Përmbytjet na kujtojnë se sa të vegjël jemi

Nga Arjan Çuri

Vendi është përfshirë nga reshjet e shumta, të cilat kanë shkaktuar përmbytje. Kësaj here, të paralajmëruar, autoritetet dhe njerëzit morën masat paraprake për t’u mbrojtur aq sa të mundnin. Ky shkrim nuk do të bëjë asnjë kritikë politike, shumë të tjerë kanë filluar ta bëjnë, as do të mbrojë njeri politikisht, duke thënë që përmbytje, uragane e cunami ndodhin në të gjithë botën, por do të përpiqet të sjellë një refleksion mbi vogëlsinë njerëzore, që shpeshherë ne e harrojmë, por ngjarje të tilla si përmbytjet, vdekjet apo fatkeqësitë e çdo lloji na e kujtojnë. Dhe nuk është keq, që gjërat që i harrojmë kollaj, të përpiqemi t’ia kujtojmë vetes më shpesh. Dhe të përpiqemi gjithashtu të kujtojmë gjërat që kanë më shumë rëndësi dhe që janë të përjetshme, brenda përkohësisë sigurisht, në të cilën jemi dënuar. Ato gjëra që asnjë përmbytje, qoftë ajo natyrore apo shpirtërore, nuk na i merr dot.

Dje, po udhëtoja me makinën time drejt shtëpisë së disa miqve të mi, ku isha i ftuar, për shkak të një feste timen, të cilën unë nuk doja ta festoja më. U ndjeva shumë ngrohtë, kur miqtë e mi, më thanë që ata do ta festonin edhe pa mua, unë isha i lirë të bëja si të doja. U nisa, dhe pasi kalova Durrësin u gjenda në mes të rrebeshit në orët e darkës. Të gjitha makinat ulën shpejtësinë, përfshirë edhe modelet e fundit, që në kohë të mirë, ecin me arrogancën e drejtuesve të tyre. Dje, para atij shiu të rrëmbyeshëm, ku nuk mund të shikoje as 2 metra para, ishim të gjithë të vegjël, dhe të përulur, pavarësisht kostove të makinave, apo statusit e sërës së gjithsecilit, që duket sikur tregohet po nga makinat, sipas mentalitetit tonë prej neozengjinësh. Mendoj, se si unë, të gjithë uronim që të dilnim sa më shpejt prej asaj situate, pasi na dukej sikur gjithë ajo furi ere e uji do të na shkulte që aty, edhe pse dikur unë mburresha për rëndesën dhe madhësinë e makinës sime, që ishte solide në kthesa. Dje, mjaftonte një pellg me ujë, dhe makina ime, dukej sikur ngrihej në ajër, dhe kontrollin nuk e kisha më unë, por forca të tjera.

Njoh shumë njerëz që vuajnë, përfshirë dhe veten, nga sensi i pasjes në kontroll të gjithçkaje. Kohët e fundit, ngjarjet jetësore më kanë mësuar se shumë pak gjëra kam realisht nën kontroll. Dhe kur fillon ndonjë përmbytje e madhe, nga ato që për shi, erë e suferinë, kanë ngjarjet jetësore, ti e kupton sa i vogël dhe i pafuqishëm je, përpara forcave që nuk i ke nën kontroll, apo forcave që deri dje mendoje se i kishe me vete, dhe sot i sheh që të kundërveprojnë me mani. Dhe sa i dobët je, edhe kur ke menduar që je në pallate betoni, makina të gjera, apo njerëz që të japin komfort. Kështu rrugës, kur ti kupton se ke humbur kontrollin, apo ke shumë pak kontroll, i gjendur mes forcave të përbindshme të natyrës, ti mendon për gjërat më të rëndësishme në jetë.

