Përfaqësimi dhe përshpinësimi ynë në Parlament

Rubrika: Peripatos

Nga Klementin Mile

Në seancën parlamentare të së enjtes, ku përfaqësuesit tanë në Kuvend pritej të diskutonin për buxhetin, vetëm për buxhetin nuk folën. Si zakonisht, Parlamenti u kthye në arenë akuzash dhe kundërakuzash për përfshirje të përfaqësuesve tanë në veprimtari kriminale, për projekte kriminale, për motive kriminale dhe për lidhje me kriminelë. Ky qe teksti i fjalimeve parlamentare. Përveç faktit që e injoroi çështjen themelore të diskutimit të buxhetit të shtetit, ky tekst e injoroi edhe kontekstin e vet.

Le të kujtojmë që seanca parlamentare e së enjtes u zhvillua ndërkohë që Shqipëria, në qytet dhe në fshat, përmbytej nga vërshimet e ujërave, shumë njerëz humbitnin pasuritë e vëna me mund, energjia elektrike mungonte në shumë zona, rrugët ishin të pakalueshme, shërbimet nuk funksiononin dhe jeta e njerëzve ishte në rrezik.

E megjithatë, përfaqësuesit tanë, në qeveri dhe opozitë, nuk e patën aspak të vështirë ta injoronin kontekstin ku gjendeshim ne, të përfaqësuarit. Ata u morën si zakonisht me lojërat e tyre të pushtetit, shantazhuan njëri-tjetrin me nëntekstin “po tregove krimet e mia, do nxjerr provat që kam për krimet e tua”.

Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në Parlamentin shqiptar; veçse këtë herë Parlamenti u kthye në një teatër absurd, pasi jashtë tij të përfaqësuarit përballeshin me situata emergjence nga më të rëndat. ‘Pandjeshmëria’ ndaj kësaj emergjence është fjala e parë që të vjen ndërmend për të cilësuar qëndrimin e përfaqësuesve tanë në Kuvend. Por këtë e dinim. Një tjetër togfjalësh, që përdoret kryesisht nga politologët, është ‘kriza e përfaqësimit’. Por edhe ky është një cilësim negativ, i cili tregon vetëm mungesën e diçkaje, në këtë rast mungesën e përfaqësimit të interesave dhe vlerave tona prej atyre që janë mandatuar për t’i përfaqësuar.

‘Kriza e përfaqësimit’ thotë vetëm që kanali i komunikimit ndërmjet të përfaqësuarve dhe përfaqësuesve është bllokuar, duke i bërë autikë (pra t’i flasin vetëm vetes) si përfaqësuesit ashtu dhe të përfaqësuarit. Por hipoteza e dy realiteteve paralele, ku ekzistojnë përkatësisht përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit të ndarë nga një humnerë moskomunikimi, nuk shpjegon megjithatë se si ndërveprojnë të dyja palët. Për shembull nuk shpjegon se si të përfaqësuarit, pavarësisht se u është bllokuar kanali i komunikimit me përfaqësuesit, prapëseprapë i mandatojnë ata sërish në zgjedhjet e ardhshme.

Përveç kësaj, hipoteza e dy realiteteve paralele që nënkupton ‘kriza e përfaqësimit’, në fund të fundit u jep realitet të dyja palëve, duke justifikuar në këtë mënyrë emërtimet ‘përfaqësues’ dhe ‘i përfaqësuar’. Kjo na shpie në rrjedhojën absurde që në Shqipëri deputetët janë ‘përfaqësues’ të elektoratit dhe elektorati është ‘i përfaqësuar’ nga deputetët, por ama ‘përfaqësim’ nuk ka. Por në fakt është përfaqësimi që i lind përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit. Nëse nuk ka përfaqësim, as deputetët nuk janë përfaqësues, as elektorati nuk është i përfaqësuar.

Pandjeshmëria e deputetëve tanë ndaj interesave dhe vlerave të elektoratit është dëshmi e mungesës së përfaqësimit. Por nëse nuk ka përfaqësim, si ta emërtojmë lidhjen ndërmjet deputetëve dhe elektoratit? Ndoshta një metaforë e jep më mirë idenë. Fundja edhe termi ‘përfaqësim’, në gjuhën tonë ka kuptim metaforik. Të për-faqë-sosh do të thotë të jesh për faqen e dikujt; do të thotë që, ashtu si ky dikush (i përfaqësuari) kthen faqen dhe sheh realitetin, ashtu ta shohësh dhe gjykosh realitetin edhe ti, si përfaqësuesi i tij.

Por seanca parlamentare e së enjtes e gjeti shumicën e elektoratit duke i kthyer shpinën diskutimeve në Kuvend, pasi, në mungesë të dorës së shtetit, ata i kishin duart të zëna me hallet e tyre personale e familjare përballë vërshimit të ujërave. Elektorati i ktheu faqen çështjeve private dhe shpinën çështjeve publike. Të njëjtën gjë bënë edhe deputetët në Parlament, duke u kujdesur për çështjet private të tyre. Të dyja palët u lidhën nga një ‘për-shpinë-sim’ ndaj publikes. Një përshpinësim që i konstituoi deputetët si ‘për-shpinë-sues’ dhe elektoratin si ‘të për-shpinë-suar’.

Përshpinësimi është realiteti i hidhur i lidhjes së deputetëve me elektoratin. Kjo lidhje do vazhdojë e tillë për aq kohë sa do t’i kthehet shpina çështjeve publike. Më së pari, është detyrë e elektoratit të ndryshojë faqe – të kthehet e të shohë jo vetëm oborrin e vet, por edhe çfarë ndodh përtej tij. Pasi duhet kujtuar një e vërtetë e thjeshtë, e cila harrohet shpesh: janë deputetët që mandatohen nga elektorati, jo e kundërta. Kur elektorati u kthen shpinën çështjeve publike, deputetët janë përshpinësues, e kur u kthen faqen, përfaqësues.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tensioni i ulët i gjakut, kur duhet të shqetësohemi, shenjat

Tensioni i ulët që nuk shkakton shenja apo simptoma të lehta nuk...
Read More