Përmbytjet, koha që risku të kalojë nga shteti tek individi

Nga Ervis Iljazaj

Parashikimet e motit për ditët në vijim nuk janë aspak të mira për territorin shqiptar. Vendi pritet të paralizohet për shkak të tij, edhe pse efektet e rrebeshit janë ndjerë që dje në shumë qytete, duke filluar që nga pezullimi i mësimit në shumë shkolla.

Nëse vërtet duam të kuptojmë sigurinë që një shtet iu jep qytetarëve të tij, janë pikërisht situata të tilla emergjente që na i tregojnë këtë. Në këtë kuptim shqiptarët nuk kanë asnjë dyshim për nivelin e ulët të kësaj sigurie, pasi çdo herë që ndodhen përballë një situate të tillë, dëmet materiale janë kolosale.

Sa herë ka paralajmërime të tilla për motin, na shfaqen përpara syve imazhe me fusha të gjitha të përmbytura, dhe të gjithë shoqërinë e përpin një gjendje ankthi për pasojat e mundshme, duke na treguar se kemi pak ose aspak besim të strukturat e emergjencës së shtetit shqiptar, edhe pse duhet thënë që emergjencat e motit në vendin tonë krijohen shumë kollaj.

Për të na kujtuar këtë fakt, ende nuk janë mbyllur dëmshpërblimet që shteti shqiptar iu ka qytetarëve të zonave të caktuara që u përmbytën vjeshtën që kaloi, dëmshpërblime që vijnë si pasojë e riskut që merr përsipër shteti në raste të tilla.

Për të zgjidhur këtë problem njëherë e mirë, ndoshta ka ardhur koha që riskun e fatkeqësive të tilla ta marrë përsipër vetë individi dhe qytetarët, dhe jo më shteti, sepse nëse nuk kalojmë në një fazë të re të kësaj situate, do të vazhdojmë ende të vuajmë pasojat e kostove materiale që fatkeqësi të tilla shkaktojnë. Deri më tani makutëria e pushtetit politik ka shkuar totalisht në drejtim të kundërt. Është e qartë që një rrebesh, sado i vogël të jetë, gjunjëzon të gjithë territorin dhe e paralizon atë, për arsye se infrastruktura rrugore është kudo gjysmake.

Sigurisht, shteti shqiptar është përgjegjës për të siguruar çdo infrastrukturë të nevojshme për sigurinë e jetës në radhë të parë, pastaj të pronës në radhë të dytë për çdo qytetar shqiptar, dhe të duhet të mbajë çdo përgjegjësi për çdo dëm që shkaktohet nga mungesa e saj.

Megjithatë, për të reduktuar kostot financiare ka nevojë dhe për një sjellje të re nga ana e qytetarëve shqiptarë.

Në radhë të parë, ende nuk kemi kulturën e sigurimit të pronave të paluajtshme. Tregu i siguracioneve në këtë sektor, nga të gjitha të dhënat, është në nivele minimale. Nëse një treg i tillë do të ishte në nivelin e duhur, atëherë qytetarët e dëmtuar në pronat e tyre, nuk do të rropateshin nëpër zyrat e shtetit për dëmshpërblimet e tyre, apo këto dëmshpërblime të ktheheshin në fushata elektorale, ku në mënyrë të paturpshme dhe aspak dinjitoze në raste të tilla shpërndahen dele apo lopë si një favor që politika iu bën atyre.

Në radhë të dytë, ka nevojë për një kulturë të përgjithshme të ndërtimeve. Deri më tani janë lejuar për shkak të lëvizjeve demografike ndërtime pa asnjë kriter dhe kudo, edhe në zona të rrezikshme, që i ruan vetëm Zoti dhe jo aspektet teknike të sigurisë së ndërtimit. Këtij fenomeni duhet t’i jepet fund njëherë e mirë. Sepse është absurde të mendosh, që shteti të legalizon një shtëpi edhe nëse ajo ndodhet afër një lumi, që në fakt nuk duhet ta bëjë, dhe pastaj të pretendosh që këtë shtëpi, duhet ta dëmshpërblejë në rast përmbytjeje.

Prandaj, për të siguruar pronat e çdo qytetari, ka nevojë për një ndryshim të qasjes në raport me pronën private të çdokujt. Në këtë mënyrë, çdo palë bën detyrën e vet. Individi siguron riskun për pasurinë e tij, dhe shteti merr çdo përgjegjësi për mungesën e çdo infrastrukture publike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi, nuk është faji i drejtorëve pisanjosë, por i idesë idiote për “shëndetësinë falas”

Nga Ervis Iljazaj Dje, Edi Rama, në serinë e takimeve për reformimin...
Read More