Për opozitën buxheti duhet të jetë më i rëndësishëm sesa çështja Tahiri

Nga Ervis Iljazaj

Dje ka mbërritur në komisionin e ekonomisë projektbuxheti për vitin 2018, i parashikuar nga qeveria. Mbledhja e komisionit që duhet të diskutojë për këtë ligj kaq të rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, ka përfunduar pa praninë e opozitës. Opozita ka braktisur komisionin në shenjë proteste duke hedhur akuza për ngjarjet e fundit që lidhen me çështjen Tahiri. Opozita ka të gjithë të drejtën politike për të vazhduar dhe denoncuar lidhjet me krimin me politikën, por ligji i buxhetit duhet të jetë më i rëndësishëm sesa çështja Tahiri.

Prandaj braktisja e komisionit, në radhë të parë është braktisje ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve. Në këtë kuptim roli dhe detyra e saj kryesore është të parashtrojë kritikat ndaj buxhetit dhe të paraqesë alternativat e saj për të. Ky është misioni politik kryesor i saj.

Vetëm në këtë mënyrë, populli shqiptar krijon besimin te një forcë politike dhe krijon shpresën e alternativës politike të së nesërmes.

Sigurisht që hetimi i një ish-ministri të rendit për lidhje me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve është një çështje që nuk mund të anashkalohet nga vëmendja e një opozite, dhe kështu duhet të jetë. Megjithatë ligji i projektbuxhetit është edhe më i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, aq më tepër që për veprat penale merret drejtësia dhe jo politika. Çështja e Tahirit i ka kaluar drejtësisë, dhe në këtë kuptim opozita ka detyra të tjera për të zgjidhur politikisht. Një nga këto është kritika e saj thelbësore për projektbuxhetin 2018, në mënyrë që vendin e saj në Parlament ta kthejë në zërin e qytetarëve dhe problemeve të tyre.

Ligji i buxhetit është ligji më i rëndësishëm për një shoqëri. Aty përcaktohen taksat, investimet, infrastruktura e reja që do të ndërtohen, rritja ekonomike. Pra, jeta e qytetarëve dhe si do të jetë ajo vitin e ardhshëm.

Nga ligji i buxhetit shihet vizioni që një forcë politike ka për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi. Po ashtu, dallohen ndarjet ideologjike dhe mendimet për politikën. Prandaj, ligji i buxhetit është jo vetëm ligji më i rëndësishëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik.

Nuk ka moment tjetër më të rëndësishëm politik se sa momenti i diskutimit të projektbuxhetit. Në këtë kuptim roli i opozitës është shumë i rëndësishëm në këto momente.

Opozita shqiptare, bën një gabim fatal nëse mendon se mund të braktisë këtë moment, siç ndodhi dje në komisionin ekonomisë. Për një forcë politike momenti i diskutimeve për buxhetin, është aq i rëndësishëm sa vetë ekzistenca në politikë. Të gjitha të tjerat, janë konsum mediatik i ditës, që as nuk ka vlerë për shoqërinë.

Partia Demokratike, në të mirë të saj dhe të Shqipërisë, bën mirë që të ketë alternativën e saj për projektbuxhetin e 2018-s. Politika e vërtet bëhet me problematikat e qytetarëve, dhe jo me retorikë boshe që nuk krijon besim tek askush.

Vendi ka nevojë për një alternativë të besueshme, e cila ndërtohet me një dimension politik të qartë, dhe një dimension i tillë ndërtohet vetëm duke prekur problemet konkrete të qytetarëve, që parashikohen në ligjin e buxhetit. Deri më tani, për fat të keq tek opozita nuk kemi parë një vizion të qartë se si mund të qeveriset vendi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Në Ballkan, një hero më pak është një shans më shumë për paqe”

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Mustafa Nano I dashur Zoran! Duke lexuar letrën tuaj, e...
Read More