuzim. Jemi në kushtet e një situate hipokrite. Të gjithë e dimë që fushatat sa vijnë dhe bëhen më të shtrenjta, ndërkohë fondi i akorduar nga shteti, kuotacionet si dhe donacionet nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet e fushatave elektorale. Ndërkohë, fushatat elektorale jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë vendet demokratike nuk janë më sezonale por konstante të përhershme, pra gjatë gjithë kohës së ushtrimit të legjislaturës nga ana e partive politike, kështu që paratë kthehen në nevojë permanente për partitë politike. Si do ta zgjidhim ketë problem ? Do të sigurojmë një financim 100 % nga Shteti por me kushtin që partitë politike të reduktojnë ndjeshëm shpenzimet? Si të thuash shteti të shndërrohet në rregullator i organizimit të fushatave duke minimizuar djeshëm mundësitë e burimeve informale? Apo do të shkojmë drejt sistemit rregullues dhe detyrues të lobimeve siç e ka SHBA dhe Kanadaja? Këtu jemi në një debat doktrinar dhe iu mbetet aktorëve politikë ta zgjidhin, por ka një gjë, çdo zgjidhje e ndërmjetme siç janë gjasat të ndodhë dhe kësaj here nuk e zgjidh çështjen e informalitetit dhe pasojave që rrjedhin prej saj. Legalizimi i lobimit dhe rregullimi i funksionimit të tyre si dhe ndërtimi i institucioneve të reja të kontrollit dhe monitorimit të lobimit dhe donacioneve është zgjidhja më e pranueshme dhe afatgjatë krahasuar me variantin centralizues te fondeve në dorën e shtetit.

 

 

“Debati për “lobimin” rus të PD-së, është i dështuar ende pa filluar”

Besart Kadia, pedagog në UET dhe drejtor ekzekutiv i Institutit Europian Pashko

Cili është opinioni juaj për çështjen e lobimit të PD në SHBA, kemi të bëjmë me përfshirje të biznesmenëve rusë apo deri tani mund të flasim për mosdeklarim të financimeve nga ana e PD-së?

Besoj se është një debat i nisur nga politika dhe që do të vazhdohet vetëm nga partitë politike për kapital elektoral. Nuk besoj se sistemi i financimit që kemi në Shqipëri është ai i duhuri, e për rrjedhojë nuk mendoj se ndonjëra nga partitë e mëdha është e mirëpozicionuar sa për të sulmuar të tjerët për këtë çështje. Mendoj se ky debat i nisur për paratë e PD për financimin e lobimit në SHBA është i dështuar pa filluar. PS po mundohet në kurriz të traditës politike por edhe të interesave të Shqipërisë të thotë se PD është e blerë nga lobi rus dhe për rrjedhojë rrezikon demokracinë në Shqipëri dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Patjetër që çdo parti politike në Shqipëri në mënyrën sesi janë të financuara e kanë të pamundur të deklarojnë të plotë koston reale të lobimit që ato kryejnë në SHBA. Pra mirëfunksionimi i sistemit amerikan ekspozon keqfunksionimin e sistemit shqiptar sa herë që këto të dyja takohen me njëra-tjetrën. Ose duhet të pranojmë që demokracia kushton e që bizneset kanë interesa e janë të gatshme të financojnë e këtë ta bëjmë të plotë e transparente, ose të vazhdojmë me sistemin e deformuar aktual i cili sjell gjithë problemet e veta të fshehjes të së vërtetës e të korrupsionit.

Prania ruse në rajon është rritur së tepërmi dhe gjithashtu dhe alarmi për të nga SHBA e BE? A mendoni se edhe Shqipëria është e prekur apo rrezikuar nga influenca ruse? Ndërsa shihet edhe një përdorim politik dhe pse Edi Rama dhe PS po e ngrenë stekën me financime ruse?

