Përfshirja në skemën e TVSH, halli i madh i biznesit të vogël

Edi Rama: Të gjitha bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Biznesi i vogël: Shteti po na falimenton. Ekspertët: Do të ketë rritje të çmimeve dhe falimentime të shumta

Nëse do të ndodhë ashtu siç është lajmëruar, biznesi i vogël do të përfshihet i gjithi në skemën e TVSH, atëherë viti 2018 do të mbahet mend për një ndërhyrje radikale në sistemin fiskal. Është një masë shumë e fortë, më e forta ndoshta në përpjekjen e qeverisë kundër evazionit fiskal. Ky duhet të ketë qenë edhe shkaku se planin e qeverisë për këtë ndërhyrje e ka njoftuar vetë kryeministri Edi Rama në një takim me biznesin. Njoftimi ishte surprizues për faktin se asnjëherë më parë nuk ishte përmendur që do të kishte heqje të “pragut të TVSH” që është zbritur pak vjet më parë po nga kjo qeveri nga 8 në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Rama: Të gjithë në TVSH

“Do t’i kërkojmë biznesit të vogël të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit. Të gjitha subjektet, edhe subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH. Nuk është e vërtetë që do të ketë rritje taksash për biznesin e vogël. Ne e kemi bërë zero dhe do të vazhdojë të mbetet zero. Ne do ta përfshijmë në regjimin e TVSH, por kjo nuk do të thotë se do të ketë rritje taksash. Çdo biznes i vogël do të sillet në mënyrë të strukturuar”, ka deklaruar Rama javën që shkoi gjatë një takimi me sipërmarrës në Fier. Ndërkohë edhe dje gjatë një vizite në Lezhë, ku ka prezantuar para banorëve buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Rama ka rikonfirmuar drejtimin e reformës financiare të ndërmarrë nga kabineti i tij. Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se të gjitha bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së, ndërsa ka shtuar se në luftën kundër informalitetit do të merren masa ndaj evazionit të kompanive të mëdha, që sipas tij shfrytëzojnë ato të vogla. “Kemi nisur operacionin për ta çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ajo çka nuk është normale është se beteja kundër reformës nga opozita bëhet me argumente katastrofike. Do mbyllen kaq biznese në ditë, do bëhet hataja etj. Njësoj siç bëhej kur do zbatohej reforma në arsimin e lartë”, ka deklaruar Rama. Ai ka theksuar se qeveria do ta çojë reformën kundër informalitetit përpara, për të garantuar më shumë të ardhura për njerëzit, për më shumë shërbime etj. “Sepse shumë para që duhet t’u kthehen njerëzve përfundojnë te një grusht të pasurish”, ka thënë Rama. Ai ka theksuar se, biznesi i vogël e ka taksën zero deri në një kufi të caktuar, ndërsa ka shtuar se, tatimi mbi të ardhurat personale në shtet dhe privat nuk do të ndryshojnë.

Biznesi i vogël: Po na falimentojnë

Deklarata e kryeministrit Rama për shtrirjen e sistemit të TVSH-së te biznesi i vogël ka ngjallur reagime të forta te ky i fundit. Në një intervistë për mediat, kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, u shpreh se “eksperimentimi” që po bëhet për futjen e taksës së TVSH te kjo sipërmarrje, do t’i çojë në faliment. “Ose do rrisim çmimet në mënyrë të atillë të largojmë klientët, me këtë rënie në fuqi blerëse që ka rënë rreth 50% në 2016. Biznesi i vogël të rrisë çmimin e çdo artikulli do të thotë me duart e veta të falimentojë. Ose do rriten çmimet, ose do falimentojmë. Do mbyllim që më datën 1 Janar bizneset”, thotë Nasto. Sipas Nastos, kjo ide e hedhur tashmë nga kryeministri Rama, në kuadër të aksionit ndaj informalitetit, nuk është konsultuar me grupet e interesit. Ndërkohë, i pyetur se cili është hapi i radhës, ai përgjigjet: “Në qoftë se do varrosësh biznesin e vogël e të mesëm, do jenë efekte të pariparueshme për popullin, për qytetarin, për biznesin, për ekonominë shqiptare, në këtë katrahurë ku jemi ne sot”, shtoi Nasto.

Ekspertët: Rritje çmimesh e falimente

Ekspertët e ekonomisë nuk kanë munguar të thonë fjalën e tyre. Sipas tyre nëse skema e TVSH-së jetësohet, do të kemi një rritje masive të çmimeve. Rritja e çmimeve do të rritet 20 për qind automatikisht për shërbimet dhe më pak për produktet, të cilat në hallkën e fundit të zinxhirit do të paguajnë vetëm diferencën e çmimit. Por kostoja do të paguhet e gjitha nga konsumatorët, pasi faturimi në TVSH në pakicë do të transferohet në çmime. Ata japin një shpjegim se si do të funksionojë skema. Në së një produkt hyn në doganë me 100 lekë, menjëherë për këtë produkt do të paguhet TVSH 20 % dhe tarifë doganore nëse ka. Kur ku produkt magazinohet ndaj tij faturohet kosto transporti 10 lekë dhe vlera totale me TVSH shkon 130 lekë. Distributori nga ana e tij, në këtë çmim do të llogarisë 20 lekë kosto operacionale dhe 20 lekë fitim. Në total çmimi i produktit shkon në 170 lekë. Më pas kur ky produkt nga distributori shkon te pika e pakicës, çmimi i produktit do të llogaritet çmim final plus TVSH (17 lekë +TVSH 20% që në këtë rast është 34 lekë). Duke qenë se TVSH është paguar njëherë në doganë, distributori do t’i paguajë TVSH shtetit diferencën 34 lekë minus 20 lekë që ka paguar në doganë, pra 14 lekë. Në këtë mënyrë do të funksionojë edhe pakica. Deri më tani TVSH nuk aplikohej në shkallën e fundit. Tani vlera e produktit nga distributori te pika e pakicës shënon 210 lekë. Duke i shtuar koston dhe fitimin prej 30 lekësh që do të ketë ambulanti, i bie që çmimi ndaj konsumatorit të jetë 240 lekë plus TVSH. TVSH në këtë rast është 48 lekë. TVSH që i paguhet shtetit nga biznesi i vogël është 48 lekë minus 34 lekë, pra 14 lekë. Ekspertët pohojnë se përfshirja në TVSH do të rrisë çmimet për të gjithë produktet dhe shërbimet deri në 20 për qind. Por kjo rrezikon të nxjerrë nga tregu gati 80 për qind të bizneseve, të vogla të cilat nuk do të mund të përballojnë konkurrencën nga qendrat tregtarë dhe supermaketet që tashmë shesin me TVSH. Po ashtu skema ka kosto shtesë në aktivitetin e bizneseve të vogla pasi ato do të duhet të paguajnë ekonomistet më shumë për mbajtjen e llogarive të tyre. Një biznesi do t’i kushtojë së paku 10 -15 mijë lekë në muaj për mbajtjen e llogarive, nga 5 mije lekë që ishte aktualisht.

Ahmetaj, s’ka kosto për biznesin

Pas kryeministrit Rama, ministri i Financave Arben Ahmetaj ka sqaruar edhe një herë se nuk do të ketë asnjë prag, pra TVSH do të fillojë që të zbatohet që nga zero. Sipas tij kjo nuk ka rritje të kostos. “Ka rritje të kostos për ata që punojnë në informalitet. Për ata që janë formalë kjo s’ka kosto”, -tha ministri. Sot paguajnë TVSH bizneset që kanë të ardhura vjetore mbi 5 milionë lekë. Por, teksa Shqipëria ka si karakteristikë numrin e lartë të mikrondërmarrjeve, ekspertët kanë paralajmëruar se përpjekjet për të krijuar ciklin e mbyllur të pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke ulur pragun e taksimit nga 5 milionë lekë, që është aktualisht, në zero pas 1 janarit 2018, më shumë se sa formalizim, pritet të sjellin çmime më të larta për konsumatorët dhe falimente masive në shtresat më të brishta të biznesit. Tatimet numërojnë rreth 82 mijë subjekte të vogla dhe të mesme, nga rreth 105 mijë biznese gjithsej në të gjithë vendin, shumica e të cilave nuk plotësojnë kriterin e xhiros për të paguar TVSH. Kontributi në të ardhura i këtyre njësive ishte 0.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2016, por roli i tyre në punësim është dominues. Shqipëria është ndër vendet me numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në botë, me rreth 36% të totalit. Ekspertët e ekonomisë lajmërojnë se çdo politikë shtrënguese në bizneset e pakicës do të jetë me pasoja fatale ekonomike dhe sociale për familjet e punësuara në to.

