Përgjimet e politikës: Misteri i pajisjeve dhe njerëzve pas tyre

Katër hetime të prokurorisë mbi institucione shtetërore dhe persona privatë për futjen ën vend të pajisjeve përgjuese janë mbyllur ose mbeten në hetim pa sqarime përfundimtare, ndërsa përgjimet janë një “ankth” i vazhdueshëm i politikës shqiptare

Nga Leonard Bakillari, Revista Mapo

Në mars të vitit të shkuar, një BMW e zezë me traga diplomatike alarmoi institucionet shqiptare të sigurisë, pas dyshimeve se në bagazhin e saj ndodhej një pajisje të dyshimtë që mund të përdorej për përgjime të paligjshme. Shërbimi sekret shqiptar i dërgoi prokurorisë fotografi të kësaj makine pranë disa institucioneve të rëndësishme të vendi, por edhe në burgje e ambiente private të disa politikaneve të rëndësishëm. Lëvizjet e saj ishin të shpeshta, ndërsa prokuroria fillimisht hezitoi të niste hetime, pasi informacionet e para ishin kontradiktore dhe për më tepër automjeti ishte me targa diplomatike. Por një hetim i nisur pak kohë më pas zbuloi atë që në Shqipëri do të njihet si skandali “IMSI Catcher” dhe që për muaj me radhë prodhoi një debat të ashpër mes palëve politike. Kjo histori mbetet ende e pa mbyllur, por ndërkohë ky është rasti i tretë që shënohet vitet e fundit. Përveç përgjimeve private, kryesisht mes politikanëve, apo personave të tjerë të rëndësishëm, në institucionet e drejtësisë janë shënuar disa raste me dyshime të forta përgjimesh të pa autorizuara dhe të paligjshme. Thuajse të gjitha këto raste kanë mbetur të pa provuara, për një sërë arsyesh, ku kryesorja mbetet mungesa e ekspertëve me njohuri të posaçme në këtë fushë. Skandali i përgjimeve fillimisht u denoncua në vitin 2012 nga opozita e atëhershme, e cila akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se po përdorte kundër saj një pajisje të shtrenjtë përgjimesh, por zyrtarisht hetimet nisën vetëm në vitin 2013, ndërsa çështja është pezulluar në pritje të përgjigjes së ekspertëve. Një vit më parë, u regjistrua një tjetër rast i dyshimtë me pajisjen “IMSI Catcher”, i cili gjithashtu është ende nën hetim, në pritje të përgjigjes së autoriteteve italiane të cilat janë edhe pronarët e kësaj pajisje që për disa muaj u përdor nga policia shqiptare. Ndërsa vetëm pak kohë më parë, në aeroportin e Rinasit u ndalua një shtetas izraelit me një pajisje të dyshimtë, i cili ishte kontraktuar nga një politikan shqiptar për kontrollin e bizneseve dhe ambienteve të tij, pas dyshimeve se në to mund të kishte përgjues. Në përfundim të akt-ekspertimit, ekspertët konstatuan se kjo pajisje nuk mund të kryente përgjime, pasi nuk kishte memorie për regjistrimin e të dhënave. Një rast i ngjashëm u shënua edhe me një shtetas grek, i cili u ndalua në Rinas me një pajisje të dyshimtë, por verifikimet treguan se i dyshuari ishte inxhinier i një kompanie celulare që operon në Shqipëri dhe pajisja përdorej për matjen e fuqisë së valëve të antenave celulare.