Po sikur, kjo përmbytje të prishte shtëpinë time, makinën time, apo me keq, të më merrte ndonjë të afërmin tim, si do të ishte? As që nuk guxoja ta mendoja, edhe për faktin që instinkti më thoshte të bëja ç’ishte e mundur që ta kaloja atë situatë. Mendova të ndaloja njëherë, por zinxhiri i makinave, nuk do më linte, dhe xhepa në rrugë, nuk po shihja, as që nuk mundesha të shihja. Si një zinxhir të dënuarish, ku secili shihte vetëm sinjalin e bllokazhit të atij që kishte para, ne po ecnim të gjithë drejt të panjohurës, gjithsecili i vetëdijshëm për vogëlsinë e vetë, të nënshtruar përpara natyrës.

Ngaqë nuk doja të mendoja gjëra të këqija, kujtova një bisedë me mikun tim të ngushtë, Ibrahimin. Kur kisha përmbytjet e mia shpirtërore, ai m’i hiqte si me dorë, dhe ndonjëherë, kur isha shumë i qetë, ai mund të më sillte përmbytje më të mëdha nga ato që më kishte çliruar. Mbase dhe unë i kam bërë të njëjtën gjë, ndoshta edhe më keq. Dikur, në një nga bisedat tona të gjata, përpiluam secili një listë prioritetesh, se cilat ishin gjërat më të rëndësishme që donim më shumë. Ibrahimi është besimtar, dhe nuk e kishte problem të vinte në krye të listës, Zotin, si një fondament, ku mbështetej çdo gjë tjetër që do të pasonte. Mendoj që ata që e nisin listën pa Zotin, do të kishin një renditje shumë ndryshe nga e jona. Habia ime e madhe ishte që ne nuk bëmë dy lista, por një, ku secili vinte elemente, si: familja, miqësia, dashuria e parime të tjera të rëndësishme, për të vazhduar me punën dhe gjërat e tjera të jetës së përditshme. Ndoshta besimtarët janë aq budallenj, saqë mendojnë të gjithë njësoj.

Kurse ateistët, përfshirë edhe ata që kam miq, do ta nisnin listën e prioriteteve nga vetja. Nëse i pyet ku besojnë, sigurisht, ata do të thonë që besojnë te natyra, por ndoshta e thonë këtë, sepse deri aty shohin, si unë dje, që nëse më pyesnin se ku besoja, do të thosha te makina që kam përpara, të cilën e shihja si shpëtimtaren që do të më tërhiqte nga ajo situatë, ku ti humbje sensin e rendit, dhe gjithçka të dukej absurde. Ja kjo është, ateistët besojnë tek absurdja, tek e pakuptimta dhe për këtë janë të vetëdijshëm, siç ishte edhe Kamyja, që mendonte se njerëzit që nuk e përqafojnë absurdin janë të destinuar të vetasgjësohen filozofikisht ose fizikisht. A është natyra absurde apo ka ajo një logjikë, siç mendojnë besimtarët? Dje më dukej sikur natyra e kishte me të gjithë ne, dhe ajo nuk bënte dallim se ku besonim apo jo ne. Ne ishim të detyruar të anonim, nëse i besonim ose jo asaj, natyrës, që dukej sikur dje ishte nxehur shumë me ne, dhe kishte rrëmbyer kamxhikun të na ndëshkonte.

Më shumë se sa ta kërkojmë përgjegjësinë te shteti, që është për vete i përmbytur nga një mijë e një probleme, dhe siç e thashë në fillim të këtij shkrimi, nuk do ta bëja më mirë se të tjerët, kritikën e merituar ndaj tij këto ditë, le të shohim, se ç’i kemi bërë ne natyrës, që na sillet kështu, sepse nga natyra, dhe besimi tek ajo nisen të gjithë, besimtarë apo jo qofshin, thjesht të parët, mbi natyrën, vendosin Demiurgun. Por ka shumë mundësi, që sot ka lindur një brez i ri ateistësh apo anatyralistësh, që e kanë humbur besimin edhe te natyra. Ata i besojnë vetëm vetes, lekut që kanë, makinave dhe rrobave të shtrenjta dhe pamjes së bukur të fizikut të tyre, që nuk është as i tyre.