Shqipëria, rast i veçantë europian

Me këtë masë Shqipëria do të bëhet ndër të paktat vende në Europë që nuk do të kishte incentivë për bizneset mikro dhe të vogla, që në fakt janë zemra e ekonomisë vendëse me mbi 40% të të punësuarve. Shqipëria aktualisht ka një nivel të ngjashëm pragu me Bashkimin Europian për aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar te bizneset. Në vendin tonë një biznes përfshihet në pagesën e TVSH kur realizon një xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë ose 36 mijë euro në vit. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se, mesatarja e xhiros vjetore për aplikimin e TVSH-së në vendet e BE është 25-35 mijë euro, por me ndryshime të dukshme ndërmjet vendeve. Italia taton me TVSH bizneset me qarkullimin vjetor mbi 25-50 mijë euro, ndërsa Bullgaria aplikon një kufi prej 25 mijë eurosh. Edhe në Rajon ka një nivel të ngjashëm qarkullimi vjetor që tatohet me TVSH. Kroacia e ka pragun e tatimit me TVSH 30 mijë euro, sipas të dhënave të vitit 2017 të azhurnuara nga KE. Bosnja e aplikon TVSH në bizneset që qarkullojnë më shumë se 25 mijë euro në vit. Ndërsa shihet se pragun më të lartë e ka Serbia, e cila e nis të vjelë TVSH në bizneset që kanë xhiron vjetore mbi 66 mijë euro. Në Maqedoni kufiri i përfshirjes në TVSH aktualisht është 15 mijë euro. Maqedonia e uli pragun në vitin 2015, teksa para këtij viti pragu ishte 30 mijë euro. Në Mal të Zi pragu është 18 mijë euro. Në Bosnjë kufiri është 25 mijë euro. Nga shtetet e BE-së, vetëm Spanja dhe Holanda nuk kanë kufi të regjistrimit në TVSH. Një tjetër shtet që e ka aplikuar këtë praktikë është Turqia, që e ndërmori këtë lëvizje pas një reforme gati 10-vjeçare në sistemin e administrimit fiskal. Dy janë arsyet kryesore se pse qeveritë vendosin kufij për pagimin e TVSH-së, sipas teorive ekonomike. Së pari, kjo është një nxitje për biznesin e vogël, që nga ana e tij është i rëndësishëm për gjenerimin e punësimit, duke qenë se biznesi i vogël në ditët e sotme po krijon pjesën më të madhe të vendeve të punës në botë. Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, mikrondërmarrjet (me 1 deri në 9 punonjës) krijojnë 42% të vendeve të punës, ndërsa pesha që ato kanë në shitje neto është vetëm 24% e totalit. Argumenti i dytë lidhet me vështirësitë në kontrollin dhe kontabilizimin e pjesës së fundit të zinxhirit të shitjeve, teksa pjesa e fundit e zinxhirit bie pre më lehtë e abuzimit, keqpërdorimit dhe korrupsionit, si dhe kërkon përqendrim të lartë burimesh njerëzore, që nuk është eficient duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave që mblidhen. Kjo çon në një rezultante futja e bizneseve pa kufi në TVSH më tepër dëmton sesa krijon të ardhura.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Prokuroria: Droga e Habilajve, hetuam me të huajt dhe SHISH

Një hetim disa mujor i Prokurorisë për Krime të Rënda u finalizua...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.