Përgjimet, një histori tranzicioni



21 Veshi pergjuesNë vigjilje të Reformës në Drejtësi, Shqipëria është mbërthyer sërish prej etheve të përgjimit. Vendi ku muret kishin veshë, e ka me gjasë të vështirë të shkëputet prej historisë apo prej konspiracionit të frymëzuar prej saj. Fillon në “Shtëpinë e Gjetheve” dhe vijon me “IMSI Catcher-in” e policisë italiane

Një gazetar i BBC thotë se në “Shtëpinë e Gjetheve” në qendër të Tiranës, mungonte vetëm cigarja shpërthyese e Agjentit 007, ndërsa tregon një dhomë plot me valixhe dhe pajisje përgjimi.

E famshme si vendi prej nga përgjoheshin e përndiqeshin shqiptarët në diktaturë, ajo është vetëm simboli i një regjimi që i pati vënë themelet persekutuese mbi survejimin. Muret kishin veshë dhe mjetet varionin që prej gotave të vendosura përmbys në mure, deri te aparaturat e Sigurimit.

Shqipëria e pas 90’ nuk i ka shpëtuar kësaj manie. Politikanët, jo rrallë i përmendin njëri-tjetrit takime sekrete me njerëz të botës së krimit, apo orë bisedash. Këto në mos teori konspirative, janë pjesë e një loje të përditshme për pushtet dhe dëshire për të pasur në dorë kundërshtarin.

Shërbimet sekrete të pas 90’ u shfrytëzuan në vijim për të persekutuar dhe përndjekur kundërshtarin deri dhe në dhunim. Përgjimi në këtë skenë ishte më e pakta dhe kjo solli shkatërrimin e SHIK-ut, i cili u riformatua në SHISH.

Fatos Klosi, ish-shefi i këtij shërbimi, nuk u shpëtoi akuzave. Një komision hetimor dhe më pas kuvendi, e shkarkuan atë se sipas tyre kishte përdorur SHISH për të përgjuar jo vetëm rivalët e qeverisë, por edhe vetë qeverinë. Klosi i mohoi gjithmonë akuzat dhe u duk se pas largimit të tij shërbimi pati gjetur një lloj qetësie nga akuzat, që u prish me ndërrimin e pushtetit. Ish-kryeministri Sali Berisha, tentoi dy herë ta ndërronte drejtimin, por u tërhoq pas presionit ndërkombëtar, ndërsa Visho Ajazi, i emëruar prej tij, u bë shënjestra e parë e mazhorancës së re. Përgjimet e tij thuhej se preknin drejtuesit më të lartë të shtetit, por hetimit parlamentar nuk prodhoi ndonjë vendim ndaj tij. Një dosje përgjimesh ndërkohë kapi edhe SHIU (Shërbimin Informativ Ushtarak), aty nga fundi i mandatit të qeverisjes Berisha. E denoncuar në prokurori pasi PS mori qeverisjen, por e mbetur e pazbardhur dhe pa të pandehur apo sqarim të mëtejshëm.

E fundit është ajo që përfshin Ministrinë e Brendshme dhe policinë. Një letër nga Italia as ka shuar as e ka sqaruar debatin dhe konspiracionin në Tiranë, ku përgjimet dhe dosjet sekrete për kundërshtarin përmenden thuajse në çdo seancë kuvendi.

“Çimkat”, siç u njohën ca kohë dhe kamerat e fshehta, janë moda e denoncimit të korrupsionit dhe abuzimit në vend. “Viktima” e fundit e kësaj forme ishte Shukri Xhelili, ish-kryebashkiak i Dibrës, ndërsa thuajse çdo javë, dy emisione, “Fiks Fare” dhe “Stop”, që i kushtohen kësaj forme të denoncimit, hanë koka inspektorësh e drejtuesish.

Përgjimi është bërë kryefjalë e politikës gjatë kësaj jave dhe opozita e Presidenti i Republikës pretendojnë se 375 zyrtarë të lartë ishin përgjuar dhe po ashtu ishte cenuar siguria kombëtare, ndërsa në anën tjetër, shumica akuzon për shpifje, përgënjeshtron akuzat dhe sheh sulmin si një goditje tërthorazi për Reformën në Drejtësi. Ndërkohë, ajo që është ndryshe në rastet e tjera të akuzave shumicë vs pakicë mbi këso temash, është përfshirja e institucioneve dhe ndarja e tyre sipas “varësisë” ndaj palëve.

Presidenti i Republikës, pas një grindjeje publike me kryebashkiakun Erion Veliaj, u përfshi në “luftë” deklaratash me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Në anën tjetër, SHISH, që rezulton të ketë përcjellë informacionin në prokurori dhe presidencë, ka lënë mënjanë kryeministrin. “Ishin vetëm dyshime”, ka thënë kreu i SHISH. Nga ana e saj, prokuroria është treguar e “zellshme”, ndryshe nga sa bën me akuzat që përgjithësisht vijnë prej politikës apo rretheve pranë saj. Dyshimet mund të jenë të forta, por hetimet nuk kanë mundur të japin ndonjë përgjigje të qartë, për sa kohë akuza nuk ka as një mundësi të ekspertojë pajisjen, që me sa duket është në duar të italianëve. Prokuroria e di ndërkohë, nga eksperienca me hetime të ngjashme si në rastin e SHIU, që pak mund të bëjë për të zbuluar çfarë fshihet pa bashkëpunim të plotë të palëve të përfshira.

Nga ana e saj, qeveria i ka qëndruar besnik një versioni . Pajisje përgjuese nuk ka. Pajisja e dyshuar është trajnuese dhe është përdorur vetëm si e tillë. Sulmi është i llogaritur dhe i përdorur për të vonuar dhe goditur Reformën në Drejtësi. “Hall i madh Reforma në Drejtësi. Tani u bëhet edhe sikur i përgjojnë”, ironizonte kryeministri. Këtë supozon edhe politikani Spartak Ngjela, i cili po ashtu këmbëngul në një vullnet keqdashës të opozitës kryesisht, që kërkon të bllokojë reformën. “Unë e kam thënë: ky është ‘biçaku i Çeços’, shkruante ai dje, ndërsa sulmonte ish-kryeministrin Berisha, se po synonte ta sabotonte.

Përballë kësaj, Preç Zogaj shkruante se “teza se opozita merret me skandalet sepse nuk do Reformën në Drejtësi, është gënjeshtër”. Duke i vënë në vijë skandalet e qeverisë, Zogaj këmbëngul se përkimi i sulmeve të përditshme të opozitës mbi ministra të qeverisë, nuk ka asnjë lidhje me reformën, e cila po avancon, por rasti i sjellë të bien në të njëjtën kohë. Por përkimi për shembull i denoncimit të skandalit të përgjimeve më kërkesa të reja të opozitës mbi reformën apo propozimit prej saj të një drafti të ri reforme, nuk duken për pjesën tjetër, kaq qartësisht të palidhura.

E gjithë kjo lojë bëhet ndërkohë që ora me rërë që do të shënojë dështimin ose jo të reformës dhe nëse merren të mirëqena “kërcënimet” e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të BE edhe të Shqipërisë, duket se po derdhet. Përgjimet me gjasë, siç është bërë traditë, mund t’i lënë vendin një skandali të ri. Por ashtu siç ka ndodhur më herët, edhe ai do të mbyllej në fund të javës dhe arsyet e një liste skandalesh që shkojnë pa sjellë asnjë ndryshim, duket se varen prej reformës.

Përgjimi, nga ana tjetër, do të vijojë. Në një vend ku lufta politike bëhet me peshim skandalesh dhe pa ndonjë alternativë, ai është forma më e mirë për të mbërthyer ose jo kundërshtarët. Një histori, që fillon me “Shtëpinë e Gjetheve” dhe vijon sot me hijet e dyshimit për “IMSI Catcher”, të sjellë prej policisë italiane dhe ngecur në akuzat e politikës në Tiranë.