Gjithashtu, besojnë se natyra mund t’u nënshtrohet atyre, dhe ata mund të ndërtojnë ku e si të duan, mund të bëjnë rrugë e banesa pa standarde, mund të ndotin e hedhin te koshi natyrë, çdo gjë që s’u nevojitet. Fundja, ndaj është natyra, që t’u shërbejë dëshirave dhe pasioneve tona. Ndaj janë edhe peshqit, kafshët, pemët e njerëzit, si pjesë e saj, të gjithë robër e skllevër të dëshirave tona. Nëse nuk është kështu, atëherë janë armiq. Ne shohim vetëm pjesën e fundit të serialit, mbajmë mend vetëm çka na duhet, të tjerat ia japim mbrapa me neveri natyrës, nga e cila i morëm si dhuratë. Të gjithë ne e kemi trajtuar natyrën si plaçkën tonë të luftës, dhe dje, natyra, për të disatën herë, erdhi furishëm për të na kujtuar që nuk është ashtu. Të gjithë, kur natyra është e qetë, e mendojmë veten si qendra e universit, dje natyra na kujtoi se universi as nuk pyet për ne, dhe ekzistonte miliona vjet para nesh, dhe kush e di sa pas nesh. Qendra e tij gjendet vite dritë larg, aty shkohet veç me fuqinë e shpirtit

Mendja ime qëndron sot tek ata që humbën diçka nga përmbytja e djeshme. Duke e parë listën nga fundi, uroj që të kenë pësuar sa më pak njerëz sa më pak dëme. Makinat e gjëja e gjallë janë shumë pak para shtëpive, e shtëpitë janë shumë pak para jetëve të atyre që duam. I gjendur në mëshirë të motit, dje mendova për gjërat që kam humbur unë nga përmbytjet që kam kaluar. Kjo përmbytje më mori dhe mua diçka të vlefshme, diçka që do të doja kurrë të mos ma kishte marrë, por që isha i pafuqishëm për ta shpëtuar. Ndoshta ngaqë dje, isha vetëm. Ndoshta ngaqë nuk e kam kontrollin mbi gjërat, ndonjëherë edhe mbi veten.

Me këto mendime, vura re që udhëtimi kishte mbaruar. Miqtë që ishin bërë merak për mua, dhe ishin penduar që më kishin vënë në sedër për një udhëtim të vështirë, kishin dalë të më prisnin. Por ata më kishin bërë pa dashje favorin që të mendoja thellësisht mbi gjërat e mia të vyera, listën e të cilave e përpilova sërish dje, me po të njëjtën vendosmëri dhe radhë, pa ndryshuar asgjë. Kam vendosur që t’i besoj më shumë natyrës, e më pak vetes. Ndoshta ajo na merr ndonjëherë ndonjë gjë, për të na e kthyer prapë më vonë. E ndoshta gjërat që nuk na i kthen, na ndihmojnë të kuptojmë se sa të vegjël jemi. Kështu, natyra, veç absurde s’mund të jetë, ajo ka gjithmonë gjëra për të na mësuar, edhe kur na kamxhikon pa mëshirë. Ndoshta edhe kjo duhet parë për të mirën tonë. Apo na shërben ta shohim kështu?

Megjithatë, pasi ajo të qetësohet, ne do kthehemi të mendojmë si më parë, që jemi të mëdhenj, në fizikun e bukurinë, mendjen apo talentet, statusin e paratë, e rrobat e makinat tona. Dhe kështu, do të shkaktojmë furinë e saj të radhës, pasi natyra e krijuar, nuk lodhet së na dhënë mësime. Derisa të fitojë, sepse ajo gjithmonë fiton.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ministrat teknikë, të varur nga OSBE-ODIHR dhe urdhri i Bashës

Gjashtë ministrat teknikë të propozuar nga PD dhe zëvendëskryeministrja, në rolin e...
Read More