Për të ndihmuar të varfërit, paga minimale duhet hequr

Axhenda Liberale /11

Nga Besart Kadia

Ditët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për përjashtimin e qeverisë nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 20 mijë familjeve të varfëra në Shqipëri. Ky është një vendim jo i mirë nga ana e qeverisë socialiste në një kohë kur të dhënat tregojnë për një përkeqësim të nivelit të varfërisë në vend sipas Bankës Botërore. Por në këtë debat herë pas here është sugjeruar dhe rritja e pagës minimale si një politikë e cila do të ndihmonte të varfërit. Në fakt në qëndrimin e shumë ekonomistëve të djathtë paga minimale përkeqëson varfërinë në një vend, pasi rrit kostot e biznesit e për rrjedhojë papunësinë në vend. Për këtë arsye paga minimale në Shqipëri duhet të hiqet. Kjo është një politikë sociale me pasoja negative në ekonomi dhe që godet kryesisht të varfërit në vend. Ajo vendos në mënyrë të njëanshme koston e punës mbi biznesin pa zgjidhur aspak problemet e varfërisë. Kjo është një politikë e cila çon në informalitet, çon në më pak punësim e në konkurrencë të ulët të firmave me shtetet e tjera.  Për arsye jo ekonomike, por politike, qeveritë kanë vendosur kryesisht këtë pagë për të lehtësuar veten në mbledhjen e sigurimeve shëndetësore e shoqërore, e nga ana tjetër për t’i treguar elektoratit se po bën diçka për të ndihmuar shtresat e varfëra në vend.  Presioni i publikut për të rritur pagën minimale në vend ka dëmtuar tregun e punës në Shqipëri.

Së pari, teksa Shqipëria ka pagën më të ulët në Europë, në vlerë nominale ajo ka pagën minimale ndër më të lartat krahasuar me të ardhurat mesatare. Para pak muajsh në një raport të Eurostat, media vendase ngriti shqetësimin se Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Europë., dhe në vlerë monetare kështu është. Kudo në diskutim publik u tha se qeveria duhet të bëjë diçka për këtë problem. Të dhënat nga Eurostat tregojnë se ne kemi pagën minimale të barabartë me 180 euro në muaj, ndërkohë që shtete të tjera si Serbia e kanë pagën minimale 285 euro në muaj. Menjëherë u ngrit zëri se është në interes publik që ne të rrisim pagën minimale në vend e qeveria duhet të bëjë diçka për këtë.

Kjo do të ishte një politikë e gabuar e në një moment jo të mirë për ekonominë tonë! Ajo që nuk u tha, dhe nuk thuhet nga ekonomistët vendas, është fakti se Shqipëria ka pagën minimale ndër më të lartat në Europë si përqindje e të ardhurave për frymë të popullsisë. Përshembull, të ardhurat vjetore nga paga minimale në Shqipëri janë sa 56% e të ardhurave për frymë sipas FMN. Ndërkohë që shtete si Çekia e Lituania kanë të ardhura nga paga minimale sa 28% e të ardhurave për frymë të tyre.  Cfarë ndodh në realitetin shqiptar? Në pyetësor të ndryshëm të kryer në biznese që mbështeten në krahun e lirë të punës është vënë re se punëtorët paguhen realisht më pak nga sa është paga minimale zyrtare. Zyrtarisht bizneset paguajnë pagën minimale por me ujdinë e fshehur me punëtorët  për t’ia rikthyer paratë biznesit. Pra po të ishte në të njëjtat nivele si Çekia e Lituania atëherë paga minimale në vend duhej të ishte afërsisht 14 mijë lek në muaj.  Kjo nuk do të thotë se ne duhet të bëjmë çmos që të mbajmë pagën minimale sa më të ulët në krahasim me të ardhurat mesatare të vendit. Por po ashtu nuk duhet të rrisim në mënyrë artificiale pagën minimale si politikë sociale pa marrë parasysh efektet në ekonomi. Kështu ne jemi duke dëmtuar tregun e punës në vend. Kjo rrit kostot për bizneset dhe papunësinë në vend sidomos për ato shtresa sociale që kjo politikë mundohet të ndihmojë.

Së dyti, sipas FMN kjo pagë minimale relativisht e lartë godet më shumë të rinjtë që duan të futen në tregun e punës. Sipas FMN papunësia afatgjatë në vend zë mbi gjysmën e papunësisë totale duke treguar probleme serioze strukturore të ekonomisë sonë. Papunësia te të rinjtë është mbi 30%, megjithëse statistikat zyrtare duhen parë me rezerva, duke treguar qartë se paga minimale relativisht e lartë me të ardhurat mesatare në vend nuk lejon një numër më të lartë punësimi të të rinjve. Për këtë arsye FMN thotë se paga minimale në Shqipëri nuk duhet rritur. Po ashtu një pagë minimale kombëtare prish konkurencën mes rajoneve ekonomike të Shqipërisë. Në rajone të varfëra si veri-lindja e shqipërisë ku varfëria arrin deri në 25% të popullsisë, paga minimale prej 24 mijë lekësh është shumë e lartë dhe jo konkuruese. Shumë biznese do të ishin të gatëshme të zhvendoseshin në prodhim në këto zona në rast se qeveria shqiptare do të mendonte gjithashtu për pagë minimale të ndryshme sipas rajoneve ekonomike, siç e ka përshembull Gjermania sot.