Letra e italianëve mjegullon historinë e përgjimeve

Një letër e ambasadorit italian në Tiranë dërguar prokurorit të Përgjithshëm, u mendua se do të mbyllte përfundimisht historinë e pajisjes së përgjimit. Duke cituar ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane Alessandro Pansa, letra rrekej të sqaronte të gjitha pikat e errëta të historisë nga futja e saj në territorin shqiptar, deri te qëllimi i përdorimit. Përmbledhtas, letra thoshte se kjo pajisje ka hyrë në Shqipëri për qëllime trajnimi nga Interforca dhe gjithçka tjetër nuk mund të hetohej pasi mbrohej nga një marrëveshje e vitit 2007, nënshkruar mes dy ish-ministrave të Brendshëm të asaj kohe. “Ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë, që të mos ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”, vijojnë italianët. Sipas letrës që i është dërguar kryeprokurorit Llalla, konfirmohet se pajisja është futur në Shqipëri nga operatorët e forcave të policisë italiane në Portin e Durrësit, ku janë pritur nga zyrtarë të policisë shqiptare. Por një ditë pas publikimit të letrës së ish-drejtorit të Policisë italiane, ka reaguar jo zyrtarisht prokuroria e Tiranës, e cila thotë se kjo letër nuk ka vlerën e provës. Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se “letra e ish-drejtorit të policisë italiane, Alessandro Panza, në formën e mbërritur në Prokurorinë shqiptare, nuk mund të konsiderohet si material procedural”. “Shkresa e Panzas nuk ka firmë, vulë dhe datë. Nuk ka të përcaktuar se me çfarë cilësie e ka shkruar letrën e përcjellë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri”, bëjnë të ditur burime të prokurorisë. Partia Demokratike, në një deklaratë për mediat nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm Arben Ristani, tha se debati për përgjimin e paligjshëm, jo vetëm nuk është mbyllur, por përkundrazi, skandali është thelluar akoma më shumë. “Letra e ish-drejtuesit të policisë italiane konfirmon, pohon drejtpërdrejt, se pajisja ka hyrë në Shqipëri ilegalisht. Sepse një pajisje e tillë gjurmimi e përgjimi, është ilegale kur futet pa u regjistruar në doganë, dhe është ilegale kur përdoret pa u vënë në dijeni dhe pa dhënë miratimin e tij prokurori i Përgjithshëm”, tha Ristani. Ndërsa prokuroria nga ana e saj, mësohet se i ka dërguar një shkresë zyrtare misionit Interforcë në Shqipëri, të cilit i kërkon informacione rreth pajisjes së përgjimit, dorëzimin e saj për ekspertim, si dhe dokumentet shoqëruese. Nëse pajisja është përdorur për qëllime trajtimi sikundër pretendohet, prokuroria kërkon t’i vihet në dispozicion plani apo planet trajnuese, ekspertët trajnues, personat e trajnuar si dhe vendet ku janë zhvilluar trajnimet. Edhe pse letra e prokurorisë është dërguar që prej nisjes së hetimeve më datë 12 maj, ende nuk ka një përgjigje në prokurori nga misioni policor italian. “Nëse Panza ka dërguar shkresë në cilësinë e eprorit më të lartë të Interforcës, atëherë në letrën e tij nuk gjenden përgjigjet mbi informacionin e kërkuar nga Prokuroria Tiranë”, thanë burime të prokurorisë. Në pritje të përgjigjes nga Interforcë, prokuroria ka kërkuar informacione nga Doganat, nëse kjo pajisje është regjistruar në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas përgjigjes së doganës, rezulton se në sistemin e këtij institucioni, “Asicuda”, nuk është regjistruar asnjë pajisje trajnuese apo përgjuese. Por sipas palës italiane, kjo pajisje është futur me një automjet tip “BMW” dhe nuk është deklaruar në doganë, pasi ka qenë pjesë e automjetit, i cili është regjistruar.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: Hakerat publikojnë listën e vrasësve shqiptarë me pagesë

Një haker, që përdor pseudonimin bRpsd ka hyrë në një portal të...
Read More