Pajisja e Ministrisë së Mbrojtjes

Në vitin 2012, Partia Socialiste në opozitë, akuzoi Ministria e Mbrojtjes dhe qeverinë e atëhershme se nëpërmjet pajisjeve dhe aparatura të shtrenjta po përgjohej opozita. Që prej vitit 2011, eksponentë të rëndësishëm të PS, për muaj me radhë akuzuan ish-Ministrin e Mbrojtjes se po keqpërdorte një pajisje me vlerë 1.5 milion euro që ishte blerë në kuadër të detyrimeve që Shqipëria kishte ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Por asokohe gjithçka mbeti në kuadër të akuzave, ndërsa gjithçka u formalizuar me një kallëzim penal në prokuroria pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013. Kallëzimi penal që Ministria e Mbrojtjes depozitoi në prokurori u referohej abuzimeve dhe shkeljes së procedurave për mirëmbajtjen e pajisjeve operacionale pjesë e sistemit Gi2 dhe Pi2. Sipas kallëzimit rezulton se gjatë kontrollit të kryer, Ministria e Mbrojtjes relaton se janë konstatuar shkelje dhe parregullsi në blerjen dhe marrjen në dorëzim të pajisjes operacionale të përbërë nga sistemi Gi2 dhe Pi2 në vlerën prej 1.589.400 EUR. Por gjithashtu pretendohet se këto pajisje dyshohet se janë përdorur në kundërshtim me ligjin për kryerjen e përgjimeve të pa autorizuara. Më datën 9 korrik 2011, ushtarakët e ngarkuar me monitorimin e pajisjeve operacionale Gi2 dhe Pi2 kanë konstatuar se njëra ishte fikur fare, ndërsa tjetra kishte ekranin gjysmë të ndezur. Është njoftuar struktura drejtuese, e cila ka kërkuar të shqyrtohet problematika dhe të jepet zgjidhje. Nga verifikimet paraprake të specialistëve vendas, është konkluduar se pajisjet elektronike duhet të kenë dalë jashtë funksionimit për shkak të tensionit të lartë (ishin djegur hard-disqet). Në dy ditët e fundit, në zyrat e institucionit kishte pasur shkëputje të energjisë elektrike dhe kishte qenë në punë gjeneratori. Për shkak se pajisjet ishin nën garanci, është kontaktuar kompania e huaj që kishte realizuar shitjen e saj. Kompania, pasi u vu në dijeni që defekti mund të kishte ardhur për shkak të tensionit të lartë, i njoftuan se këto probleme nuk mbuloheshin nga garancia. Gjithashtu, institucioni u njoftua se pajisjet e dëmtuara mund të bliheshin vetëm tek ajo kompani prodhuese e pajisjes. Në kushte emergjence, pasi pajisja duhej të vihej në funksionim në mënyrë të menjëhershme për shkak të detyrimeve që ka shteti shqiptar ndaj partnerëve, është dërguar një punonjës i institucioni me urgjencë në shtetin, ku ishte kompania prodhuese dhe ka kryer pagesën e pajisjeve të dëmtuara pa u kryer procedura e prokurimit (për shkak të emergjencës). Pasi është bërë pagesa në shtetin ku ishte prodhuar pajisja, në Shqipëri ka ardhur një ekspert i kompanisë prodhuese dhe ka parë situatën në vend. Ka konstatuar se hard-disqet ishin djegur për shkak të tensionit të lartë dhe ka kryer edhe zëvendësimin e tyre me pajisjet e reja. Më pas është realizuar edhe shkatërrimi i pajisjeve të dëmtuara, në prani edhe të ekspertit të kompanisë prodhuese. Në funksion të hetimit, është kërkuar kryerja e ekspertizës pranë Policisë Shkencore, mbi të dhënat e referuara në kallëzim për përdorim të paligjshëm të pajisjes. Policia Shkencore ka konkluduar se nuk mund të kryejë ekspertizën, për shkak të mungesës së njohurive të posaçme. Prokuroria i kërkoi ndihmë ligjore FBI, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë, por në përgjigjen e autoriteteve amerikane sugjerohet që pajisja të ekspertohet nga kompania prodhuese. Më pas organi i akuzës i ka dërguar kërkesë për ndihmë autoriteteve të vendit, ku gjendet kompania prodhuese, nëpërmjet letër-porosisë. Aktualisht hetimi për këtë çështje është pezulluar, në pritje të përgjigjes së letër-porosisë.

