Përkthyesja franceze: Patër Pllumi në kujtesën time

Bashkë me ekspozitën me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, dje në Bibliotekën Kombëtare është prezantuar nga At Viktor Demaj botimi i plotë i veprës së At Zefit, nga “Botimet françeskane”. Kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Në forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi” ka qenë mbresëlënëse dëshmia e përkthyeses franceze Odile Daniel, si është njohur me At Zef Pllumin, çfarë kujton nga bisedat dhe takimet me fratin…

Daniel: Për At Zef Pllumin të lindte natyrshëm përshtypja se ai zotëronte të gjitha të fshehtat e historisë

Nga Odile Daniel

Në këtë kremtim përkujtimor të At Zef Pllumit do të doja të vija në dukje dhe të nderoja cilësitë që mishëron kjo figurë e madhe e historisë së Shqipërisë. Do të sjell gjithashtu dëshmi nga ana ime dhe si njohëse dhe njëherazi si përkthyese në gjuhën frënge e veprës së tij “Rrno vetëm për me tregue”. Do t’ju sjell disa kujtime të miat prej takimeve që kam pasur më At Zef Pllumin gjatë periudhës që kam qëndruar në Shqipëri.

Si u njoha me At Zef Pllumin?

Një ditë, në Paris, zoti Aurel Plasari, duke më dhuruar librin e tij, më thotë: “Do të ishte mirë që kjo vepër të përkthehet dhe të botohet në Francë”.

E nisa leximin e librit dhe nuk e ndjeva kohën që kalonte dhe vijova të lexoja deri herët në mëngjes. Mbeta e mahnitur nga madhështia, bujaria dhe fisnikëria e shpirtit të tij, cilësi që spikatnin menjëherë në rrëfimin e tij; për më tepër, një rrëfim që bartte kaq shumë të vërteta. U mahnita sidomos nga fuqia e jashtëzakonshme e qëndresës së tij, një qëndresë gati mbinjerëzore.

Pasi e përfundova përkthimin, mendova se ishte më mirë të takoja autorin dhe të mund të bisedoja drejtpërdrejt me At Zef Pllumin rreth përkthimit të disa pjesëve të librit. E ndieja të nevojshme që të shtoja disa shënime shpjeguese për lexuesin francez, i cili mund të mos e njihte mirë historinë e Shqipërisë dhe traditat e vendit. Mendova gjithashtu se duhej të shpjegoheshin disa shprehje të së folmes lokale që pasqyronin mentalitetin dhe mendjehollësinë e asaj treve. Kur At Zef Pllumi më priti në aeroportin e Tiranës, u habita dhe sapo e pashë, vura re se fytyra i shndriste nga gazi, sytë i qeshnin; ishte mbresëlënëse gëzimi që shprehnin ata sy edhe pas aq vuajtjesh që ai kishte qenë i detyruar të përballonte në jetë. Vështrimi i atyre syve përngjasonte me ato vështrime depërtuese që kisha parë në fotografitë e malësorëve të Malsisë së Madhe në fototekën “Marubi”.

Me At Zef Pllumin shkuam në Shkodër, në shtëpinë e mbesës dhe nipit të tij, te familja Shpati, të cilën e falënderoj shumë për mikpritjen shqiptare dhe për zemërgjerësinë me të cilën më pritën. Në kujtesën time, Patër Pllumi ka mbetur si personalitet i madh, që ruante të pacenuar në mendjen e tij historinë e Shqipërisë. Kur i lexoja pjesë të ndryshme të përkthimit, ai ndërhynte herë pas here për të më treguar ngjarje e të dhëna të ndryshme që njihte e që i kishte përjetuar vetë dhe që nuk figuronin në librat e historisë. Dhe lindte natyrshëm përshtypja se ai zotëronte të gjitha të fshehtat e historisë. Siç vë në dukje në librin e tij, ai kishte punuar qysh në rini në arkivat françeskane dhe kishte shfletuar letërkëmbimin e shumë personaliteteve të shquara historike. Gjatë bisedave tona për përkthimin, e dëgjoja At Zef Pllumin dhe adhuroja tingëllimin e bukur të asaj të folmeje të ruajtur me besnikëri, të asaj gegërishteje me atë nazalitet bukurtingëllues. Gjatë punës për përkthimin e veprës, nganjëherë kisha vështirësi me atë mënyrë të shprehuri, sepse Ai shprehte shumë mendime me pak fjalë dhe më duhej që në gjuhën frënge të përdorja perifraza të gjata për të shprehur të njëjtën ide. Ati shprehej në mënyrë të shpenguar me të folurën e asaj krahine malore, duke përdorur fjalë që linin përshtypje të thella. At Zef Pllumi përfaqësonte elitën intelektuale françeskane të Shkodrës. Dituria e tij ishte e pamat, gjykimi i tij gjithnjë i saktë e i përpiktë. Ai më fliste shpesh për pashallarët Bushatllinj dhe për Fratin Erasmën Balneo, për jetën e bëmat e të cilëve ai shkroi një libër. Ai më fliste për famën e tyre, për solidaritetin fetar e për pavarësinë e vendit.

At Zef Pllumi dëshmonte natyrën e shpirtit shkodran, plot humor e zgjuarsi. Një ditë, ai më tregoi se, kur bënte udhën nga Shkodra deri në Tiranë, makina u ndal nga vjedhësit që donin ta grabisnin. Me qetësi, ai u tha: “ç’dëshironi, bekim apo mallkim? E kam vuajtur një dënim të gjatë? Ata iu përgjigjën “Ohhhh, nuk të njihnim” dhe ikën me shpejtësi.

E admirova zellin e madh të Atit për punë, sepse, në vend të çlodhej mbas aq vitesh vuajtjeje, ai përpiqej të ringjallte interesimin për vendet e ngjarjet që nuk meritonin harresë, për monumentet e arkitekturës që i kishin shpëtuar shkatërrimit përgjatë sundimit osman. Pashë se sa shumë At Zef Pllumi ishte i lidhur me tokën shqiptare. Ai donte jo vetëm të shpëtonte pasurinë e vendit, por sidomos të tregonte se e kaluara kishte qenë e madhërishme.

Në kërkim të ndihmave për subvencione pranë Fondacioneve të ndryshme, ne vizituam bashkë shumë kisha dhe monumente historike, që kishin rënë pre e shkatërrimeve ose që ishin në rrënim e sipër. Ai bënte një krahasim të bukur duke thënë se duhej të qanin mbi këto rrënoja, si profet Jeremi përpara mureve të Jeruzalemit.

Për të shpjeguar merakun e tij për restaurime, bashkë me zonjën Persida Asllani, ai na çoi në Kepin e Rodonit, në një vend me bukuri natyrore përrallore, në kepin e gadishullit ku gjendet një fortesë e vogël, e restauruar nga Skënderbeu në vitin 1454. Fortesa ishte feudi a pronë e motrës së tij, Mamicë. Sipas traditës, ajo ua la me testament françeskanëve, të cilët, për treqind vjet, e patën si seli të Provincialatit. Patër Pllumi krenohej me zbulimin e afreskut në kishën e Shna Ndout, që tregonte Mamicën mbi një kalë dhe shqiponjën dykrenare.

Së bashku vizituam kishën e Rubikut në majë të malit, që i ngjante kishës së Rokamadurit në jugperëndim të Francës. Afresku mural i abacisë, i shek. XIII, gjatë atyre pesëdhjetë vjetëve të regjimit komunist kishte pësuar shumë dëmtime dhe zbehjen e ngjyrave për shkak të fonderive të bakrit që u ndërtuan atje. Ishte i domosdoshëm restaurimi i ngjyrave.

Vizituam po ashtu edhe kishën e Shën Gjonit në Vrakë, pranë fshatit Hysaj, afër Shkodrës, mbetjet e kishës ishin dikur abaci benediktine, e përmendur në dokumente të ndryshme arkivore për mbishkrime interesante. Ish–konsulli francez në Shkodër, Hyacynthe Hecquardi, u interesua për këtë monument në fund të shekullit XIX. Ishin gërmadha mbi të cilat lartohej një pjesë e kumbanares. Ati thoshte që duheshin bërë kërkime arkeologjike dhe shumë restaurime. Interesimi i Atit përqendrohej sidomos në kishën e Shenj Sergisit dhe Bakut në Shirq, ku ngrihej një mur në mes të një vendi me bukuri të rrallë, i ndërtuar në vitet 1298-1308, nga mbretëresha Elena e Anzhusë, (Helene d’Anjou) dhe ku janë varret e dy mbretërve në fillimet e mbretërisë së Rashës. Për kjo ishte lënë krejtësisht mbas dore; lumi Bunë e ka shkatërruar kishën pothuajse krejtësisht. Ne admiruam zbukurimin e dritareve që ishte i njëjtë me atë të disa kishave normane. Në fillim të shekullit XX, konsulli i Francës, Auguste Degrandi, kishte vërejtur bukurinë e monumentit dhe njëherazi dëmtimet e pësuara nga përmbytjet e lumit, por edhe lënia pas dore. Më vonë vërejta se interesi i Atit për mbrojtjen e pasurisë arkitekturore shqiptare kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve përkatëse.

Nga bisedat me At Zef Pllumin, vëreja vazhdimisht se ai ngulmonte në rolin e kulturës për të ndriçuar mendjen. Ai thoshte se duhet shërbim dhe jo fitim. Me gjuhën e tij të figurshme, ai thoshte se vlera e një kombi nuk numërohej me numrin e dhenve dhe deleve, por me numrin e shkollave. Ai më thoshte se kleri kishte spikatur në këtë drejtim qysh në fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe. Ati kërkonte ta vazhdonte këtë traditë, duke u përpjekur për ringjalljen e revistës “Hylli i Dritës”.

At Zef Pllumi mbronte e kërkonte shpëtimin e kulturës, dhe kulturimin e brezit të ri; ai vetë kishte kulturë enciklopediste; pas lirimit nga burgu, ai u kujdes që të nxisë edukimin e brezave të rinj dhe të dërgojë të rinj të talentuar në universitetet europiane. Ai nuk pushonte së shprehuri dëshirën e zjarrtë që Shqipëria të gjejë vendin e merituar në Europë.

Jemi mbledhur këtu që të përkujtojmë At Zef Pllumin, duke sjellë ndërmend gjallërinë e tij të pashtershme, megjithëse kishte kaluar vuajtje pas vuajtjesh, për vite e vite të tëra në burgjet e diktaturës; jemi mbledhur këtu për të vënë në piedestalin e merituar vlerat e tij morale e intelektuale. Ai është figura e denjë e një Shqipërie që, përgjatë shekujve e përmes vuajtjeve, diti të rilindte, të ripërtërihej. Trimëria e At Zef Pllumit, e frymëzuar nga feja, por edhe nga traditat trimërore të vendit të tij, është një shembull që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që është për ne simbol i fitores së një Shqipërie që nuk dorëzohet dhe që di si të bëjë gjëra të mira.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Basha nuk mund të ndërtojë “Republikën e Re” pa bashkëpunimin me Ramën

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama, i ka ofruar liderit të opozitës edhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.