Një arsye më tepër është që paga minimale nuk duhet përdorur si politikë sociale. Megjithëse u argumentua pak nga ekonomistë vendas vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale në sektorin publik në 30 mijë lek vitin e kaluar, ishte një hap i parakohshëm dhe që do të dëmtojë tregun e punës në vend. Paga duhet të reflektojë produktivitetin e ekonomisë. Nuk mundet që sektori publik të rrisë pagat minimale me 36% me një vendim të njëanshëm politik por pa argumentuar se si kjo do të ndikojë në tregun e punës në vend. Sektori shtetëror ka patur rritje të pagave më të shpejta e më të larta sesa sektori privat duke rritur presionin në tregun e punës për rritje pagash dhe në sektorin privat, pamvarsisht faktit që rendimenti në punë nuk ka ndryshuar. Sipas të dhënave nga FMN e OECD në rastin e Shqipërisë pagat u rritën më shpejt e më shumë sesa u rrit produktiviteti i punonjësve nga viti 2010-2015, duke reflektuar kosto më të larta për bizneset sesa përfitimi që ato kishin. Të dhënat tregojnë se teksa punëtorët shqiptar e kanë produktivitetin për orë pune sa 61% e mesatares së Europës Lindore, pagat që ata marrin janë sa 76% e mesatares së Europës Lindore. Kjo diferencë duhet të kalohet vetëm nëpërmjet rritjes së investimit për kualifikimin e punëtorëve. Të dhënat tregojnë se përqindja e forcës punëtore me arsim 9-vjecar është më e lartë në Shqipëri se në cdo shtet tjetër të Europës Lindore. Po ashtu stoku i kapitalit për frymë në Shqipëri është ndër më të ultët në Europë (22% e mesatares së BE-së).

Thënë këto të dhëna që për shumë lexues janë teknike do të shtoja se nuk ka retorikë më të thjeshtë e më influencuese në popull sesa retorika e majtë e humaniste për ekonominë. Nëse do të doja të fitoja disa “share” në facebook apo të ndikoja në zemrat e njerëzve do të filloja fjalitë me frazat që kuptohen lehtë si; “ këta milionerë kanë jahte, ndërkohë që fëmijët e nënë Zamirës zëvendësuan librat shkollorë  me steka cigaresh për të siguruar bukë për nënën e tyre të sëmurë”;  “këta milionerë duan të arrijnë qiellin me pallate kur të varfërit i kanë sytë përdhe nga uria”… e sa fjali të tjera mund të shkruaj si këto; për më tepër të gjitha të vërteta. Por asnjë nga këto përshkrime nuk arrin të më spjegojë përse mbetemi vend i varfër e ka varfëri në vend. S’ka më mirë se sa për të përkufizuar idenë tënde ta vendosësh atë në kontrast të theksuar me të kundërtën e saj në një debat publik. Ndaj jam i sigurt se me këto rradhë që synojnë heqjen e pagës minimale ose minimalisht rajonalizimin e saj, e di që do të shkaktojnë emocion negativ te shumë lexues. E di që shkrimet mund të marrin formën e mëposhtëme si: politikë e mirë ‘paga minimale’, politikë e keqe heqja e saj. Kjo ndarje shtohet më tej me argumenta të tillë si: të pasur me jahte, të varfër pa bukë; Të pasur të korruptuar,  të varfër që respektojnë shtetin; Privat të pamëshirshëm, e shtet dashamirës; Kompani që zhvasin klientë e shtet që shërben; Oligarkë që paguajnë punëtorët si ti jenë skllevër e shtet që kujdeset për barazi, etj. E kjo retorikë vazhdon prej vitesh e vitesh në Shqipëri e që kuptohet lehtë nga masa e popullsisë. Për të fituar popullaritet më pas partitë politike, pamvarsisht krahut të tyre, vrapojnë të shprehen për oligarkë, për pabarazi, për varfëri të shtuar, për klientelizëm etj. Por përvecse ndërtojnë një narrativë me kënd të realitetit, këto sulme e akuza ndaj “kapitalistëve” janë jo praktike kur vjen puna në luftën kundër varfërisë apo zhvillimit të vendit.

Ndaj Shqipëria duhet të bëjë çmos që kapitalistët e saj të paktë t’i ndihmojë e t’i krijojë të gjithat mundësitë që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri. Me të dhënat e mësipërme kapitali njerëzor në Shqipëri ka performancë të ulët në krahasim me ekonomtë e tjera e është shumë pak konkurues. Paga minimale, megjithëse e ulët, është sërisht një politikë rregullatore në tregun e punës që nuk ndihmon realisht të varfërit e vendit. Kapitali njerëzor që Shqipëria ka nuk mundet të çojë në rritje të lartë të ekonomisë sa ta uli varfërinë. Rritja e stokut të kapitalit fizik vjen vetëm nga investitorët e mëdhenj të cilët duhen favorizuar sa më shumë për të investuar në vend. Padashje në këto kohë të vështira ekonomike të gjithë po vrapojnë për politika të majta e populiste duke harruar se ato janë vetë problemi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berati, qyteti i një mbi një dritareve që duhet mirëmbajtur dhe promovuar

  Nga Ndriçim Kulla - Shekulli XX, si shekull i jashtëzakonshëm në historinë...
Read More