Pajisja IMSI Catcher

Më 11 mars të vitit të shkuar, në Portin e Durrësit kaloi një makinë tip “BMË” me targa diplomatike italiane, brenda të cilës dyshohet se ishte fshehur një valixhe e zezë. Kjo valixhe do të kthehej më pas në një prej çështjeve më të debatueshme në politikën shqiptare, ku veç një hetimi të nisur nga prokuroria pati edhe një komision hetimor nga Parlamenti. Dy zyrtarë të lartë të policisë u arrestua, ndërsa me kërkesë të prokurorisë u pezullua nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Hetimi tregoi se pajisja e quajtur IMSI Catcher i është dhënë policisë shqiptare nga autoritetet italiane me qëllim përdorimin e saj për arsye trajnuese. Por ky fakt mbeti i dyshimtë nga lëvizjet e zyrtarëve të policisë që kishin në dorëzim pajisjen, por edhe nga informacione të tjera që u mblodhën gjatë hetimit. Sipas tyre rezultoi se ky automjet, me pajisjen e inkorporua brenda tij kishte hyrë në disa burgje të vendit me justifikimin se do të kryente matjen e cilësisë së ajrit. Po ashtu shërbimi informative i dërgoi prokurorisë fotografi që tregonin praninë e këtij automjeti në disa institucione të rëndësishme në vend. Sipas hetimit të deritanishëm të prokurorisë rezulton se përgjigjes për këtë çështje ishin disa zyrtarë të Forcës Operacionale si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë që vijon të jetë ende nën hetim. Por ish-shefi i Policisë Italiane, Alesandro Panza, në një letër dërguar prokurorisë shqiptare ku sqaronte se pajisja është një Vortex Aircube, një makineri e prodhuar në Izrael, e cila është importuar në Europë nga kompania franceze “Ercom” dhe që në Itali është shpërndarë nga “Italarms”. Panza tregoi se se pajisja shërbente vetëm për “trajnim zhvillues” për përgatitjen e forcave policore lokale. “Kjo lloj pajisje trajnuese (IMSI Catcher”) është e konfiguruar në mënyrë të tillë që të mos jetë në gjendje për të zhvilluar aktivitet përgjimi telefonik, as për trafikun zanor, as për mesazhet e shkruara. Pajisja ka qenë gjithnjë në dispozicion të punonjësve italianë. Kur nuk përdorej për trajnim, ka qëndruar në zyrën e koordinimit në Shqipëri, e cila gjendet në ambientet e ambasadës italiane në Tiranë”,shkruante ish-drejtori i Policisë Italiane. Por në mungesë të pajisjes, prokuroria u ndal në veprimet e zyrtarëve të policisë shqiptare dhe mungesën e autorizimit për përdorimin e saj, pasi siç u provua në Komisionin Hetimor Parlamentar, pajisja ishte përdorur të paktën në disa burgje të vendit. Prokuroria konstatoi se pajisja kishte hyrë në Shqipëri pa ju nënshtruar regjimit doganor, ishte përdorur pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nga shpjegimet e kreut të policisë, rezultoi se kjo pajisje ishte në gjendje të identifikonte numrat IMEI të celularëve. Por zyrtarët e policisë u ngarkuan me përgjegjësi ligjore, pasi gjatë tentativës për të sekuestruar automjetin që mbante pajisjen përgjuese, ky automjet nën drejtimin e oficerit të policisë Entiol Xhelili është larguar nga ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për të mos u kthyer më aty. Sipas orarit të regjistruar edhe në procesverbalet përkatëse, automjeti me pajisjen IMSI Catcher u largua nga ambientet e policisë 10 minuta pasi aty kishin mbërritur oficerët e policisë gjyqësore të prokurorisë. Sipas hetimit ka rezultuar se aparati konkret funksionon duke u sjellë si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore tek antena e gënjeshtërt. Sipas prokurorisë kjo gjë bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918 Neni 123/2. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antene ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatet fundore që tentojnë të lidhen me të. Një prej ekspertëve të pyetur për llogari të hetimit, ka sqaruar se IMSI Catcher është një pajisje e cila bën të mundur identifikimin e të gjithë IMSE-ve telefonike në një sipërfaqe të caktuar duke bërë të mundur leximin e IMSE-ve. IMSI është numër kodik që ka çdo kartë telefonike. (GSM) (sim card). Përveç identifikimit pajisja dallon llojin e gjeneratës telefonike 2G, 3G, 4G, emrin e operatorit telefonik. IMSI Catcher i pajisur me module dhe aparatura shtesë ndihmon në kryerjen e proceseve të tjera. Kjo pajisje rezulton se është përdorur për disa vjet në operacionet të policisë Italiane, por sipas shpjegimit të ekspertëve, kjo pajisje nuk e ka këtë opsion pasi ligji ne Itali e ndalon. Por pavarësisht këtyre shpjegimeve, prokuroria ka dërguar një letër-porosi pranë autoriteteve italiane me qëllim marrjen e të dhënave rreth kësaj pajisje që ende nuk dihet ku ndodhet. Në pritje të përgjigjes, dosja hetimore vijon të qëndrojë e hapur pranë organit të akuzës.