Duhet kujdes! Duhet shumë kujdes kur do të përdorësh interesat si dhe përplasjet e shteteve të mëdha në rajon për të bërë politikë të brendshme. Në gjithë kontaktet që kam patur me zyrtarë të huaj në Amerikë apo Bruksel, një ndër shqetësimet e tyre të përhershme është roli i Rusisë në Shqipëri dhe fatmirësisht sipas tyre jemi larg, megjithëse jo të paekspozuar ndaj ndërhyrjes së tyre në çështjet shqiptare. Por e nxituar, Partia Socialiste po fut në diskursin vendas prezencën e Rusisë. Kjo është e gabuar dhe që vendos Shqipërinë në një pozicion jo të mirë. A mundet të niset debati për rolin e Rusisë në Shqipëri bazuar në aludimet e një gazete amerikane, pa fakte, pa një qëndrim zyrtar të SHBA apo Ambasadës së saj në Shqipëri? Po ashtu në këto akuza shohim kontradikta të forta logjike. Së pari, teksa lideri i opozitës akuzohet se ka përfituar 13 milionë euro nga dëmshpërblimi i një pallati në qytetin e Vlorës, PS thotë gjithashtu se po ky lider me këtë pasuri të madhe paska shitur të ardhmen e tij politike për 400 mijë euro te rusët. Së dyti, thuhet se biznesmenë rus, e për rrjedhojë shteti rus, ka përdorur PD për lobim në SHBA për të destabilizuar Ballkanin. Nëse mendojmë se fati i Ballkanit, e për më tepër, politika e jashtme e SHBA mundet të ndryshohet për 400 mijë EURO, atëherë jemi më shumë se naiv. Së treti, agjenda e takimeve të bëra në SHBA ka qenë kryesisht për PR për efekt elektoral në Shqipëri e për rrjedhojë pa ndonjë rëndësi për shtetin rus, e për rrjedhojë pa interes për ta financuar këtë takim. Pra përjashtuar roli i Rusisë në këtë çështje ne mbetemi me problemin e parë dhe të vetëm: ‘mënyra sesi financohen partitë politike në Shqipëri dhe këtu janë të gjithë të ekspozuar njësoj sa herë duan të lobojnë në SHBA’.

A jemi në një debat hipokrit për financimet e partive politike, përderisa të gjitha partitë kryesore i kanë blerë takimet e tyre në SHBA apo dhe fotot me Trump dhe presidentët e tjerë?

Shqipëria shfaq probleme të ngjashme me vendet e tjera ish-komuniste për sa i përket financimit të jetës së saj politike. Partitë politike në Shqipëri nuk janë aspak transparente me mënyrën sesi financohen. Në SHBA biznese paguajnë për fushatë elektorale për partitë që duan të fitojnë dhe më pas biznese të tjera lobojnë kur këto parti janë në pushtet për interesat e bizneseve të tyre për të patur ligje më të mira. Në formën që ne kemi sot financimi dhe lobimi janë e njëjta gjë dhe kryhen para se të merret pushteti por pa transparencë. Kjo mundëson si biznese të ligjshme si organizata kriminale që të integrohen lehtësisht me partitë politike, e të influencojnë mbi to kur ato të jenë në pushtet. Këtu nis dhe deformimi i vendimmarrjes dhe i korrupsionit më pas në Shqipëri. Mjafton të shohim që Partia Socialiste deklaron zyrtarisht se ka shpenzuar 1.5 milion euro gjatë zgjedhjeve parlamentare në 2017 për të kuptuar se sistemi është hipokrit. Ndërkohë që Partia Konservatore, mbi 75% të financimit e merr nga bizneset dhe anëtarësia, në Shqipëri bizneset e mëdha nuk figurojnë asgjëkund si financues të jetës politike Shqiptare. Kjo marrëdhënie e nënshtrimit të biznesit, para politikës, duhet të marrë fund dhe duhet krijuar një platformë më “profesionale” mes palëve. Kjo ndihmon demokracinë dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor në vend dhe shmang më pas një debat të panevojshëm si ky i nisur këto ditë nga Partia Socialiste në vend.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Autoriteti i Dosjeve: Hapet arkivi për personalitetet e jugut, si u goditën nga regjimi

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për herë të...
Read More