IZRAELITI YORAM FRIG

Një shtetas izraelit që kishte vizatuar disa herë Shqipërinë, u ndalua nga policia teksa dilte nga territori shqiptar me një pajisje të dyshimtë. Yoram Frig, shtetas izraelit, fillimisht ishte lejuar nga punonjësit e aeroportit te Rinasit dhe persona të tjerë, oficerë të Komisariatit të Policisë Rinas, edhe pse ishin në dijeni që ky shtetas posedonte  një pajisje elektronike. Prokuroria thotë se policia ka lejuar këtë shtetas të lëvizte lirshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke mos kryer asnjë veprim procedurale në momentin e konstatimit të saj më datë 23.03.2017. Pasi ka përfunduar punën për të cilën ishte kontraktuar nga një politikan shqiptar, shtetasi izraelit Yoram Frig, ka kërkuar të dalë nga territori i Shqipërisë më datë 24.03.2017 bashkë me pajisjen e dyshuar. Në kuadër të hetimeve të nisura prokuroria sekuestroi personit të dyshuar pajisjet “Oscor Omni Spectral Correlator OSC 5000. Këto pajisje elektronike i janë nënshtruar ekspertimit teknik-inxhinierik për të përcaktuar funksionin e tyre, modifikimet ose jo si dhe mundësinë për përgjime ambientale, audio, video, telefonike apo përgjime të të dhënave të internetit. Nga akti i ekspertimit rezultoi se pajisjet nuk mund të kryejnë përgjime. Mungojnë komponentë fizike për ta realizuar si dhe softe. Aktualisht është e pamundur te kërkohet në këto pajisjes të gjenden gjurmë përgjimi për shkak se përveç OSCOR – OSC5000 që disponon një memorie EPROM dhe kapacitet për të ruajtur një lista të frekuencave që percepton, të gjitha pajisjet e tjera nuk disponojnë një memorie te lexueshme fizike për të ruajtur biseda apo video. Pas përgjigjes së ekspertëve, prokuroria vendosi të pushojë çështjen dhe t’i kthejë pasaportën e bllokuar shtetasit izraelit, i cili deklaroi se ishte kontraktuar nga një politikan shqiptar për kryerjen e kontrolleve në ambientet e bizneseve të tij pas dyshimeve se mund të kishte përgjues. Vetëm pak ditë pas ndalimit të shtetasit izraelit, policia kufitare e Rinasit ndaloi një shtetas grek i cili dispononte një pajisje të dyshimtë. Kjo pajisje gjithashtu ju nënshtrua ekspertimit, ndërsa i dyshuari gjatë marrjes në pyetje deklaroi se ishte inxhinier në një komani celulare në Shqipëri dhe pajisja që ai dispononte shërbente për matjen e fuqisë së valëve të antenave celulare. Ai rezultoi të kishte hyrë të paktën 20 herë në Shqipëri për llogari të kompanisë celulare ku punonte dhe pas verifikimeve, prokuroria konstatoi se nuk ishte konsumuar vepër penale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bursa sociale UET, historia prekëse: Nga viktimë e dhunës në studente

“Arsimi më ndryshoi jetën, asnjëherë nuk është vonë t’ia nisësh nga e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *